Dy muaj pas fillimit të punës të komisionit parlamentar për reformën administrativo-territoriale, procesi ka hyrë në ngërç politik për shkak të bojkotit të Partisë Demokratike, qysh prej miratimit të Avokatit të Popullit në Kuvend vetëm me votat e mazhorancës
Nga katër mbledhjet e deritashme të komisionit, vetëm një ka pasur pjesëmarrje të plotë të opozitës.
Afati i fundit
Kryetari i grupit parlamentar i PS-së, Taulant Balla, caktoi ditën e sotme si afat të fundit për PD që të merrte pjesë në komision.
Në të kundërt rregullat e lojës do të ndryshonin.
“Besoj që sot në mbledhjen e komisionit, jo vetëm deputetët e opozitës të jenë prezent, por të marrin detyrat brenda këtij komisioni, në mënyrë që nesër të mos jemi të detyruar të vendosim mekanizmat zhbllokues”, tha Balla.
Mbledhja e sotme e komisionit të posaçëm parlamentar ishte njoftuar zyrtarisht edhe në faqen e Kuvendit.
Por disa orë më vonë, Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, tha nga selia e PD-së se mbledhja e parashikuar e Komisionit të Reformës Territoriale ishte e pavlefshme. Ai theksoi se, “thirrja e mbledhjes me ‘ultimatum’ nga Taulant Balla është e papranueshme dhe shkel normat e bashkëpunimit brenda komisionit”.
Komisioni
Më herët nga kjo deklaratë, mbledhja e komisionit të posacëm u zhvillua pa praninë e opozitës ndërsa kjo e fundit paralelisht ishte mbledhur në seli për axhendën e grupit parlamentar.
Gjatë fjalës, Berisha nuk e preku asfare publikisht debatin për territorialen.
Në anën tjetër të bulevardit, në kryesinë e Kuvendit, Kryetari i komisionit parlamentar për reformën territoriale, Arbjan Mazniku, tha gjatë mbledhjes, se opozitës i ishin dhënë garanci shtesë për bashkëkryesinë e Komisionit, porse mungesa e tyre, sipas tij, ka sjellë humbje kohe.
Ai nënvizoi se procesi duhet të përfundojë deri në korrik 2026.
Për pasojë Kuvendi, sipas tij, duhet të ndryshojë mënyrën e formimit të Komisionit për të shmangur bllokimin.
Propozimet
Duke ndjekur këtë argument, mazhoranca ka propozuar ndryshime në përbërjen e Komisionit, duke shtuar numrin e përfaqësuesve të saj dhe duke ndryshuar formulën e drejtimit:
“Komisioni i Posaçëm përbëhet nga 17 anëtarë, nga të cilët 9 janë janë përfaqësues të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe 6 përfaqësues të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, 1 përfaqësues i Grupit Parlamentar Aleanca për Ndryshim dhe 1 përfaqësues I Grupit Parlamentar i Partisë së Lirisë. Kryetari i komisionit është përfaqësues i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe zëvendëskryetari është përfaqësues i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike”
Fillimisht komisioni u krijua me parimin e barazisë mes mazhorancës dhe opozitës, duke i dhënë opozitës garanci shtesë për bashkëkryesinë.
Propozimet e fundit që janë futur nesër për miratim në Kuvend i japin opozitës një faktor sekondar dhe jo më vendimmarrës krah për krah me PS-në.
Tërhiqet PD
Ndërkohë, në mbledhjen me dyer të mbyllura të Grupit Parlamentar të PD-së, disa deputetë kundërshtuan vendimin Berishës për bojkot të territoriales dhe asaj zgjedhore, duke kërkuar pjesëmarrje në komisione.
Pas mbledhjes së grupit, bashkëkryetari i PD në komision, Luçiano Boçi, përcolli qendrim tërheqës, duke njoftuar se do të marrin pjesë në komision.
“Mbledhja e sotme (e territoriales) është nul, u thirr në ultimatum. Është nul sepse mbledhja thirret në bashkëpunim me bashkëkryetarët, s’jam njoftuar. Jo vetëm për këtë mbledhje, por edhe mbledhje të tjera, që i kanë përdorur si argumente të bojkotit të PD. Nuk bashkëpunojmë me Ramën në nivele të tilla që konsiderohen si bashkëpunime politike, kjo është çështje e një komisioni të rëndësishëm. Qëndrimi i PD pas diskutimeve është që PD do vazhdojë të jetë pjesë e komisionit, në një mbledhje sa më të afërt të dakordësuar me bashkëkryetarët”, tha Boçi.
Kalendari i PS
Shkurt 2026 – Vizita në qarqe dhe takime me kryetarë bashkish, biznesin, shoqërinë civile dhe qytetarët.
Mars 2026 – Konsultime tematike mbi territorin, funksionet dhe financimin e pushtetit vendor.
Prill-Maj 2026 – Fillimi i procesit të hartimit formal të ligjit për reformën administrativo-territoriale.






