Muajt e pritjes, ndërhyrjet e kataraktit në varësi të lenteve dhe mjekëve

Ndonëse 5 nga 12 Spitalet Rajonale duhet të kryenin këto ndërhyrje, në disa prej tyre ku edhe numri i popullsisë është i madh, nuk zhvillohen operacione të tilla

19

Sebi Alla – Në maj të vitit të shkuar, L.T, 73-vjeçe, mori në duar rekomandimin nga mjeku okulist që në fillim të muajit tetor 2025 do të kryhej ndërhyrja kirurgjikale e kataraktit, me lente intraokulare. 

Tashmë që jemi në janar të një viti më pas, bashkë me shikimin, ka nisur t’i zbehet edhe shpresa se ndërhyrja do të kryhet. “Nuk kemi akoma lente” është përgjigjja më e shpeshtë që ka marrë e moshuara.

Ashtu si 73-vjeçarja ka edhe shumë pacientë të tjerë që janë në listë pritjeje për ndërhyrje. 

Megjithatë, rastet urgjente nga Qendra Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza”, dhe disa Spitale Rajonale, kryhet që në momentin e paraqitjes së pacientëve. “….të gjitha rastet urgjente janë trajtuar në kohë, po ashtu dhe rastet e planifikuara të cilat janë shpërndarë sipas ngarkesës së shërbimeve”, thotë Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, në një reagim zyrtar për Faktoje.al. 

Sipas tyre, në shumicën e spitaleve ku ofrohet ky shërbim është vijuar në mënyrë të pandërprerë kirurgjia për vendosjen e lenteve intraokulare, përveҫ rasteve të veҫanta kur mund të ketë pasur ndonjë problematikë të përkohshme të aparaturës së PHACOS (aparaturë për heqjen e perdeve të syrit). 

Përplasja në QSUNT

“Nga të dhënat e vëna në dispozicion numri i pacientëve që kanë kryer ndërhyrjen e vendosjes së lenteve intraokulare për periudhën 1 janar 2025 – 31 tetor 2025 është rreth 3400 pacientë”, thotë Ministria e Shëndetësisë. 

Pavarësisht numrit të lartë të ndërhyrjeve, ka ende shumë pacientë që janë në listë pritjeje, ndonëse fillimisht u është thënë se brenda tre muajsh do të kryhen operacionet e planifikuara. 

“Nga informacionet e transmetuara nga Shërbimet e Okulistikës në spitale mund të themi se numri i pacientëve në listë pritjeje për këtë ndërhyrje për pjesën e mbetur të vitit është mbi 320”, pohohet zyrtarisht nga ministria. 

Ndonëse 5 nga 12 Spitalet Rajonale duhet të kryenin këto ndërhyrje, në disa prej tyre ku edhe numri i popullsisë është i madh, nuk zhvillohen operacione të tilla. 

Kjo situatë ka bërë që shumë pacientë nga rrethe të ndryshme këtë shërbim nuk e marrin në spitalet rajonale ku banojnë, por detyrohen që të vijnë në Tiranë dhe pas shumë konsultave që janë kohë e humbur dhe shpenzime, marrin një afat i cili zakonisht është brenda tre muajve, por shpesh kjo kohë shtyhet edhe më shumë. 

Shkodra as mjekë, as lente

Qarku Shkodër me rreth 150 mijë banorë nuk ofron shërbimin e ndërhyrjeve me lente intraokulare, madje pranohet zyrtarisht se përveç mungesës së lenteve nuk kanë as mjekë okulistë. 

“Aktualisht pranë klinikës ORL-OKL në Spitalin Rajonal të Shkodrës nuk realizohet ndërhyrja kirurgjikale e kataraktit me lente intraokulare, pasi ky shërbim deri më tani është mbuluar vetëm nga një mjek okulist, fakt i cili ka sjellë pamundësi fizike për përmbushjen e të gjitha aktiviteteve që ky shërbim ofron”, thotë për Faktoje, Spitali Rajonal i Shkodrës. 

Ministria e Shëndetësisë, në vitin 2023 e përfshiu Spitalin Rajonal në listën që ofron shërbimin e ndërhyrjes kirurgjikale të kataraktit. 

“Sa i takon paketës së kataraktës, ajo ofrohet falas në tetë spitale, konkretisht në QSUT, Spitalin Universitar të Traumës, Spitalet Rajonale të Vlorës, Shkodrës, Durrësit, Korçës, Fierit dhe Elbasanit, duke i krijuar mundësi të moshuarve kryerjen e ndërhyrjes dhe lentet falas në sistemin shëndetësor publik”, tha ish-ministrja Ogerta Manastirliu, në janar të tre viteve më parë. 

Në përgjigjen për Faktoje, Spitali Rajonal Shkodër thotë se muajt e fundit personeli është shtuar edhe me dy mjekë të tjerë dhe se ky shërbim pritet të vihet në funksion. 

Mungesa e lenteve dhe mjekëve i ka detyruar pacientët që të dynden në Tiranë, ndërsa presin për shumë muaj datën e ndërhyrjeve. 

Një tjetër pacient në kushtet e anonimatit tha për Faktoje se mjeku që i rekomandoi ndërhyrjen është i njohuri i tij, por në dy raste ia kishte shtyrë operacionin, pasi lentet nuk ishin cilësore. 

Ministria ka një tjetër përgjigje, teksa thotë se pjesa më e madhe e lenteve sigurohen nga vende të BE-së.

“Lentet e përdorura në ndërhyrjet për kataraktën furnizohen nga kompani të licencuara sipas legjislacionit shqiptar, me origjinë kryesisht nga vendet e Bashkimit Europian si p.sh.: Belgjika, si dhe nga vende si SHBA, Indi, Kanada, Japoni etj., në përputhje me kërkesat e sigurisë dhe cilësisë të përcaktuara në dokumentacionin teknik të tenderit”, thuhet në qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale. 

Në ligjin për barnat por edhe pajisjeve mjekësore është e sanksionuar se mund të futen edhe barnat ose pajisjet mjekësore “e prodhuara në vendet e Ballkanit”.

Më jep “borxh” lentet

Pavarësisht planifikimeve dhe tenderave të zhvilluara sipas kërkesave të pavionëve të ORL-OKL, shpesh ndodh që për një kohë të pacaktuar ka mungesë lentesh dhe shtyrje sidomos të operacioneve të planifikuara. 

“Në rast të mungesave në mënyrë të vazhdueshme, sipas praktikës së konsoliduar, janë marrë masa bashkëpunimi me spitale rajonale, për përdorim të përkohshëm të rezervave ekzistuese, pra një qarkullim të lenteve në spitale, me qëllim të mospezullimit të trajtimit të pacientëve”, thotë Ministria e Shëndetësisë. 

Sipas tyre, ndërhyrja e kataraktës klasifikohet si ndërhyrje jo urgjente. 

“…80% e ndërhyrjeve të kataraktës bëhen me planifikim, pasi nuk janë urgjenca mjekësore, ku listë pritja në spitale nuk është më shumë se 3 muaj, një kohë shumë e shkurtër krahasimisht me vende të tjera, ku planifikimet e kirurgjisë së kataraktës variojnë nga 9 muaj deri 18 muaj në rutinën e tyre”, thotë ministria. 

Ndërhyrjet në katarakt jo në të gjithë rastet konsiderohen urgjente, por shtyrja në kohë e operacioneve ka bërë që pacientët kryesisht të moshuar të jetojnë me shikim të kufizuar nga perdet në sy.

E tillë është edhe 73-vjeçarja L.T., e cila që nga maji i vitit të kaluar ende pret telefonatën për t’i caktuar datën e ndërhyrjes, me shpresën se lentja të jetë cilësore e prodhuar në një nga vendet e Bashkimit Europian. 

Përfundimi

Ndërhyrja kirurgjikale e kataraktit me lente intraokulare kryhet falas në Tiranë dhe spitale rajonale, por koha e kryerjes së ndërhyrjeve, sipas dëshmive të pacientëve zgjat mbi tre muaj. 

Gjithashtu Spitali i Rajonal i Shkodrës pranon se nuk e kryen këtë shërbim, pavarësisht se më herët referuar ministrisë por edhe disa pacientëve, ky shërbim kryhej. 

Aktualisht, nisur nga nga kontaktet me pacientë, por edhe përgjigjet zyrtare këtë premtim e klasifikojmë si pjesërisht të mbajtur.