Sebi Alla Unik e quajtën një copë tub, por po aq unike është qëndrimi i institucioneve përgjegjëse që vështirë të gjendet një “rast i dytë”, për justifikimin e prag katasrofës higjenike në qytetin e Vlorës. “Pajisjet janë duke ardhur nga Stambolli”, thanë ekspertët, “kjo është një fatkeqësi natyrore, 15 bote po furnizojnë institucionet”, tha kryebashkiakja, “ujin e boteve mos e pini”, deklaroi UKV, “as unë nuk jam larë”, u “ankua” drejtori i AKUK.
Ndërsa numri një i qytetit të Vlorës flet për “fatkeqësi natyrore”, vendi po kalon prej dy javësh një mot të kthjellët, pa reshje, pa ngrica e rrëshqitje… Megjithatë “rrëshqitjet institucionale” janë të dukshme në qëndrimet që mbajnë për këtë rast të paprecedent, ku në mesin e dimrit uji i pijshëm mungon prej pesë ditësh në të gjithë Vlorën.
Defekti në tubacionin kryesor të shpërndarjes së ujit ndodhi mesnatën e 24 dhjetorit, ndërsa tentativat për ta riparuar në kohë dështuan, duke ia faturuar problemin “tubit që vetëm Vlora e ka”.
E ka kush e ka
Dita e pestë e mungesës së ujit solli “revoltën e vonë” të pak qytetarëve që protestuan në mbrëmjen e së dielës ku zyrtarë të bashkisë ishin mbledhur në një “shfaqje artistike”, për të festuar me muzike e shfaqje të përzgjedhura fundin e vitit. Po ashtu mëngjesin e sotëm qindra banorë kërkuan mbajtjen e përgjegjësive dhe dorëheqje të drejtuesve të bashkisë, ndërsa lëshuan akuza për vjedhje të fondeve publike dhe në shenjë revolte hodhën letra higjenike dhe vezë.
“Në këtë situatë, ajo që bie më shumë në sy nuk është vetëm mungesa e ujit, por mungesa e qartësisë institucionale mbi përgjegjësinë”, thotë për Faktoje.al, eksperti i çështjeve të pushtetit lokal, Agron Haxhimali. Kryebashkiakja e Vlorës Brunilda Mersini hoqi përgjegjësinë nga institucioni që drejton duke ia faturuar Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve.
“Bashkia nuk ka varësi ndaj ujësjellësit, ujësjellësi i ka kaluar prej dy vitesh AKUK-së, por është momenti të menaxhojmë këtë fatkeqësi natyrore”, tha Mersini.
“Fakti që Bashkia Vlorë, së bashku me bashkitë e tjera të qarkut, zotërojnë 49% të aksioneve, nuk i përjashton nga përgjegjësia. Pjesëmarrja në pronësi do të thotë edhe detyrim për të reaguar, për të informuar qytetarët dhe për të ushtruar presion institucional mbi aksionarin shumicë, edhe pse përgjegjësia e bashkisë mbetet aty edhe me mungesën e shumicës vendimmarrëse”, sugjeron eksperti Haxhimali.
Premtim i ricikluar
Ndërkohë Faktoje ishte në muajin Gusht në Vlorë dhe u përball me të njëjtin problem të përsëritur.
Të paktën në dekadën e fundit, kryetarët e bashkive në Vlorë kanë kërkuar votën e qytetarëve duke përfshire si prioritet të programit furnizmin me ujë të pijshëm.
Në mesin e gushtit, nga verifikimi në terren i Faktoje.al rezultoi se Vlora vijonte të kishte probleme me furnizimin normal me ujë të pijshëm.
Situata e ditëve të fundit vetëm sa ka rënduar mungesën e një premtimi të pambajtur prej vitesh në këtë qytet për ujë 24 orë.
Botet me ujë që s’pihet
Në këtë çoroditje qëndrimesh dhe mungese të theksuar të reagimit në kohë, në Vlorë është shfaqur një tjetër problem, sa higjenik, aq edhe shëndetësor.
Pas tre ditësh që një pjesë e banorëve janë furnizuar me autobotë erdhi qëndrimi i Ujesjellës Kanalizimeve Vlorë. “Ujësjellës Kanalizime Rajoni Vlorë, njofton qytetarët se ujin të cilin po e marrin nga autobotet, duhet t’a përdorin për nevoja emergjente dhe jo për përdorim oral”, thuhet në njoftim.
Për të qetësuar revoltën qytetare tentoi të komunikonte edhe Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve Flauers Shoshi. “E di shqetësimin tuaj, ju kuptoj. Kemi tentuar tre herë ta rregullojmë defektin por nuk kemi mundur ta rregullojmë. Pajisjet janë duke ardhur. Sonte në mesnatë nis furnizimi me ujë. Kjo është fjala jonë”, tha ai, ndërsa deklaratave të qytetarëve se nuk mund të shkojnë në tualet e as të lahen për shkak të mungesës së ujit, ai iu përgjigj: “As unë nuk jam larë dot”.
Shumë institucione, pak ujë
Më shumë se zgjidhje konkrete për furnizimin me ujë, në vitet e fundit janë trumbetuar “strategji kombëtare”, duke e copëtuar përgjegjësinë në disa institucione, sa qëndrore aq edhe lokale.
“Sipas modelit aktual të riorganizimit të sektorit të ujësjellës-kanalizimeve, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë është aksionari kryesor, duke kontrolluar 51% të aksioneve me të drejtë vote, përmes strukturave të saj dhe AKUM”, thotë eksperti Haxhimali.
Sipas tij, politikat kryesore dhe përgjegjësia e parë për funksionimin e shërbimit janë qendrore. “Problemi real është modeli i ndërtuar: një shërbim i centralizuar në vendimmarrje, por i decentralizuar në faj. Bashkitë mbeten adresa e parë e zemërimit qytetar, ndërsa pushteti real qëndron larg kamerave dhe përgjegjësisë publike”, thekson Haxhimali.
Rama: Fajin e ka Saliu
Pas katër ditësh reagoi edhe kryeministri Edi Rama me historinë e vjetër të reagimit se fajin e ka Saliu (Berisha).
“Drejt aeroportit të Stambollit për të ardhur sot brenda ditës, pjesët e reja hidraulike për riparimin e difektit të rëndë në ujësjellësin e Vlorës, ku në vitin 2009-2010 janë instaluar pjesë hidraulike jashtë standarteve, që nuk e kanë mbajtur dot më presionin e ujit dhe për pasojë tubacioni ka shpërthyer…
Vlonjatëve të mi u them ndjesë për tërë këtë peripeci të pamerituar dhe siç thoshin gjyshet tona plasi më në fund edhe syri i keq pas tërë këtyre viteve të mira për Vlorën, e ja që kush i do të keqen Vlorës, veç të keqen do i marrë”, shkruan Rama.
Faktoje, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.






