Sebi Alla Në një ditë të ngjeshur diskutimesh, debatesh, mbledhjesh dhe takimesh, PS dhe qeveria me forcën e kartonit siguroi kohë të gjatë për të diskutuar fatin e mandatit të Belinda Ballukut, duke rrëzuar kërkesat e opozitës dhe SPAK-ut për një vendimarrje sa më të shpejtë për shkak të dosjes dhe rrezikut të dëmtimit të hetimeve.
Ende nuk ka një datë të saktë se kur do thirret sërish mbledhja, por përfaqësuesit e PS-së kërkojnë një kohë të gjatë për tu njohur me provat e paraqitura nga prokuroria.
Ndërsa diskutimi juridik mbetet i hapur, ai politik ka qenë mjaft i ngjeshur ku e pandehura Balluku është filmuar në momentin e futjes në kryeministri, ku i pranishëm ishte edhe kreu i qeverisë Edi Rama. Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjitikës Belinda Balluku akuzohet nga SPAK për “shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera ose ankande publike” në tetë raste. Në kërkesën e datës 16 për autorizim për arrestim, (heqje lirie), SPAK thotë se: “…në kuadër të procedimit penal nr. 136 të vitit 2025, ka paraqitur kërkesë për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë për arrestimin/ heqjen e lirisë së deputetit, ministrit, zëvendëskryeministrit”
Provat në rrezik?
Për çështjen Balluku në mbledhjen e Këshillit të Mandateve, anëtarët e opozitës dhe tre prokurorët e SPAK kanë qenë thuajse në një linjë dhe kjo lidhej me rrezikun e prishjes së provave nga zëvendëskryeministrja Balluaku, apo edhe kërcënimi i dëshmitarëve në procesin e saj. “SPAK këmbëngul se kjo kërkesë është e ngushtme, SPAK thotë se po intimdon vartësit. Tani ajo do marrë dëshmitë e çdo personi dhe ne do i japim 1 muaj derisa t’i intimidojë të gjithë?”, tha Bardhi.
USB-ja me vete
Pesë orët e mbledhjes u mbyllën pa një datë të përcaktuar se kur do të mbidhet sërish Këshilli i Mandateve, ndërsa diskutimet kanë qenë të shumta që në nisje të mbledhjes. Sipas anëtarit të opozitës në këtë komision, Gazmend Bardhi, tre orët e para të diskutimeve ishin debate mbi mënyrën sesi anëtarët e komisionit dhe avokati mbrojtës do të njiheshin me provat. PS fillimisht ka kërkuar që provat të shiheshin aty në sallë, duke refuzuar që tu japeshin palëve me vete. Pas një diskutimi fillestar mbi mënyrën e marrjes së provave të paraqitura nga SPAK, u vendos që USB-ja tu vihej në dispozicion të gjithë anëtarëve të komisionit dhe avokatit mbrojtës të Ballukut.
Koha
Çështja ku palët u ndanë ishte pikërisht koha që do të merrej vendimi nga Këshilli i Mandateve dhe Rregullores. Përfaqësues të opozitës kërkuan që pavarësisht dosjes voluminoze (10 mijë faqe), anëtarët mund ta shqyrtonin brenda tre ose katër ditësh. Nga ana tjetër Ardian Kalia, avokat i të pandehurës Belinda Balluku, kërkoi tre javë kohë për tu njohur me materialet dhe përgatitej për mbrojtjen e klientes së saj. Kjo kërkesë u kundërshtua nga dy prokurorët që po hetojnë numrin 2 të qeverisë për shkelje të barazisë në 11 tenderë, Dritan Prençi Dorina Bejko, por edhe kreu i ri i saj Klodian Braho.
Nga ana tjetër, PS tejkaloi edhe kërkesën e avokatit mbrojtës të Ballukut, duke kërkuar që mbledhja të mbahej më 20 janar të vitit të ardhshëm.
Opozita
Në shfrytëzim të hapësirave ligjore dhe rregullores së Kuvendit, pesë anëtarët e opozitës pritet që të kërkojnë mbledhjen në fillim të javës së ardhshme. “Sipas rregullores ka 2 forma se si mblidhet këshilli. Një, e thërret kryetar i Kuvendit. E dyta, 1/2 e anëtarëve të këshillit. 5 anëtarët e opozitës në këshill do thërrasin mbledhjen e këshillit të hënën, maksimumi të martën e fillim javës që vjen, për të mos krijuar asnjë vonesë”, tha Bardhi.
Në referim të rasteve të mëparshme, anëtari i Këshillit të Mandateve, njëherësh edhe kreu i Grupit Parlamentar të PD-së tha se: “…Ahmetaj (shënim: I referohet Arben Ahmetajt), ka pasur 15 mijë faqe dhe i është lënë vetëm 48 orë kohë”.






