SPAK kërkon arrestimin e Ballukut, “leja” në duart e mazhorancës

Mazhoranca nuk ka humbur kohë, duke njoftuar anëtarët e komisionit se mbledhja do të mbahet të premten.

15

Sebi Alla Prokuroria Speciale SPAK, i kërkoi Parlamentit heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres dhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjitikës, Belinda Balluku.

Paraditen e së martës në zyrën e kreut të Kuvendit mbërriti zyrtarisht kërkesa për leje për dhënie autorizimi për arrestimin e Ballukut.

Në një njoftim zyrtar, duke iu referuar bazëz ligjore prokuroria dha argumentet se: “… në kuadër të procedimit penal nr. 136 të vitit 2025, ka paraqitur kërkesë për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë për arrestimin/ heqjen e lirisë së deputetit/ ministrit/ zëvendëskryeministrit: Belinda Balluku”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Nga momenti i mbërritjes së kërkesës Parlamenti ka dy javë afat për ta kaluar në mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve, por mazhoranca nuk ka humbur kohë, duke njoftuar anëtarët e komisionit se mbledhja do të mbahet të premten.

Reagimet

Lajmin për kërkesën e SPAK drejtuar Kuvendit për dhënien e autorizimit për arrestim, heqje lirie për Ballukun e dha i pari kryeministri Rama, i cili nën rreshta shfaqi pakënaqësi, duke e interpetuar si kërkesë “maksimaliste”, e cila sipas tij erdhi vetëm pak kohë pasi Gjykata Kushtetuese riktheu në detyrë ministren. “…këtë herë na kërkohet të japim opinionin tonë, ne do të angazhohemi me të gjithë përgjegjësinë tonë përpara shqiptarëve që na dhanë 83 mandate, e do të përgatitemi për të mbajtur një qëndrim të drejtë, të qartë e të denjë, si forca udhëheqëse e vendit dhe e Reformës në Drejtësi”, shkruan Rama në platformën X.

Mbi kërkesën e SPAK për marrjen e autorizimit për arrestimin e ministres Balluku mbajtën qëndrim edhe përfaqësues të opozitës.

Kryetari i PD-së, Sali Berisha, aludon se PS do të votojë kundër heqjes së imunitetit.

“Në reagim të kërkesës së Prokurorisë për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Lubisë, Rama nëpër rreshta shpall se ai do mbrojë Lubinë me çdo çmim sepse mbron veten e tij. 50 milionë euro i kanë ndarë bashkë. Reagimi i tij në X mund të mblidhet me dy fjalë: ‘Jetën e japim, Lubinë nuk e japim”, tha Berisha.

rregulloren e Kuvendit është përcaktuar se Këshilli i Mandateve pasi shqyrton dokumentat dhe provat e paraqitura nga prokuroria, del me raport dhe ia paraqet Kuvendit në seancë të hapur për votim.

Imuniteti i një deputeti hiqet me shumicë të thjeshtë votash, ose refuzohet po me shumicë të thjeshtë. 

Nëse çështja nuk kalon për votim tre muaj nga njoftimi, atëherë kërkesa bie automatikisht.

Akuzat

Më 31 tetor të këtij viti, Prokuroria Speciale SPAK i komunikoi zyrtarisht akuzën e “shkeljes së barazisë së pjesëmarrsve në tendera ose ankande publike”, zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjitkës, Belinda Balluku, për çështjen e tenderit të Tunelit të Llogarasë. 

Vetëm 20 ditë më pas, më 20 nëntor me kërkesë të SPAK, Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), vendosi masën “pezullim nga detyra dhe ndalim për daljen jashtë vendit”, ndaj Ballukut.

Masa shtrënguese, sipas SPAK, u mor pas hetimeve dhe dyshimit se përveç tenderit të Tunelit të Llogarasë, Balluku dhe tre vartës të saj, anëtarë të komisionit të vlerësimit të ofertave kanë paracaktuar fituesit edhe në Lotin 4 të Unazës së Madhe në Tiranë.

Vendimi i GJKKO-së u ankimua nga kryeministri Rama në Gjykatën Kushtetuese me arsyetimin se ky vendim binte ndesh me Kushtetutën për ndarjen e pushteve, pasi sipas tij të drejtën për pezullim, shkarkim apo emërim të një anëtari kabineti e ka kryeministri.

Gjykata Kushtetuese më 12 dhjetor mori vendimin për ta shqyrtuar çështjen në themel më 22 janar, ndërsa njëkohësisht rrëzoi vendimin e pezullimit nga detyra.

Tashmë në kërkesën për masën e arrestit SPAK ka referuar edhe shtatë  raste të tjera të dyshimit për shkelje të barazisë në tendera të ministres Balluku, që lidhen me shtatë lotet e Unazës së Madhe.