Mazhoranca miratoi me 75 vota marrëveshjen për “Paqen Fiskale”, pavarësisht shqetësimeve serioze të ndërkombëtarëve. Bashkimi Evropian, Fondi Monetar Ndërkombëtar, por edhe biznesi amerikan shprehën shqetësime të forta pasi nisma lë hapësirë për pastrim parash dhe cënon konkurrencën e ndershme. Opozita pritet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.
Esmeralda Topi
Me 75 vota pro, 20 kundër dhe asnjë abstenim socialistët miratuan projektligjin e shumëdebatuar për “Paqen Fiskale”.

Kundërshtitë e forta pak para votimit të nismës nga Bashkimi Evropian, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Dhoma Amerikane e Tregtisë ranë në vesh të shurdhër, pasi mazhoranca miratoi “Paqen Fiskale” duke rrëzuar të gjitha amendamentet, përfshi edhe ato të miratuara më herët nga Komisioni Parlamentar i Ekonomisë.
Propozimi i Erion Braçes që detyronte kompanitë përfituese nga marrëveshja e paqes të deklaronin burimin e parave dhe pronarin përfitues, u hoq me propozim të Taulant Ballës.
“Do të votojmë amendamentin e paraqitur nga deputeti Taulant Balla, ku propozohet që neni dy paragrafi përfitimi nga marrëveshja, bëhet me verifikimin e burimit të fondeve dhe pronarit përfitues sipas standarteve të Agjencisë së Inteligjencës Financiare, i shtuar nga Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat të hiqet”, tha kryetari i Kuvendit Niko Peleshi.
Erion Braçe, argumentoi se propozimet e tij thellonin karakterin e ligjit.
“Të gjithë propozimet që kam bërë ndajnë thelbin e ligjit me mundësinë për të pastruar para nga sektorë të ndryshëm qoftë dhe individë”, theksoi Braçe.
Sipas tij, ndryshimet e propozuara i japin ligjit karakter transparence. “Standard që ligje të kësaj natyre duhet ta kenë me çdo kusht,” përfundoi Braçe.
Por këto argumente nuk i përqafuan kolegët e tij socialist.
Paçka se ishin shqetësimet kryesore të Bashkimit Evropian, FMN-së dhe Dhomës Amerikane të Tregtisë amendamentet që kufizonin mundësitë e pastrimit të parave dhe rrisnin transparencën, u rrëzuan një e nga një.
Edhe propozimi për të përjashtuar kompanitë që kanë marrë kontrata PPP nga marrëveshja e “Paqes Fiskale” u rrëzua.
“Paqja Fiskale” drejt Kushtetueses
Edhe amendamentet e opozitës për nismën u rrëzuan me kartonat e shumicës së socialistëve. Në këto kushte, deputetja Jorida Tabaku tha se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.
“Edhe në qoftë se presidenti e dekreton, grupi parlamentar i Partisë Demokratike, të gjithë, do ta shohin ligjin në Gjykatën Kushtetuese”, premtoi Tabaku.
Deputetja demokrate i përmendi socialistëve problemet e rënda që shprehu Brukseli lidhur me pastrimin e parave. Ajo i kujtoi ministrit të financave se “Paqja” nuk ishte e dakordësuar me BE-në sikurse pretendoi Malaj.
“Tre ditë më parë, Komisioni Evropian deklaroi që ligji ka probleme të rënda dhe njëkohësisht është në kundërshtim edhe me mekanizmin e Money Val-it dhe pastrimit të parave. Ndërkohë që sot për median Faktoje bëri një deklaratë duke thënë që ky ligj vjen në parlament pa dakordësinë e BE-së”, u shpreh Tabaku.
Amendamente paraqiti edhe Partia Mundësia, por patën të njëjtin fat me ato të demokratëve dhe socialistit Braçe.
“Përjashtoni të gjitha subjektet që janë në hetim apo të dënuar në fushën e krimit dhe narko-trafikut, të përjashtohen edhe kompanitë që janë dënuar ose janë në hetim,” tha Agron Shehaj.
Shehaj propozoi edhe përjashtimin e të gjithë individëve që janë subjekt i deklarimit dhe kontrollit të pasurive nga falja. “Të paktën të përjashtojmë veten nga amnistia fiskale”, tha ai.
Plani për “Paqen Fiskale” u prezantua në mënyrë të beftë në kulmin e fushatës elektorale nga kryeministri Edi Rama, i cili kërkoi votat shqiptarëve me premtimin e “pasaportës europiane”. Por pak muaj më vonë, nisma mori dritën jeshile nga socialistët duke rënë ndesh me kërkesat e Brukselit.






