Pretendimi: Dafina shëron pagjumësinë, tensionin e lartë dhe diabetin.
Vlerësimi: E pavërtetë
Jona Cenameri
Këshillat mjekësore në rrjete sociale janë ndër materialet më të lexuara, sidomos nga përdoruesit e moshuar. Një nga këto artikuj këshillues është publikuar në 24 nëntor nga disa portale (link, link, link, link, link) duke pretenduar se gjethja e dafinës shëron pagjumësinë, tensionin dhe diabetin.

Postimet udhëzojnë përdoruesit të klikojnë “lajmin e plotë” në komente, por pas hapjes së linkut faqja synon të mbledhë klikime të mëtejshme duke rekomanduar një tjetër hap për të lexuar artikullin. Në brendësi të tij, shkrimi flet për vetitë kurative të çajit të gjethes së dafinës.
Verifikimi i Faktoje tregon se pretendimi nuk mbështetet nga asnjë institucion i njohur shëndetësor dhe asnjë provë klinike nuk e njeh gjethen e dafinës si trajtim për pagjumësinë, hipertensionin apo diabetin. Sipas Mayo Clinic, diabeti i tipit 1 dhe i tipit 2 menaxhohet me kombinim të medikamenteve (insulinë ose barna orale), monitorimit të glukozës, dietës së kontrolluar dhe aktivitetit fizik. Institucioni thekson se diabeti nuk shërohet dhe se as trajtimet alternative nuk e kurojnë sëmundjen, por vetëm e mbajnë nën kontroll.
WebMD, një platformë e njohur ndërkombëtare për informacion mjekësor, e rendit dafinën vetëm si erëz ushqimore dhe thekson se studimet që sugjerojnë efekt në faktorët e rrezikut të diabetit janë të vogla, me kufizime të rëndësishme dhe jo të kryera tek pacientë diabetikë, prandaj nuk përbëjnë provë mjekësore për përdorimin e saj si trajtim.
National Center for Complementary and Integrative Health (NCCIH), institucioni zyrtar amerikan për mjekësinë alternative, deklaron se nuk ka evidencë të mjaftueshme shkencore për përdorimin e bimëve medicinale, përfshirë dafinën, në trajtimin e diabetit ose hipertensionit. NCCIH paralajmëron se produktet që premtojnë “kura natyrale” për diabetin janë të rrezikshme, shpesh të paligjshme dhe se zëvendësimi i terapisë profesionale me to mund të ketë pasoja serioze.
American Diabetes Association (ADA), në “Standards of Care in Diabetes 2024”, thekson se trajtimi i diabetit kërkon terapi të provuara klinikisht dhe monitorim të rregullt. ADA paralajmëron se suplementet bimore dhe metodat alternative nuk trajtojnë, apo kurojnë diabetin dhe nuk rekomandohen si zëvendësim i trajtimit mjekësor. Dafina nuk përmendet askund si opsion terapeutik.
Në të njëjtën linjë, Cleveland Clinic sqaron se menaxhimi i diabetit kërkon strategji të strukturuara mjekësore, monitorim të glukozës, medikamente të miratuara, planifikim ushqimor dhe aktivitet fizik, dhe nënvizon se asnjë suplement natyral nuk mund të zëvendësojë trajtimin e bazuar në prova.
Sa i përket tensionit të lartë dhe pagjumësisë, burimet mjekësore ndërkombëtare nuk njohin asnjë efekt terapeutik të dafinës. Disa studime laboratorike sugjerojnë veti antioksiduese ose aromatike, por këto nuk përkthehen në trajtime të provuara klinikisht për sëmundje kronike. Pretendimi se dafina “shëron pagjumësinë” apo “ul tensionin” nuk ka asnjë bazë shkencore.
Nga verifikimi i Faktoje rezulton se pretendimet se dafina shëron diabetin, tensionin dhe pagjumësinë janë mashtruese. Dafina është një erëz ushqimore, jo trajtim mjekësor. Asnjë provë klinike nuk e mbështet këtë pretendim. Faqet që e përhapin këtë informacion po përdorin dezinformim shëndetësor me risk real për publikun, duke i shtyrë njerëzit të besojnë “kura natyrale” që zëvendësojnë kujdesin profesional. Në këto kushte, Faktoje e vlerëson pretendimin si dezinformues.






