Një keqinterpretim dyshimi për mungesën e oksigjenit nga teknologjia 5G

8

Pretendimi: Teknologjia 5G në frekuencën 60 GHz ndalon trupin dhe gjakun e njeriut të thithin oksigjen

Verdikti: E pavërtetë

———————————————-

Një video që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendon se sistemi 5G në frekuencën 60 GHz ndalon trupin e njeriut të thithë oksigjen.

Teknologjitë celulare pa tel (wireless) transferojnë të dhëna nga një pikë në tjetrën duke përdorur valët e radios, të cilat janë pjesë e spektrit elektromagnetik. Termi 5G i referohet gjeneratës së pestë të rrjeteve celulare, një teknologji që përdor valë me frekuencë më të lartë se rrjetet e mëparshme për të ofruar komunikim më të shpejtë dhe me cilësi më të lartë. 5G do të përdorë breza të ndryshme frekuencash, duke filluar me frekuenca të ulëta të ngjashme me ato që ishin tashmë në përdorim (qindra MHz deri në disa GHz), për t’u zgjeruar më vonë në frekuenca më të larta të quajtura valë milimetrike.

Vendet kanë filluar të vendosin disa breza 5G me frekuencë të ulët dhe të mesme, por jo breza me frekuencë të lartë në diapazonin 60 GHz

Postimi i mësipërm pretendon se “kur valët 5G 60GHz arrijnë molekulat e oksigjenit, këto valë ndikojnë në karakteristikat e rezonancës orbitale të elektroneve të ndara. Këto janë elektronet e ndara që lidhen me hemoglobinën në gjakun tonë. Kur oksigjeni bllokohet, ai nuk lidhet më me hemoglobinën.”

Valët elektromagnetike nga 5G janë një lloj rrezatimi jo-jonizues. Komisioni Rregullator Bërthamor i SHBA shpjegon se ky lloj rrezatimi “depoziton energji në materialet nëpër të cilat kalon, por nuk ka energji të mjaftueshme për të thyer lidhjet molekulare ose për të larguar elektronet nga atomet.”

Valët elektromagnetike 5G janë në diapazonin e ulët të frekuencave elektromagnetike, më të ulëta se drita e dukshme dhe nuk janë mjaftueshëm të forta për të depërtuar në indet e trupit. Siç shpjegon Organizata Botërore e Shëndetësisë, frekuencat më të larta të përdorura në 5G janë më pak të afta të depërtojnë në trup sesa frekuencat e përdorura në gjeneratat e mëparshme të rrjeteve celulare.

Pretendimi i mësipërm duket se është një keqinterpretim i fenomenit të dobësimit të sinjalit, ulja e fuqisë së sinjalit që ndodh gjatë transmetimit nga një pikë në tjetrën kur sinjali bashkëvepron me grimcat dhe objektet në rrugën e tij. 

Në rastin e valëve elektromagnetike, dobësimi vjen si pasojë e bashkëveprimit me grimcat në atmosferë, siç është oksigjeni, të cilat mund të thithin një pjesë të energjisë së tyre ose të ndryshojnë drejtimin e tyre. Fenomeni i dobësimit i bën frekuencat 60 GHz të paafta për të mbuluar distanca të gjata, gjë që është një nga arsyet pse 5G përdor diapazon të ndryshëm frekuencash.

Kjo nuk do të thotë që, në 60 GHz, oksigjeni pushon së ekzistuari, ose shndërrohet në diçka tjetër, ose ndryshohet kimikisht. Ai thjesht thith energjinë e valës së radios dhe bëhet shumë më i nxehtë. Ndryshimi është aq i vogël në një masë ajri saqë nuk mund ta matësh pa përdorur pajisje laboratorike. Dhe brenda sekondës, oksigjeni do ta ri-rrezatojë nxehtësinë në ambjent për t’u kthyer në normale.

Nëse pretendimi i postimit do të ishte i vërtetë, do të prisnim që valët me frekuenca edhe më të larta, siç është drita e dukshme ose drita ultravjollcë (UV), të shkaktonin ndryshime të ngjashme ose më të theksuara në molekulat e oksigjenit. Kjo qartësisht nuk ndodh. As drita e dukshme dhe as drita UV nuk shkaktojnë që njerëzit të ndalojnë së marri frymë.

Më tej, teknologjia e internetit wireless 60Ghz ka vite që përdoret, pa raporte fatalitetesh nga mungesa e oksigjenit. Megjithatë, diapazoni i tij është jashtëzakonisht i shkurtër

Megjithatë, edhe disa nga disavantazhet e teknologjisë 60 GHz po reklamohen si pozitive. Ndërsa dobësimi dhe pengesat mund të parandalojnë transmetimin, mund të jetë një përfitim të kufizohet mundësia për “vjedhje” ose përgjim të përmbajtjes së mbrojtur. Në fakt, 60 GHz u propozua për herë të parë për komunikimet në fushën e betejës vetëm për këtë arsye.