Piramidat në Myzeqe, thellohen hetimet, bllokohen disa llogari bankare

Prokuroria e Fierit tregon për Faktoje ecurinë e dosjes dhe bashkëpunimin për sekuestrimin e disa llogarive bankare jashtë vendit

17

Sebi Alla Me sytë nga hetimet, dhjetëra qindra qytetarë, kryesisht nga Divjaka, Lushnja dhe Fieri, që tentuan të bëhen “milionerë” duke investuar në një platformë mashtrimi, tashmë janë me sytë nga Prokuroria e Fierit nëse mund të rikuperojnë shumat e humbura.

Në një reagim për Faktoje.al, Prokuroria e Fierit tregon për fazat e hetimit, ndërsa konfirmon se kanë sekestruar disa llogari bankare.

“Nga hetimi i deritanishëm është bërë i mundur identifikimi i disa llogarive bankare, për të cilat është marrë vendimi ‘Për vendosjen e sekuestros së llogarive bankare’ nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, vendimi i cili u është njoftuar edhe personave të interesuar”, thotë prokuroria.

Për këtë çështje, shtatë persona kanë masë sigurie, por skema duket të jetë shumë më e thellë, pasi dyshohet se platforma e mashtrimit u kontrollua nga një person ose grup personash jashtë vendit.

Hetimet

Skema e mashtrimit ku shumë qytetarë kishin derdhur nga 1-5 mijë dollarë në një platformën “XUEX”, e cila sugjeronte se funksiononte si kompani investimesh në bursë u tregonte përdoruesve shifra fiktive në gjoja “portofolin digjital” e cila pas çdo klikimi shtonte “vlerat e fitimit”. Një skemë e njohur në disa vende nga të shtëquajturët “mashtrim kompjuterik”, por që në Myzeqe, veçanërisht në Divjakë dhe Lushnjë gjeti shtrirje të gjerë në verën e këtij viti.

Denocimi publik nga deputeti i PS-së Erion Braçe për këtë skemë mashtrimi vuri në lëvizje strukturat shtetërore që pas ndërhyrjes arrestuan në vendin tonë shtatë persona, ndërsa hetimet konfirmohen se janë zgjeruar edhe në bashkëpunim me vendet e tjera.

 “Aktualisht hetimet vijojnë me qëllim individualizimin e përgjegjësisë penale të personave të përfshirë në veprimtarinë e dyshuar si të paligjshme. Deri në këtë moment janë kryer një sërë veprimesh hetimore, si dhe po bashkëpunohet me autoritetet e huaja”, thotë prokuroria.

Skema

Në një shkrim të zgjeruar, Faktoje.al publikoi të dhëna mbi funksionimin e kësaj platforme mashtruese, preh të së cilës ranë shumë qytetarë. Platforma “XUEX, ishte krijuar në atë mënyrë që për një kohë të shkurtër të jepte idenë se ishte serioze dhe më pas njëri pas tjetrit të thithnin sa më shumë “investitorë” që në të vërtetë siç rezultoi ishin thjesht të mashtruar duke u përvetësuar shuma të mëdha parash. Aplikacioni i XUEX nuk ekzistonte në App apo Play Store, ai vinte si një aplikacion i bazuar në link, që më pas instalohej në telefon.

Po i njëjti person që i kishte dërguar kodin, e përfshinte klientin në grupin e Telegramit ku ishin të gjithë përdoruesit.

Nga dëshmitë e dhëna nga disa përdorues të saj të cilët humbën shuma të ndryshme kishte dhjetëra mijëra pjesëtarë, mbi 14 mijë kur u bë publike në media.

Hetimet më pas zbuluan se nuk ishte gjë tjetër përveçse një skemë e pastër mashtrimi.

Tashmë prokuroria vijon të marrë dëshmitë e personave që kanë humbur vlera të konsiderueshme monetare, të cilët shpresojnë se mund tu kthehet diçka pas, ndonëse është shumë e vështirë, kjo edhe për faktin se organizatorët e kësaj skeme kanë transferuar vlerat e grabitura në disa llogari bankare në shtete të ndryshme, ose portofole digjitale.

“Deri në këto momente janë paraqitur disa shtetas të cilët kanë bërë kallëzime penale dhe kanë dhënë deklarime në kuadër të këtij hetimi”, thotë Prokuroria e Fierit.