Nga dje Belinda Balluku me vendim të GJKKO-së është e pezulluar nga detyra e zv-kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjitikës. Asgjë nuk ka ndryshuar nga dje sot, e as pas takimit disa orësh që kryeministri Edi Rama zhvilloi me Ballukun në zyrën e tij të kryeministrisë.
E vetmja lëvizje konkrete është ankimimi i vendimit të GJKKO-së nga kryeministria në Gjykatën Kushtetuese.
GJKKO
Një vendim më shumë për të marrë kohë sesa për të mos e “lëshuar”, kur në të njëjtën ditë GJKKO zbardhi vendimin për Ballukun dhe miratoi 28 leje të reja për kontrolle personale.
“Në rastin konkret për shkak të rrethanave të faktit dhe personalitetit të të pandehurve të sipërcituar, duke qenë në ushtrimin e funksioneve respektive të tyre për shkak të detyrës, ekziston rreziku që ata të kryejnë krime të të njëjtit lloj me atë për të cilin po procedohen, kjo lidhur me rrethanat e veprimeve të kundraligjshme të të pandehurve në disa procedura prokurimi, si dhe nisur nga fakti se të pandehurit menaxhojnë në vazhdim fondet publike për investimet publike të tjera të parashikuara për Institucionet qendrore që ata drejtojnë”, thuhet në vendimin e GJKKO.
Mbrojtja
Në përfundim të Samitit formal të Growth Plan “Our Pathway to the EU”, në krah të Komisioneres për Zgjerimin, Marta Kos, kryeministri Edi Rama iu përgjigj enkas pyetjeve të tre gazetarëve, që në thelb kishin një qëllim: A do ta shkarkonte Belinda Ballukun pas vendimit të marrë nga GJKKO për pezullimin e saj nga ta gjitha funksionet qeveritare?
Rama
Kryeministri Edi Rama e konsideroi vendimin e pezullimit të ministres dhe zv/kryeministres Belinda Balluku si një rast të paprecedentë të ndërhyrjes së drejtësisë në kompetencat e ekzekutivit, por theksoi se qeveria nuk do të reagojë në të njëjtën mënyrë ndaj sistemit gjyqësor.
Ankimimi
Rama deklaroi se vendimi do të respektohet, ndërsa çështja do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese me argumentin se duhet përcaktuar qartë kufiri mes pushteteve.
“Pezullimi është vendim i një gjykate që ne do ta përcjellim në Gjykatën Kushtetuese, si një akt brutal ndërhyrjeje në pavarësinë e Pushtetit Ekzekutiv dhe Gjykata Kushtetuese do duhet të na thotë se cili është qëndrimi i saj bazuar mbi Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Pra, nuk jemi në kushtet, kur duke ndërhyrë me forcë në pavarësinë e ekzekutivit, mund të diktohet ndonjë lëvizje e qeverisë. Kështu që, për periudhën që flasim, qeveria e Shqipërisë nuk ka zëvendës kryeministër dhe nuk ka një ministër të infrastrukturës dhe energjisë, që funksionon. Kaq!”, tha ai
Pakënaqësia
Rama vuri në dukje se Shqipëria po përjeton një drejtësi të re, “të brishtë dhe fëminore”, që sipas tij shpesh shfaq reflekse të vjetra antidemokratike, por që qeveria duhet ta mbrojë edhe kur “na godet padrejtësisht”.
“Është një pushtet i ri fëmijëror, i ndërtuar mbi një të kaluar, që nuk e ndihmon drejtësinë e pavarur, s’ka traditë, s’ka kulturë historike të një drejtësie të pavarur. Aftësitë e prokurorëve dhe gjykatësve janë një pjesë shumë e rëndësishme që duhen rritur dhe forcuar, duhet kohë, duhet durim dhe duhet vendosmëri.
Ne këtë vendosmëri e kemi dhe për sa kohë do ta kemi, do të jetë kështu dhe kur them për sa kohë do ta kemi, flas për veten time, që sa të jem unë në këtë detyrë, nuk do shikoni luftëra me drejtësinë apo akuza për të kundërshtuar akuzat që bën drejtësia”.
Ai kritikoi gjithashtu kulturën e “gjyqeve popullore” në televizione dhe rrjedhje e sekreteve hetimore nga prokurorët, duke e quajtur praktikë të dëmshme për drejtësinë.
Marta Kos
Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, nuk komentoi rastin konkret, por theksoi se pavarësia gjyqësore është një ndër arritjet kryesore të Shqipërisë vitet e fundit dhe se vendimet e gjykatave duhet të respektohen. “…Sigurisht që raste të tilla ndodhin gjithandej, por e rëndësishme është që ne të ndjekim vendimet e gjykatës dhe ajo që kam dëgjuar nga kryeministri që do të ndodhë në fakt”, nënvizoi ajo.
Këtu ndërhyri sërish Rama, më shumë si mesazh për BE-në, duke përcjellë të kundërtën e deklaratës së “rasteve që ndodhin gjithandej”.
“Nuk bën vaki në Bashkimin Europian, që njerëzit të pezullohen nga funksionet, është unike në historinë e Europës kjo, duke qenë të zgjedhur, nuk bën vaki në Bashkimin Europian që kryetarët e bashkisë të merren nga zyra dhe të çohen në burg, pa gjyq dhe të mbahen në paraburgim për muaj e muaj të tërë, nuk bën vaki në Bashkimin Europian që siç e thotë jo qeveria e Shqipërisë, po ‘komisioni i torturës i Strasburgut’ – një vend të ketë më shumë të paraburgosur, sesa njerëz të gjykuar dhe të burgosur me gjyq”, tha Rama.
Standardi i BE dhe rasti “unik”
Politologu Afrim Krasniqi në një postim në Linkedin solli standardet e BE-së dhe jo vetëm, duke kundërshtuar tezën e Ramës.
”Në Europën Perëndimore ka standard tjetër: asnjë zyrtar i lartë nën akuzë dhe masë sigurie nuk vonon, por jep menjëherë dorëheqjen. Kështu që duhen kërkuar vende ‘si Shqipëria’ për të krahasuar. Ja p.sh., Brazili ka indeksin e shtetit së të drejtës 10 pikë më të lartë sesa Shqipëria dhe aty ka pasur raste të njëjta për zyrtarë të lartë, në Ekuador, një vend me nivel pak më të ulët sesa Shqipëria në indeks, është shkarkuar në detyrë zv/presidenti i zgjedhur me një vendim gjyqësor; në vende të tjera ka ndodhur të shkarkohen zyrtarë edhe më të lartë, përfshirë presidentë e kryeministra.
Në një vend të BE, si Spanja, kryeministri pezulloi funksionet e tij për shkak të akuzave ndaj bashkëshortes, në republikat baltike me nivel shumë më të lartë demokracie sesa ne, rasti i fundit është pezullimi i një deputeti nga gjyqtari”, shkruan ai
Parimi i demokracisë, sipas tij, kudo në botë është i njëjtë: “asnjëherë dhe në asnjë rast një vendim gjyqësor nuk është quajtur ‘grusht shteti’, e kundërta, moszbatimi i vendimeve të gjykatave është konsideruar akt kundër shtetit”.
Zgjedhjet e lira
E pyetur mbi vërejtjet e raportit të OSBE-ODHIR për zgjedhjet (ku u bazua edhe raporti I Komisionit Europian) Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos u përgjigj: “Po, zgjedhjet kanë qenë të lira dhe të ndershme. Është gjithmonë mirë kur marrim sugjerime për përmirësime dhe kjo është një gjë e mirë për Shqipërinë, por edhe për BE”






