Kuvendi i hoqi imunitetin ministrit të njohur, por jo në Shqipëri

476

Pretendimi: Kuvendi i ka hequr imunitetin një “ministri të njohur”

Vlerësimi: Mungon konteksti / clickbait

______________________________________

Një postim në 8 nëntor në Facebook i portalit “Preferenca” me titullin sensacional të një lajmi urgjent “Kuvendi i heq imunitetin ministrit të njohur” krijon natyrshëm interes për lexuesin shqiptar që po ndjek me interes hetimet për korrupsion të SPAK ndaj antarëve të kabinetit Rama 4. Titulli nuk përmend vendin dhe përdor termin e përgjithshëm “Kuvendi”, ndërsa fraza “ministri i njohur” lë të kuptohet një politikan vendas.

Pas hapjes së linkut në koment, rezulton se lajmi i referohet Polonisë, jo Shqipërisë. Teksti përshkruan heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Drejtësisë Zbigniew Ziobro, një zhvillim i raportuar edhe nga media ndërkombëtare si Reuters më 7 nëntor 2025: “Parlamenti polak i heq imunitetin ish-ministrit të drejtësisë”.

Pra, ngjarja është reale, por i përket parlamentit polak. Megjithatë, postimi në Facebook nuk e përmend këtë fakt, duke e lënë lexuesin të mendojë se bëhet fjalë për institucionet shqiptare. Kjo është një teknikë e njohur clickbait/karrem-klikimesh, ku lajmet ndërkombëtare paketohen me tituj të paqartë për të gjeneruar klikime.

Konfuzioni i krijuar nga titulli reflektohet edhe në komentet nën postim. Disa përdorues kërkojnë sqarim, si në komentin: “Cili Kuvend o ‘gazetaruc’?”. Të tjerë ironizojnë mënyrën e përsëritur të faqes për të fshehur vendngjarjen: “Me që e keni Sekret, e keni mbërthyer nën dy dryna, nuk po e lexojmë fare, se zakonisht, mbasi lexon lajmin, del që ministri i njohur është nga … Burkina Faso, ose … Nga Burundi! ‘BINGO’!” Ironia e përdoruesit e nënvizon qartë perceptimin se portali ka krijuar tashmë një precedent për publikimin e lajmeve me tituj clickbait.

Ndërkohë, disa lexues diskutojnë për imunitetin e deputetëve shqiptarë, gjë që tregon se titulli ka krijuar keqkuptim dhe konfuzion tek audienca shqiptare.

Edhe pse përmbajtja e lajmit është korrekte dhe përputhet me raportimin ndërkombëtar, mënyra se si është prezantuar në Facebook, pa vend, pa kontekst dhe me titull të përgjithshëm, e bën postimin dezinformues.

Faktoje e vlerëson pretendimin si dezinformues dhe clickbait, pasi ngjarja nuk ka ndodhur në Shqipëri dhe titulli i përdorur krijon një perceptim të rremë tek publiku.

Artikulli paraprakPaga minimale 500 €, qeveria përgjysmon ndihmën e premtuar ndaj biznesit 
Artikulli tjetërShtretërit mjekësore ende një ëndërr për Shqipërinë
Jona Cenameri
Jona Cenameri është gazetare, fact-checker. Ajo ka përfunduar studimet në degën Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës, ku u vlerësua me certifikatë ekselence për arritjet akademike. Punon në Faktoje.al, ku merret me verifikimin e deklaratave publike dhe me shkrime hulumtuese mbi çështje me interes publik. Përvoja e saj profesionale përfshin gazetari investigative, raportim të thelluar dhe ndërkufitar, si edhe monitorim e analizë mediatike, përmes bashkëpunimeve me ACQJ, BIRN Kosovo, IDMC, Thomson Media dhe Canal France International. Në vitin 2024 fitoi çmimin e parë në konkursin “Memoria dhe të Drejtat e Njeriut”, ndërsa në vitin 2025 ishte pjesë e ekipit fitues të konkursit rajonal të CFI-së “Balkan Voices 2”. Ajo është gjithashtu përfituese e bursës së KAS Media Programme South East Europe, e akorduar për studentë të talentuar të gazetarisë.