Viti 2025, më pak vrasje, por më shumë agresivitet

Deri ditën e djeshme numri i vrasjeve për vitin 2025 në Shqipëri ka shkuar në 35

24

Sebi Alla- “Ngjarjet që kanë ndodhur brenda një viti, janë shumë. Nga 4 janari i këtij viti dhe deri më 4 nëntor, janë 20 raste me vrasje përdorim tritoli dhe me radhë. Dy ngjarje në muaj, pa përfshirë të sotmen (shënim: i referohet atentatit në Rinas, me një të vrarë dhe një të plagosur). Ky është bilanc lufte. Nuk është bilanci i një vendi të qetë”. Kështu deklaroi Enkelejd Alibeaj, ish-ministër dhe deputet, ndërsa shtoi se “krimi e ka sfiduar shtetin përfundimisht”, duke sfiduar si kundërpërgjigje të deklaratës së Ministres së Brendshme Albana Koçiu teksa deklaroi se “Shqipëria është një vend i sigurt”.

Shifrat

Beteja e shifrave për ulje të numrit të vrasjeve nga viti në vit dhe qëndrimeve se krimi i organizuar po mbjell terror, ka sjellë edhe reagimin e ekspertëve të sigurisë. “Numri i vrasjeve vërtetë është ulur nga viti në vit, por është rritur shumë agresiviteti dhe përdorimi i mjeteve luftarake që lenë pasoja”, thotë për Faktoje.al, eksperti i sigurisë Fatjon Softa.

Vrasja në Rinas

Vetëm 50 metra larg “portës hyrëse të Shqipërisë”, në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit, katër persona të armatosur dhe maskuar vranë Gilmando Danin, i dënuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal dhe plagosën rëndë efektivin e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Muçi Shaljani (Sheqeri), i cili udhëtonte në të njëjtin automjet me viktimën.

“Është cenuar siguria kombëtare. Aeroporti është objekt i rëndësisë së veçantë dhe ka praktika ndërkombëtare që në një perimetër prej 300 metrash përqark siguria është mjaft e lartë”, thotë Sota, ndërsa thekson se mënyra e krimit dhe më pas largimi, minimalisht tregojnë paaftësi reaguese nga strukturat e sigurisë.

“Krimi është kryer në mes të ditës, me fluks të lartë lëvizjesh dhe mbi të gjitha pranë stacionimeve policore”, thotë Softa.

Shifrat

Policia e Shtetit tha për Faktoje.al se në nëntë muaj janë shënuar 29 vrasje. Por për muajin tetor dhe deri ditën e djeshme numri i tyre ka shkuar 35.

“Shqipëria është e vend i sigurt, ky është përshkrimi që i ka bërë vendit tonë udhërrëfyesi Lonly Planet. Në faqet e mediave më të njohura ndërkombëtare, në çdo përditësim zyrtar përsëritet e njëjta fjali, Shqipëria është vend i sigurt. Mjafton t’i referohemi fakteve dhe shifrave”, tha dje në Komisionin Parlamentar të Sigurisë ministrja Albana Koçiu.

Kjo deklaratë erdhi vetëm një orë para se në Rinas të ndodhte krimi i rëndë me një të vrarë dhe një të plagosur, ky i fundit pjesë e strukturave policore. “Krimet e rënda, atentate të mirë-organizuara që ndodhi në ambiente të hapura me prani të shumtë qytetarësh, sjellin pasoja të rënda”, thotë Softa, ndërsa shton se përdorimi i lëndëve eksplozive, armëve të gjata (kallshnikovëve) me rrezik të lartë dëmtimesh tregon agresivitet, por edhe siguri nga ekzekutorët.

“Kemi të paktën tre vite që format e atentateve kanë ngjashmëri. Godasin me shpejtësi, largohen nga vendi i ngjarjes dhe djegin automjetet bashkë me armët për të zhdukur çdo gjurmë”, thotë Softa. Sipas tij, autorët e këtyre krimeve shfaqin agresivitet dhe pavarësisht se klasifikohen si akte terroriste sërish qytetarët e pafajshëm shpesh mbesin viktimë.

Pamundësi apo të “lidhur”?

Ngjarja e Rinasit rishfaqi edhe një herë dyshimet që eksponentë të botës së krimit krijojnë lidhje me strukturat policore. Prania në automjetin e viktimës Dani e efektivit të policisë ishte një tjetër rast që ngre pikëpyetje të shumta për këtë fenomen. “Autorët e krimeve të rënda, kryesisht në përplasjen mes grupeve kriminale shpesh sigurojnë mbështetjen e policisë, por ka edhe raste që strukturat e rendit gjenden edhe të papërgatitura për të reaguar”, thotë Softa.

Vetëm në Shkodër përgjatë këtij viti janë shënuar nëntë të vrarë, tre prej të cilëve në zona të banuara dhe në prani të shumë qytetarëve.

Përfundimi

Deklarata e ish-ministrit Enkelejd Alibeaj për 20 vrasje me tritol dhe armë konsiderohet e pjesërisht e vërtetë duke iu referuar shifrave.

Sikurse pranohet edhe nga ekspertët e çështjeve të sigurisë, mënyra e krimeve me pasojë vrasjen e dy ose më shumë personave dhe plagosjen edhe të qytetarëve të pafajshëm tregon agresivitet dhe një lloj “përsosmërie” të krimit, pasi shumë ngjarje të rënda mbesin ende pa autor.