Paga minimale është dyfishuar por Shqipëria mbetet e fundit në rajon

Nga 1 janari paga minimale 500 euro

27

“Paga minimale është dyfishuar. Në hyrje të vitit që po troket do të jetë 500 euro, s’kemi pse të mos e pranojmë”, deklaroi Delina Ibrahimaj, ministre e Ekonomisë dhe Inovacionit, tetor 2025.

Deklarata u bë në një dalje publike, ku ministrja theksoi se rritja e pagës minimale është një prej arritjeve kryesore të qeverisë, duke e konsideruar si tregues të suksesit ekonomik të vendit. 

Ana tjetër e medaljes

Por të dhënat më të fundit të Eurostat (korrik 2025), tregojnë se paga minimale në Shqipëri është rreth 408 euro (45,540 lekë). Pavarësisht rritjeve graduale të dekadës së fundit, vendi mbetet i fundit në rajon dhe në Evropë, si në vlerë nominale, ashtu edhe në standardin e fuqisë blerëse. 

➡️ Burimi: Eurostat 

Mali i Zi mban vendin e parë me 670 euro, më tej vjen Serbia me 618 euro dhe Maqedonia e Veriut me 584 euro.

Po ashtu, sipas Eurostat, paga minimale në vendet e BE-së varion nga 551 € në muaj në Bullgari deri në 2 704 € në muaj në Luksemburg.

Edhe kur merret në konsideratë fuqia blerëse, Shqipëria renditet e fundit në Evropë. Çmimet e ushqimeve, energjisë dhe qirave janë ndër më të lartat në rajon, ndërsa të ardhurat minimale nuk mjaftojnë për të përballuar kostot bazë të jetesës.

Kjo tregon se “dyfishimi” i pagës minimale, ndonëse real në terma nominalë (nga 24 mijë lekë në 2015 në 45,540 lekë në 2025), nuk përkthehet në përmirësim real të standardit të jetesës.

Propagandë dhe premtim i përsëritur

Deklarata e ministres vjen disa muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, ku paga minimale u përdor si kartë elektorale.

Në nisje të fushatës, kryeministri Edi Rama kishte shpallur premtimin për rritjen e pagës minimale në 500 euro, që sipas tij do të miratohej në qershor të 2025 dhe do të hynte në fuqi nga janari 2026.

Në qershor do ta bëjmë pagën minimale 500 euro dhe do të hyjë në efekt nga janari i 2026-ës,”  deklaroi Rama në prill 2025, pak para zgjedhjeve, duke shtuar se kjo rritje nuk do të rëndonte mbi biznesin.

Por një verifikim i Faktoje tregoi se vendimi për rritjen e pagës minimale nuk u miratua në qershor sikurse u premtua. 

Kjo nuk ishte hera e parë që rritja e pagës minimale përdorej si mjet propagande. Edhe në zgjedhjet vendore të 2023, kryeministri premtoi se paga minimale do të shkonte në 450 euro, premtim që nuk u mbajt.

Përfundim

Është e vërtetë që paga minimale në Shqipëri është dyfishuar nominalisht në dekadën e fundit,  nga 24 mijë lekë në 2015 në mbi 45 mijë lekë në 2025. Por kjo rritje nuk ka ndryshuar renditjen e vendit, i cili vijon të mbetet i fundit në rajon dhe në Evropë, si për nivelin e pagës minimale, ashtu edhe për fuqinë blerëse.

Nisur nga këto të dhëna, deklaratën e ministres Delina Ibrahimaj, do ta kategorizojmë si gjysmë të vërtetë.