Ndërtimi i një narrative politike: Viktor Orbán dhe sovraniteti i Ukrainës

Teza e  mungesës së sovranitetit të Ukrainës është një narrativë e vjetër që përputhet plotësisht me linjën propagandistike të Kremlinit

79

Jona Cenameri

Pretendimi i kryeministrit hungarez Viktor Orbán se “Ukraina nuk është shtet sovran” u përhap gjerësisht në mediat shqiptare.

Ky pretendim u lidh drejtpërdrejt me akuzat e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky se dronë me origjinë hungareze kishin hyrë në territorin e Ukrainës.

Por teza e  mungesës së sovranitetit të Ukrainës është një narrativë e vjetër që përputhet plotësisht me linjën propagandistike të Kremlinit.

Çfarë ka ndodhur?

Në një intervistë që Viktor Orbán dha për podcastin proqeveritar hungarez Harcosok Órája (Ora e Luftëtarëve) kryeministri hungarez reagoi ndaj akuzave të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili pati pretenduar se “dronë me origjinë hungareze kishin hyrë në hapësirën ajrore të Ukrainës”. Menjëherë pas kësaj, Ministria Hungareze e Mbrojtjes i hodhi poshtë akuzat, duke deklaruar se pretendimi i presidentit Zelensky nuk ishte i vërtetë. 

Në këtë kontekst, Orbán pohoi në podcast se u beson ministrave të tij por edhe nëse dronët do të kishin hyrë disa metra në hapësirën ajrore të Ukrainës, kjo nuk do të përbënte problem, sepse, sipas tij, Ukraina nuk është vend i pavarur dhe nuk vepron si shtet sovran.

“Unë zakonisht u besoj ministrave të mi. Por le të supozojmë se (dronët) fluturuan disa metra atje… dhe pastaj çfarë? Ukraina nuk është vend i pavarur, nuk është shtet sovran. Ne e mbështesim Ukrainën, Perëndimi e mbështet, ne i sigurojmë armët. Ukraina nuk duhet të sillet sikur të ishte shtet sovran… Ukraina ka humbur 1/5 e territorit në luftë me Rusinë… Nëse (Perëndimi) vendos nesër në mëngjes të mos japë asnjë forint (monedha hungareze), Ukraina mbyllet…”, tha Viktor Orban gjatë intervistës.

Ky pretendim u ripërsërit më pas në media duke arritur edhe në Shqipëri.

Narrativa “Ukraina nuk është shtet sovran” 

Teza e mungesës së sovranitetit të Ukrainës përputhet plotësisht me propagandën e Kremlinit. Vetë Vladimir Putin e ka relativizuar identitetin e Ukrainës duke thënë se “Ukraina nuk ekziston” dhe duke pretenduar se “Ukraina nuk ka qenë kurrë shtet real”. 

Studiuesi i politikës ndërkombëtare Ledion Krisafi shpjegon për Faktoje se Orbán e përdor këtë tezë për të goditur Brukselin, të cilin e portretizon si “luftënxitës” ndaj Rusisë, si dhe për të krijuar përçarje brenda BE‑së që mbështet Ukrainën. 

“Kjo është pjesë e luftës ideologjike të Orbánit kundër BE‑së: nëse Ukraina fiton, ‘vlerat e degjeneruara’ të Brukselit, siç i quan kryeministri hungarez, do të përhapen; ndërsa një fitore e Rusisë do të ishte goditje për Brukselin”, shpjegon ai.

Orbán ka mbajtur qëndrime të ndryshme nga shumica e BE-së që prej fillimit të agresionit rus ndaj Ukrainës në vitin 2022. Ai ka kundërshtuar sanksionet ndaj Moskës, ka vonuar dhe penguar proceset e ndihmës financiare për Kievin dhe ka theksuar vazhdimisht se “rusët e kanë fituar luftën”.

Ledion Krisafi shpjegon se përfituesi kryesor nga përhapja e kësaj narrative është Kremlini, i cili përdor varësinë ushtarake dhe financiare të Ukrainës ndaj BE-së si “kartë” kundër Ukrainës dhe vetë perëndimit. 

“Kremlini përpiqet ta paraqesë luftën si përballje me gjithë Perëndimin dhe jo me Ukrainën, për të justifikuar agresionin dhe pushtimin e territoreve ukrainase, përballë popullsisë ruse. Në zonat e pushtuara, kjo narrativë përdoret për të bindur popullsinë lokale se Rusia nuk po lufton Ukrainën, por Perëndimin që e përdor atë si mjet”, përmbyll Krisafi.

Nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare, Ukraina është një shtet plotësisht sovran që prej vitit 1991, anëtare e OKB-së dhe subjekt i rezolutave të Asamblesë së Përgjithshme të OKB.-së që riafirmojnë integritetin e saj territorial.

Megjithatë, Orbán e përdor termin “jo-sovran” si mjet politik për të nënvizuar se Kievi nuk vepron më në mënyrë të pavarur, por sipas interesave të Perëndimit.

“Faktet në terren e ndihmojnë Rusinë në këtë narrative, shpjegon Ledion Krisafi, pasi Ukraina ka humbur sovranitetin mbi 20% të territorit dhe vështirë se mund të mbijetojë pa ndihmën ushtarake dhe financiare të Perëndimit, por në fund të fundit Ukraina është ajo që i merr vendimet përfundimtare në lidhje me luftën ndaj Rusisë”

Përfundimi 

Deklarata e kryeministrit hungarez Viktor Orbán se “Ukraina nuk është shtet sovran” nuk është një opinion i izoluar politik, por pjesë e një narrative të qëndrueshme që shërben për të justifikuar qasjen pro‑ruse të Hungarisë dhe për ta pozicionuar atë si zë kundërshtues brenda Bashkimit Europian.

Kjo retorikë, që përkon me linjën e Kremlinit, kërkon të legjitimojë agresionin rus dhe të dobësojë mbështetjen perëndimore për Kievin dhe legjitimitetin e tij në arenën ndërkombëtare.