Sebi Alla Për kryeprokurorin Olsian Çela, diskutimi për sugjerime dhe ndryshime në formë “arnime” të Kodit të Ri Penal është i kotë, kjo në bindjen e tij për shkak të mënyrës sesi është ndërtuar metodologjisë së ndjekur, shpejtësisë që u krye dhe mospasjes së thelbit të problematikës.
“Refuzoj sot të flas për çështje që lidhen me elementë të Kodit Penal se është e vështirë që në konsultim publik e institucional të kryesh një punë cilësore mbi dhënien e opinioneve. Teknika e përdorur për të shkruar kodin nuk është në lartësinë e duhur”, tha i prerë Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela, gjatë raportimit në mbledhje e përbashkët të Komisionit të Çështjeve Ligjore dhe Administratën Publike me Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale.
Koha pa kohë e Kodit
Në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe mjaft kritik për hartimin e Kodit të Ri Penal, Çela refuzoi të bëhej pjesë sipërfaqësore sipas tij e “konsultimit” dhe “sugjerimeve” të mundshme. “Në 9 shtator ka ardhur drafti për diskutim. Janë kryer disa tryeza konsultuese në disa rrethe. Më 10 tetor na ka ardhur një ftesë për të pasur dhe një fjalë përshëndetëse në një tryezë me drejtues institucionesh. Ju vërtet mendoni që për 1 muaj u nis e bitis kjo punë? Duhet të ndërtohet një grup ndër-institucional për t’i bërë një vlerësim atij drafti. Pa qenë ata që e kanë bërë atë draft. Kjo nuk bëhet me punë vullnetare. Kjo është përgjegjësi institucionale shumë e madhe për të thënë po ose jo. Ka nevojë për metodologji”, tha kreu i Prokurorisë së Përgjithshme.
Ai gjithashtu në mënyrë të drejtpërdrejtë rrëzoi çdo pretendim se ky kod është hedhur për diskutim publik dhe çdo grup interesi apo institucione të drejtësisë mund të japin mendim për rregullime, shtesa apo sugjerime.
“Nëse ne mendojmë se duke bërë konsultime publike, duke mbledhur prokurorët e gjyqtarët nga dy orë, ky është proces që justifikon në vetvete se ka pasur konsultim publik. Asnjë prokuror sot nuk ka pasur kohë që për 2 orë t’ju japë opinion për 900 nene. E keni proces formal, jo thelbësor. Mungon kritika thelbësore për draftin. Së dyti kalojmë nga një Kod, nga 400 nene në një draft me 900 e ca nene”, tha Çela.
Kod për “sytë” e BE-së
Në një qëndrim të mirëmenduar mbi Kodin e Ri Penal, kreu i Prokurorisë së Përgjithshme kritikoi jo vetëm metodologjinë, formën e hartimit, qëllimet dhe shtimin e neneve për veprat penale, por edhe qëllimin që u kërkua ky Kod me aq nxitim. Ai pati një përgjigje edhe mbi arsyen që flitet të përafrimit të Kodit Penal shqiptar me atë të vendeve të BE-së.
“O do të bëjmë një proces serioz që unë e mendoj të pamundur, ky është vullneti i qeverisë dhe ky është opinioni im deri në këtë pikë. Nëse e kemi me urgjencë për ta bërë është histori tjetër. Cili është Kodi më i mirë që ka Europa? E marrim e përkthejmë, pse do lodhemi ne. Përkthejmë Kodin Gjerman, meqë na duhet në kod si i BE-së këta e kanë gati”, tha jo pa ironi dhe i bindur në qëndrimet e tij kreu i Prokurorisë së Përgjithshme.
Kryeprokurori Çela në cilësinë e drejtuesit të prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm nuk është i vetmi zë kritik për këtë Kod, më parë edhe Dhoma e Avokatisë, delegacioni i BE-së apo kreu i SPAK shprehën shqetësimin për Kodin e ri Penal.