.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookKandidimi i Florjan Binajt nuk solli ndryshimin e kandidates së PS

Kandidimi i Florjan Binajt nuk solli ndryshimin e kandidates së PS

Pretendimi: Kryeministri Edi Rama ka bërë një lëvizje urgjente politike pas shpalljes së aktorit Florjan Binaj si kandidat për Bashkinë e Tiranës.

Vlerësimi: E pavërtetë

Jona Cenameri

Kandidatura e aktorit Florjan Binaj për drejtimin e bashkisë së Tiranës ishte lajmi më i diskutuar i këtyre ditëve të para të tetorit. Duke përfituar nga ky interesim një postim që qarkullon ditët e fundit në Facebook pretendon se “kandidatura e Florjan Binajt tmerron Ramën” dhe se “del kandidati i ri për Tiranën”, duke lënë të kuptohet se kryeministri Edi Rama ka ndryshuar planin e tij politik në panik.

Verifikimi tregon se kjo histori është e pavërtetë. Kandidatura e Ogerta Manastirliut nga Partia Socialiste ishte shpallur dhe zyrtarizuar rreth një muaj përpara se Binaj të konfirmonte publikisht pjesëmarrjen e tij në garë.

Si nisi pretendimi

Më 7 tetor 2025, faqja “Preferenca” në Facebook publikoi një postim me titullin: “Kandidatura e Florjan Binajt tmerron Ramën, Kryeministri bën lëvizjen urgjente. Del kandidati i ri për Tiranën.”

Postimi ishte shoqëruar me një foto të Ramës dhe Binajt në një event të mëparshëm televiziv dhe me një link drejt faqes së web-it.

Në seksionin e komenteve, ka shumë përdorues që duket se e besojnë këtë ndryshim të beftë.

Çfarë thotë në të vërtetë lajmi?

lajmin e plotë që hapet nga linku, flitet për një mbledhje të Kryesisë së Partisë Socialiste, ku pritet të diskutohej mobilizimi i strukturave për fushatën e Ogerta Manastirliut si kandidate për bashkinë e Tiranës.


Artikulli përmend gjithashtu shkarkimin e Erion Veliajt, dekretin e Presidentit Begaj për hapjen e garës dhe angazhimin e PS-së për fushatën elektorale në kryeqytet.
Në asnjë pjesë të tekstit nuk thuhet se Rama ka bërë ndonjë lëvizje “urgjente” për shkak të kandidaturës së Binajt. Ky element ekziston vetëm në titull, i përdorur për të rritur klikimet.

Çfarë tregojnë faktet dhe kronologjia

Nga verifikimi i burimeve zyrtare dhe mediave të mëdha rezulton se:

Ogerta Manastirliu është shpallur zyrtarisht kandidate e Partisë Socialiste për Bashkinë e Tiranës më 11 shtator 2025, gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të PS-së.

Florjan Binaj, nga ana tjetër, konfirmoi publikisht kandidimin e tij si i pavarur me mbështetje nga disa grupe opozitare gati një muaj më pas, më 4 tetor 2025.

Asnjë vendim i ri politik apo ndryshim kandidati nga PS nuk është bërë pas shpalljes së kandidaturës së Binajt. Në të gjitha komunikatat e Partisë Socialiste, Manastirliu është përmendur si kandidatja zyrtare dhe e vetme për garën e Tiranës. Kryeministri Edi Rama nuk ka dalë me asnjë deklaratë publike për kandidaturën e Florjan Binajt.

Pse ky titull është mashtrues

Kjo është një formë tipike clickbait-i politik, ku përdoret një fjalë bombastike (“tmerron”, “urgjent”, “del kandidati i ri”) për të krijuar përshtypjen e një krize apo paniku në radhët e pushtetit.


Në realitet, përmbajtja e artikullit qëndron shumë larg titullit: flet për mbledhje organizative të PS-së dhe përgatitje për fushatë, pa asnjë provë për “lëvizje urgjente” apo “frikë” nga kandidatura e Florjan Binajt.

Ky manipulim narrativ është i qëllimshëm, i përdor shpesh për të ndërtuar emocione politike dhe për të gjeneruar klikime.

Përfundimi

Pretendimi se “kandidatura e Florjan Binajt tmerron Ramën” dhe se “del kandidati i ri për Tiranën” është i pavërtetë.
Partia Socialiste e kishte shpallur Ogerta Manastirliun si kandidate për Bashkinë e Tiranës para se Binaj të shpallte kandidimin e tij, dhe nuk ka pasur asnjë ndryshim kandidati apo reagim të “urgjencës” nga ana e Ramës.

Ky është një shembull i qartë dezinformimi përmes titujve bombastikë, që synojnë të krijojnë ide të rreme për lëvizje politike dhe tensione që nuk ekzistojnë në realitet.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img