.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookTitull abuziv për ndryshime të papritura në qeveri

Titull abuziv për ndryshime të papritura në qeveri

Pretendimi: Përbërja e qeverisë shqiptare ndryshoi me shkarkime ministrash nga kryeministri Edi Rama.

Vlerësimi: E pavërtetë

Jona Cenameri

Më 8 tetor 2025, faqja “Preferenca” publikoi në Facebook një postim me titull alarmues: “E FUNDIT / Lajm i bujshëm! Ndryshon sërish qeveria, shkarkohen me urgjencë…”

Postimi, i shoqëruar me një foto të kryeministrit Edi Rama dhe një link drejt një blogu me domain “noxblog.xyz”, lë të kuptohej një riformatim i qeverisë ose shkarkime ministrash.

Në seksionin e komenteve, përdoruesit reaguan të habitur dhe e morën lajmin si të konfirmuar. Por verifikimi tregon se lajmi nuk ka të bëjë me ndryshime qeveritare, por me zëvendësimin e dy prefektëve, një procedurë rutinë administrative.

Çfarë përmbante në të vërtetë “lajmi”

Kur klikon në link, teksti flet për: Lirimin nga detyra të Arben Çukos, prefekt i Fierit, dhe Plator Nesturit, prefekt i Vlorës; Emërimin e Anduel Xhindit si prefekt i ri i Fierit dhe Evis Allushit si prefekte e re e Vlorës; Disa vendime të tjera rutinë të Këshillit të Ministrave, si ndryshime në rregulloret e sigurisë për gjyqtarët e SPAK, miratime në fushën e aviacionit civil dhe kulturës.

Askund nuk përmendet ndonjë ndryshim ministrash apo riformatim i kabinetit qeveritar.

Verifikimi

faqen zyrtare të Kryeministrisë gjenden vendimet e miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të datës 8 tetor 2025, që përfshijnë dokumentet zyrtare për lirimin dhe emërimin e dy prefektëve të qarkut të Fierit dhe Vlorës.

Asnjë prej vendimeve nuk përfshin ndryshime në përbërjen e Këshillit të Ministrave.

Pse titulli është mashtrues?

Termi “ndryshon qeveria” nënkupton zëvendësim ministrash ose riformatim kabineti, çka nuk ka ndodhur. Prefektët janë përfaqësues të qeverisë në qarqe, të cilët emërohen me vendim të Këshillit të Ministrave, por nuk janë anëtarë të kabinetit qeveritar. Prandaj, përdorimi i fjalëve “me urgjencë” dhe “ndryshon qeveria” është dezinformues dhe sensacionalist.

Blogu “noxblog.xyz” dhe faqja “Preferenca” nuk përmendin dokumente zyrtare dhe përdorin gjuhë alarmuese për të rritur klikimet, duke përhapur një perceptim të rremë publik për krizë qeveritare.

Lajmi i vërtetë

Në realitet, më 8 tetor 2025, Këshilli i Ministrave miratoi dy vendime administrative për zëvendësimin e prefektëve të Fierit dhe të Vlorës.

Arben Çuko dhe Plator Nesturi u liruan nga detyra.

Anduel Xhindi dhe Evis Allushi u emëruan në vend të tyre.

Këto janë ndryshime të zakonshme, që nuk ndikojnë në përbërjen e qeverisë dhe nuk përbëjnë “ndryshim kabineti”.

Përfundimi

Pretendimi se “ndryshon sërish qeveria” është i pavërtetë. Qeveria nuk ka ndryshuar; janë zëvendësuar vetëm dy prefektë. Ky është një shembull i qartë i clickbait-it politik, ku titujt sensacionalistë përdoren për të keqinformuar publikun dhe për të gjeneruar klikime nga faqe jozyrtare.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img