Sebi Alla Kreu i shtetit Bajram Begaj e konsideroi të “respektueshëm” vendimin e Gjykatës Kushtetuese që i rrëzoi sipas tij vetëm 1/6 e dekretit.
Në një reagim për “A2CNN” Presidenti u pyet nëse kishte shkelur Kushtetutën dhe ishte penduar për dekretin, pasi Gjykata Kushtetuese pezulloi zgjedhjet në Tiranë.
“Unë kam shkelur Kushtetutën?, shprehu habi kreu i shtetit, ndërsa shtoi se: “Nuk jam penduar aspak. Gjykata Kushtetuese, me vendimin e marrë për pezullimin e pjesshëm 1/6-tës së dekretit është shumë e respektuar nga ana jonë. Do të vazhdojmë me procesin deri sa çështja të diskutohet në tërësi”
Reagimi
Ky është qëndrimi i parë i kreut të shtetit pasi Gykata Kushtetuese i pezulloi dekretin që caktonte datën 9 nëntor për zgjedhjet në gjashtë bashki të vendit, përfshirë edhe Tiranën.
Më herët Veliaj dhe grupi i tij mbrojtës ligjorë ankimuan në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Keshillit të Ministrave që vendosi shkarkimin e tij nga detyra, me propozim të Këshillit Bashkiak të Tiranës, por kreu i shtetit i dekretoi zgjedhjet.
Kushtetuesja
Mes shumë diskutimesh dhe reagimesh nga konstitucionalistë se kreu i shtetit nuk duhej të dekretonte zgjedhjet në Tiranë erdhi edhe qëndrimi i prerë i vetë gjykatës.
“Gjykata Kushtetuese vendosi njëzëri të kalojë çështjen me kërkues Erion Veliaj në seancë plenare publike në datë 31 tetor 2025 dhe të pezullojë dekretin e Presidentit për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve në Bashkinë Tiranë”, thuhet në vendim, ndërsa çështja në themel e ankimit të Veliajt pritet të diskutohet në fundin e këtij muaji.
KQZ ndalon përgatitjet
Po sot KQZ vendosi që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Në datën 9 nëntor është e sigurt që do të zhvillohen zgjedhjet për 5 bashkitë e tjera Vlorë, Berat, Tepelenë, Cërrik dhe Mat, ndërsa Tirana përjashtohet nga ky proces.
“Në momentin që Gjykata Kushtetuese ka pezulluar efektet për atë pjesë të dekretit të Presidentit është sikur ai dekret të mos ekzistojë në një lloj mënyre për atë pjesë për të cilën ka urdhëruar gjykata. Dhe do të ishim në shkelje të Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor nëse KQZ do të vazhdonte me procesin përgatitor të zgjedhjeve për bashkinë e Tiranës”, tha kreu i Komisionit Qendror Zgjedhor, Ilirian Celibashi.
Ai shtoi se KQZ nuk mund të kryejë asnjë veprim që lidhet me përgatitjen e procesit zgjedhor në bashkinë e Tiranës.