Home Pertej Verifikimi i lajmeve në Facebook Djegia e qëllimshme e pyllit nuk justifikon ngrohjen globale

Djegia e qëllimshme e pyllit nuk justifikon ngrohjen globale

0
Djegia e qëllimshme e pyllit nuk justifikon ngrohjen globale

Pretendimi: Kjo video provon se pyjet digjen prej vitesh qëllimisht nën justifikimin e “ngrohjes globale”

Vlerësimi: E pavërtetë

_____________________________________________________________________

Një video,  e cila tregon një helikopter që i vë zjarrin një zone të dendur pyjore, po ndahet së fundmi në Facebook si provë e djegies së qëllimshme të pyjeve nga autoritetet. Teksti që shoqëron postimin thotë: “Ka mbi dhjetë vjet që djegin pyjet dhe na thonë është ngrohje globale.”

Për të verifikuar vërtetësinë e këtij pretendimi analizuam më tej sekuencat e ndryshme të videos. Në pamje shihet një helikopter me një pajisje të varur poshtë tij, nga e cila hidhen toptha zjarri mbi pyll. Pajisja njihet si helitorch, një instrument që përdoret në operacionet e quajtura planned ignition ose djegie të kontrolluara. Ndryshe nga zjarret aksidentale, flakët në video ndjekin një brez të qartë, tipar tipik i djegieve të menaxhuara nga zjarrfikësit.  

Përmes një kërkimi të thjeshtë me Google Lens, videoja rezultoi të ishte publikuar më parë nga burime të huaja dhe të lidhej me zjarret masive në Northwest Territories, Kanada. AFP Fact Check ka konfirmuar se pamjet nuk tregojnë zjarrvënie të qëllimshme nga autoritetet, por një operacion zjarrfikës. Kjo teknikë përdoret për të pastruar shkurret dhe barin e tharë që do ta ushqenin zjarrin, në mënyrë që kur flakët të arrijnë në atë zonë, të mos kenë më me çfarë të përhapen.

Raportime të tjera nga media të besueshme, si Global News dhe BBC, theksojnë se gjatë verës së vitit 2023, zjarret në këtë territor kanë qenë më të mëdhatë të regjistruara ndonjëherë, duke tejkaluar mesataren 25-vjeçare. Parks Canada, agjencia federale që menaxhon parqet kombëtare dhe zonat e mbrojtura, ka sqaruar se djegiet e kontrolluara janë një nga mjetet kryesore për të mbrojtur komunitetet nga flakët dhe për të krijuar zona mbrojtëse përpara se të afrohet një zjarr i madh.

Pamje dhe analiza të publikuara nga platforma si Earth.com dhe Wildfire Today tregojnë përmasat e mëdha të zjarreve në këtë rajon, të lidhura me kushte të jashtëzakonshme moti: temperatura të larta, periudha të gjata thatësire dhe lagështi e ulët. Sipas ekspertëve, këta faktorë klimatikë janë arsyeja se pse sezonet e zjarreve në veri të Kanadasë po bëhen çdo vit e më të rënda. Në këtë kontekst, përdorimi i djegieve të kontrolluara shihet si një mjet shpëtimtar për të ndaluar përhapjen e flakëve.

Pretendimi se pyjet po digjen qëllimisht nga autoritetet dhe kjo shitet si “ngrohje globale” është i pavërtetë. Videoja e shpërndarë dokumenton një djegie të kontrolluar, një praktikë standarde zjarrfikëse e konfirmuar nga autoritetet kanadeze dhe media ndërkombëtare. Qëllimi i saj është të mbrojë komunitetet dhe të ndalojë përhapjen e zjarreve të mëdha, jo t’i shkaktojë ato.

Previous article Kryeministri Rama përgënjeshtron veten për Parkun Eden
Next article E keqinterpretuar profecia hebraike për rrëzimin e Kullave Binjake
Jona Cenameri është gazetare, fact-checker. Ajo ka përfunduar studimet në degën Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës, ku u vlerësua me certifikatë ekselence për arritjet akademike. Punon në Faktoje.al, ku merret me verifikimin e deklaratave publike dhe me shkrime hulumtuese mbi çështje me interes publik. Përvoja e saj profesionale përfshin gazetari investigative, raportim të thelluar dhe ndërkufitar, si edhe monitorim e analizë mediatike, përmes bashkëpunimeve me ACQJ, BIRN Kosovo, IDMC, Thomson Media dhe Canal France International. Në vitin 2024 fitoi çmimin e parë në konkursin “Memoria dhe të Drejtat e Njeriut”, ndërsa në vitin 2025 ishte pjesë e ekipit fitues të konkursit rajonal të CFI-së “Balkan Voices 2”. Ajo është gjithashtu përfituese e bursës së KAS Media Programme South East Europe, e akorduar për studentë të talentuar të gazetarisë.