Home Pertej Verifikimi i lajmeve në Facebook Katërnjakët amerikanë marrin padashur urimet e shqiptarëve

Katërnjakët amerikanë marrin padashur urimet e shqiptarëve

0
Katërnjakët amerikanë marrin padashur urimet e shqiptarëve

Pretendimi: Kjo është foto e një çifti shqiptar me banim në Zvicër që lindën katërnjakë

Vlerësimi: E pavërtetë

_______________________________________________________________________________

Foto e një çifti prindërish me katër foshnje, e postuar ditët e fundit në një portal shqiptar, ka marrë dhjetra urime nga komentues të ndryshëm. Ky reagim është i kuptueshëm duke u bazuar në përshkrimin e fotos: “Zoti i ruajtë! Ky është çifti shqiptar në Zvicër, që lindën katërnjakët, ata sot festojnë ditëlindjen”.

Megjithë entuziasmin për një lajm pozitiv në këto kohëra me lindje të reduktuara, një verifikim përmes programit të verifikimit të fotove Google Lens, zbulon se kemi të bëjmë me një gëzim të nxituar. Foto është publikuar fillimisht në People.com, media që e raportoi historinë për herë të parë më 19 maj 2020. Kjo u ndoq më pas nga publikime të shumta në media të tjera ndërkombëtare, të cilat e trajtuan historinë për shkak të veçantësisë së saj. Pikërisht përmes këtyre artikujve u bë e mundur të zbulohet historia e vërtetë e çiftit në foto, e cila nuk ka asnjë lidhje me shqiptarët apo Zvicrën, por lidhet me një ngjarje nga SHBA. 

Bëhet fjalë për Jenny dhe Chris Marr, një çift nga Teksasi, SHBA, që në vitin 2020 u bënë prindër të katërnjakëve identikë, një rast tepër i rrallë, i llogaritur të ndodhë një herë në 10 deri në 15 milion shtatzëni. Fillimisht Jenny besonte se ishte shtatzënë me një fëmijë, por në javën e 11-të mjekët zbuluan se në fakt ajo priste katër. Lajmi i papritur ishte aq tronditës, sa burri i saj Chris humbi ndjenjat në sallën e ekzaminimit.

Manipulimi i lajmit duke e lidhur me një familje shqiptare ka për qëllim krijimin e ndjeshmërisë më të lartë tek lexuesit dhe kjo duket edhe të komentet që shoqërojnë postimin, ku nuk mungojnë urimet për familjen me shumë fëmijë. Ky është një rast tipik i keqpërdorimit të imazheve për të prodhuar lajme sensacionale që tërheqin vëmendje dhe klikime.

Lajmi i manipuluar rezulton se ka qarkulluar fillimisht edhe në vitin 2021 në disa faqe shqiptare, në rrjetet sociale dhe tani është ricikluar, duke u servirur sërish si një histori e re për të mashtruar ndjekësit. 

Shënim: Data 9 shtator 2025 faqja TE VDESESH SE QESHURIT e ka korrigjuar lajmin, pas verfikimit të të Faktoje. Lajmit të raportuar i është ndryshuar vlerësimi fillestar në Facebook.

Previous article Marshimi i tifozëve ndahet në rrjet si protestë kundër emigrantëve
Next article Berisha (nuk) tha se 21 janari ishte krim shtetëror
Jona Cenameri është gazetare, fact-checker. Ajo ka përfunduar studimet në degën Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës, ku u vlerësua me certifikatë ekselence për arritjet akademike. Punon në Faktoje.al, ku merret me verifikimin e deklaratave publike dhe me shkrime hulumtuese mbi çështje me interes publik. Përvoja e saj profesionale përfshin gazetari investigative, raportim të thelluar dhe ndërkufitar, si edhe monitorim e analizë mediatike, përmes bashkëpunimeve me ACQJ, BIRN Kosovo, IDMC, Thomson Media dhe Canal France International. Në vitin 2024 fitoi çmimin e parë në konkursin “Memoria dhe të Drejtat e Njeriut”, ndërsa në vitin 2025 ishte pjesë e ekipit fitues të konkursit rajonal të CFI-së “Balkan Voices 2”. Ajo është gjithashtu përfituese e bursës së KAS Media Programme South East Europe, e akorduar për studentë të talentuar të gazetarisë.