Qyteti bregdetar i Sarandës, një nga destinacionet më të njohura turistike në Shqipëri, që vitin e kaluar shënoi të paktën 800,000 pushues, përballet me shumë sfida infrastrukturore. Veçanërisht gjatë sezonit të verës, problem është mungesa e vendparkimeve për automjetet. Disa kryebashkiakë kanë dështuar të mbajnë premtimin për zgjidhjen e problemit 20 vjeçar. Nga verifikimi i Faktoje, rezuton se ende s’ka fonde të parashikuara për krijimin e parkimeve, një lajm i keq për turistët që planifikojnë të pushojnë në Sarandë.
Uesli Didani
“Do fokusojmë energjitë tona në zhvillimin urban , duke i dhënë njëherë e mirë zgjidhje problemit 20 vjeçar të parkimit publik”- deklaronte në një video fushate të postuar në rrjete sociale kandidati për kryebashkiak të Sarandës, Oltion Çaçi, para zgjedhjeve të 14 majit 2023.
Pak pasi fitoi mandatin si kandidatat i së majtës, Oltion Çaçi shpalli një aksion për lirimin e hapësirave publike në trotuare dhe rrugë.
Aksioni i kryer nga Policia Bashkiake në muajin korrik 2023 u mirëprit nga qytetarët e Sarandës, por nuk solli zgjidhje afatgjatë për problemin.
Situata sot në Sarandë
Pas një vëzhgimi në terren, rezulton se çështja e parkimeve në qytetin e Sarandës është shumë komplekse dhe ndikon jo vetëm tek pushuesit, por edhe në jetën e përditshme të banorëve.
Në qendrën e Sarandës, parkimet në trotuar po krijojnë pengesa të mëdha për këmbësorët, veçanërisht për prindërit me fëmijë, të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuara. Kjo gjendje jo vetëm që vështirëson lëvizjen e tyre, por u rrezikon sigurinë, sepse detyrohen të ecin në mes të rrugës, sa kohë trotuarët janë shndërruar në parkim automjtesh.
Kjo sjell bllokime të trafikut, sidomos gjatë sezonit turistik kur numri i banorëve dhe turistëve në qytet shumëfishohet.
Edhe pse rruga hyrëse në qytet ka tri korsi, njëra prej tyre është e bllokuar nga automjetet që parkohen në mënyrë të paligjshme.
Mungesa e hapësirave për parkim shtrihet edhe në rrugët “Gjergj Araniti” dhe “Rruga e Lëkurësit”, ku automjetet parkohen kunder rregullave, shkakton kaos dhe rrit rrezikun e aksidenteve. Kjo paligjshmëri tashmë e lejuar vështirëson qarkullimin normal dhe krijon një mjedis të pasigurt për të gjithë përdoruesit e rrugës.”
Gjatë sezonit veror, kur në Sarandë numërohen më shumë se 100,000 banorë dhe pushues në ditë, parkimi kthehet në një problem të madh dhe një burim frustrimi. Shoferët e mjeteve sorollaten nëpër rrugë për një vend parkimi, ndërsa këmbësorët, veçanërisht prindërit me fëmijë të vegjël, vështirë të arrijnë në destinacion pa u rrezikuar.
Shumë pushues përpiqen të gjejnë ndonjë vend parkimi në rrugë, Në disa raste, ata zgjedhin të përdorin ato pak parkingje private, të cilat kushtojnë. Shumë shoferë vendosin të parkojnë dyshe në rrugët anësore, deri në lirimin e ndonjë vendi për parkim. Kjo mund shkakton trafik të rënduar, vështirësi në qarkullimin e mjeteve dhe bllokim të rrugëve.
Në raste të dëshpëruara, disa shoferë parkojnë në vende ku parkimi është i ndaluar, si p.sh. trotuare. Disa pushues zgjedhin të përdorin parkingjet e bizneseve lokale, duke shpresuar se mund të lënë automjetin e tyre për disa orë pa u penalizuar.
Nisur nga kjo situate, ne pyetëm zyrtarisht Bashkinë se në çfarë faze është projekti për parkimin publik, sa është fondi për këtë projekt dhe afati i përfundimit.
Në përgjigjen e tij, bashkia Sarandë sqaron se parkimi mbetet një nga çështjet më akute për Bashkinë Sarandë dhe se parkimi publik synohet të rregullohet dhe të sistemohet/orientohet nëpërmjet disa prioriteteve:
- Investim në infrastrukturën ekzistuese rrugore me parkim përgjatë rrugëve duke bërë sistemimin e tyre me sinjalistikën e duhur, kushtet optimale teknike dhe sigurinë në qarkullim.
- Investim në struktura të veçuara ose të integruara me hapësira të dedikuara për parkim publik (Qendra e mirëseardhjes në hyrje të qytetit të Sarandës; Parkim i hapur i integruar në hyrje të Ksamilit).
- Ndërhyrje nëpërmjet sensibilizimit dhe politikëbërjes (rishikim i normativave për hapësira të detyrueshme të parkimit privat në ndërtimet e reja për zhvillim; fushata ndërgjegjësimi të banorëve për përdorimin e transportit publik dhe ecjen në këmbë për distanca të shkurtra urbane duke ofruar trotuare sa më të gjera dhe komode për ecjen).
- Hartim i Sustainable Urban Mobility Plan (SUMP) me mbështetjen e organizatave dhe ekspertëve ndërkombëtarë për lëvizshmërinë dhe transportin e qytetarëve.
Mirëpo nga një verifikim në faqen zyrytare të Bashkisë Sarandë nuk ka ndonjë informacion mbi fonde të parashikuara në buxhet për projekte me objekt krijimin e vendparkimeve.
Manjola, banore e Sarandës thotë se përballet prej vitesh me një problematikë të madhe në lidhje me parkimin e automjeteve. Me rritjen e numrit të turistëve dhe zhvillimin urban, çështja e parkimeve është sfidë, por këtë vit, situata duket edhe më shqetësuese.
Në qendrën e qytetit dhe disa rrugë kryesore të Sarandës po zbatohet një projekt i ri urbanistik, që edhe pse ka për qëllim përmirësimin e infrastrukturës dhe estetikës urbane, ka përkeqësuar situatën e parkimit të automjeteve. Projekti në fjalë përfshin zgjerimin e trotuareve, krijimin e shesheve të reja dhe gjelbërimin e hapësirave publike, por ka reduktuar ato pak hapsira ekzistuese për parkimet.
Ndërkohë që projekti synon të ofrojë një hapësirë më të këndshme për këmbësorët dhe të rrisë cilësinë e jetës urbane, mungesa e një plani të qartë për parkimet alternative ka krijuar kaos në qytet, ende pa ardhur piku i sezonit. Automjetet parkohen në rrugët anësore, shpeshherë duke bllokuar trafikun por edhe lëvizjen e këmbësorëve.
Banorët janë të detyruar të kalojnë më shumë kohë në kërkim të një vendparkimi, ndërsa turistët, të cilët janë një burim i rëndësishëm i të ardhurave për qytetin, përballen me vështirësi që shpeshherë i dekurajojnë ata të vizitojnë qytetin.
“Nuk mund të futesh as me makinë, as me këmbë. Nuk ka vend për të parkuar makinën dhe nëse gjen një cep të lirë, për 10 minuta do të gjobitesh dhe gjen gjobën te xhami i makinës, siç më ndodhi mua sot. Për një parkim të gabuar për 10 minuta mora një gjobë prej 20 mijë lekësh. Kush e di sa të tjerë janë në të njëjtën situatë. Duhen të merren masa për këtë problem.”– ankohet Leonardi.
“Duhet kryer një studim i mirëfilltë për këtë çështje nga studio të specializuara në këtë fushë sa më shpejt të jetë e mundur, pasi skema ekzistuese e qarkullimit dhe parkimit të mjeteve brenda qendrës urbane nuk i përgjigjet kërkesave të kohës. Lehtësimi i kryqëzimeve duhet bërë me një skemë të studiuar dhe të sinkronizuar për lëvizjen e mjeteve. Në çdo lagje duhet të ketë një rrugë hyrëse dhe, mundësisht, një rrugë tjetër dalëse nga lagjja. Aktualisht, në disa lagje, si nga rrapi deri tek “shtëpia e pritjes”, e njëjta rrugë shërben si hyrëse dhe dalëse.”– thotë Sotir Koçi, tjetër banor në Sarandë.
“Në vitin 2000, disa njerëz kanë marrë një vend parkimi nga bashkia. Sot, pas 24 vjetësh, ata e kanë bërë atë vend parkimi të përhershëm pa paguar tarifën vjetore. Ata kanë shënuar vendin e parkimit me vijë të verdhë ose me bidona qumështi, duke e bërë atë një vend parkimi të paligjshëm.”– thotë Spiro Thomai.
Premtimet në vite për parkingun publik në Sarandë
Në mesin e shtatorit 2016, Florjana Koka, në mbyllje të vitit të parë të mandatit të saj si kryetare e bashkisë, në një intervistë për Reporter.al përmendi sfidën e parkimeve si një ndër prioritetet e saj:
“Do të rendisja sfidën e parkimeve të munguara në Sarandë. Është një ngërç që vazhdon të krijojë vështirësi në qarkullim ende pa nisur mirë sezoni veror. Lehtësimit të situatës së rënduar me parkimet, i kemi ndihmuar duke vendosur për herë të parë këtë verë parkimet me pagesë në rrugët kryesore, duke shpresuar se kjo do të kufizojë nxjerrjen e automjeteve nga vendasit, që nuk e kanë të domosdoshme… Por gjithsesi, zgjidhja e duhur dhe kapitale është investimi për parkime vertikale apo të nëndheshëm.”
Mandati i zonjës Koka përfundoi në vitin 2019, por pa arritur të ndërtonte një parkim publik.
Më 29 prill 2022 gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak, kryetari i Bashkisë Sarandë, Adrian Gurma, njoftoi se ishte gati projekti për parkime me pagesë në disa rrugë kryesore dhe se ishin në fazën e studimit për një parking nëntokësor në qendër të Sarandës, por po kërkohej për financuesit e realizimit të projektit.
Megjithatë, deri në përfundimin e mandatit të tij në qershor 2023, asnjë nga këto projekte nuk u realizua dhe as nuk u prezantua.
Përfundim
Nisur nga verifikimi i kryer, vendosëm që premtimet në vite të disa kryebashkiakëve të Sarandës, për krijimin e parkimit publik, t’i kategorizojmë Të Pambajtura.