Gjatë fushatës elektorale të vitit 2023, Fisnik Qosja premtoi diçka që tingëllonte si një lehtësim i menjëhershëm për prindërit e rinj: “Do të ofrojmë bonuse mujore në vlerën 5 mijë lekë në muaj për çdo lindje të re në Bashkinë Kavajë në vitin e parë të jetës,” deklaroi ai më 23 shkurt, në një intervistë mediatike, duke shtuar se kjo do të realizohej brenda gjashtë muajve të parë të mandatit të tij.
Edhe më 10 mars 2023, ai e përsëriti premtimin: “Do japim bonuse mujore në vlerën 5 mijë lekë të reja në muaj për çdo lindje të re në Bashkinë Kavajë, në vitin e parë të jetës”
Dy vjet më vonë, Faktoje iu drejtua Bashkisë së Kavajës për të pyetur mbi zbatimin e këtij premtimi.
Përgjigja e Bashkisë më shumë ngriti pikëpyetje sesa dha informacion se çfarë po bëhet për mbajtjen e këtij premtimi: bonuset kanë qenë në të kaluarën, por tani nuk jepen më.
Kur u pyet për periudhën kohore dhe numrin e përfituesve, përgjigjja e Bashkisë ishte: “Numri i fëmijëve që kanë përfituar është rreth 3000. Periudha është nga 2014, por ligji ka dalë që në 2009. Për momentin nuk kemi informacion, pasi fondi vjen nga ministria”
Në këtë rast, Bashkia shmangu përgjegjësinë duke ia kaluar topin Ministrisë.
Ndërkohë, qeveria qendrore ka njoftuar se do të ndryshojë skemën e mbështetjes financiare për bebet, duke e tejkaluar çdo premtim lokal.
Sipas formulës së re, familjet do të marrin një kompensim financiar çdo muaj deri në moshën 5 vjeçare: 5 mijë lekë për fëmijën e parë, 7 mijë lekë për të dytin dhe 10 mijë lekë për të tretin. Një masë që, praktikisht, e lë pas premtimin e kryebashkiakut si një shënim në letër.
Nisur nga të gjitha informacionet e mbledhura, verifikimi në terren dhe qëndrimi i Bashkisë, premtimi i kryebashkiakut Fisnik Qosja për bonusin e bebes në Kavajë konsiderohet si i pambajtur.