Rruga që lidh fshatrat Limjan e Vrenjt të njësisë administrative Kastriot në Dibër është asfaltuar. Edhe pse ishte një premtim i kryebashkiakut Rahim Spahiu, investimi nuk është kryer nga Bashkia e Dibrës, por nga një kompania private. Banorë të zonës i thanë Faktoje se asfaltimi i saj ka krijuar lehtësira për fermerët.
Gjatë fushatës për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023, një prej premtimeve të kryebashkiakut socialist, Rahim Spahiu ishte edhe asfaltimi i rrugës në fshatrat Limjan e Vrenjt të njësisë administrative Kastriot.
“Në #Limjan e #Vrenjt të njësisë administrative Kastriot, e shumëkërkuar nga banorët, më vjen mirë që ndava me ta edhe lajmin se së shpejti do të nisë puna për sistemimin dhe asfaltimin e rrugës”-shkroi në Facebook, kryetari i Bashkisë së Dibrës, Rahim Spahiu.
Postimi i kryebashkiakut Spahiu në rrjetet sociale, 27 prill 2023
Nisur nga ky premtim i zotit Spahiu, Faktoje iu drejtua fillimisht me një kërkesë për informacion Bashkisë së Dibrës. Ne e pyetëm këtë institucion mbi ecurinë e punimeve, por edhe kostot e rrugës. Mirëpo, Bashkia Dibër tha për Faktoje se nuk disponojnë informacion për këtë rrugë, pasi është financim i Fondit Shqiptar të Zhvillimit.
“Sa u përket projekteve për asfaltimin e rrugëve të fshatrave Limjan dhe Vrenjt të Njësisë Administrative Kastriot, ato janë projekte me financim të Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe nuk disponojmë informacion”, njofton Bashkia.
Por dhe pas një kërkese për informacion dërguar FSHZH-së, përgjigja që erdhi ishte se ky projekt nuk ishte zbatuar nga ky institucion.
“Ju bëjmë me dije se Fondi Shqiptar i Zhvillimit nuk ka në zbatim ndonjë projekt në Bashkinë Dibër për shtrimin e rrugëve Limjan dhe Vrenjt në Njësinë Administrative Kastriot”, bëri të ditur FSHZH-ja.
Faktoje bëri një verifikim në terren më 29 gusht në këtë rrugë, ku konstatuam se kishin përfunduar punimet për asfaltimin e saj. Ndërsa “enigma” rreth financuesit të këtij investimi, u zgjidh nga tabela e punimeve e cila ishte ende në hyrje të rrugës. Investimi nuk i përket as Bashkisë, e as FSHZH-së, por rezulton të jetë kryer nga kompania private KNAUF, dhe siç e kërkon procedura, leja nuk mund të ishte dhënë veçse nga Bashkia Dibër.
Tabela e punimeve, 29 gusht 2024
Rruga është rreth 6 km dhe sipas banorëve të fshatit, punimet kanë përfunduar në muajin qershor të këtij viti.
“Është një rrugë shumë e rëndësishme, sepse lidh 3 fshatra, Limjan, Vrenjt dhe Volezë. Janë diku te 200 familje në të tre fshatrat”, na tregon Miftari, banor i fshatit Vrenjt.
Ndërsa për Arturin, i cili ka një pemëtore në anë të rrugës thotë se asfaltimi i saj i ka krijuar shumë lehtësi.
“Rruga është zhvillim për të gjithë njerëzit dhe këtë vit për fatin e mirë kjo u realizua dhe ne si fermerë kemi shumë avantazh, sepse vijmë më shpejt te parcelat, makina nuk dëmtohet dhe prodhimi nuk na dëmtohet, sepse shumë vite kishim pluhur dynjanë dhe merrnin rendiment pothuajse zero.
Kjo është një rrugë me standard, shumë e mirë dhe shpresojmë që si kjo rrugë të bëhen të gjitha rrugët rurale të Shqipërisë”, shprehet Arturi.
Nisur nga verifikimi i kryer në terren dhe informacioni i grumbulluar, premtimin për asfaltimin e rrugës në Limjan e Vrenjt të njësisë administrative Kastriot, do ta kategorizojmë të pambajtur nga kreu i bashkisë Dibër.