Qendra e verifikimit të fakteve, Faktoje prezantoi këtë të hënë, 3 shkurt, përpara përfaqësuesve të Bashkisë Shkodër, Këshillit Bashkiak, gazetarëve lokalë dhe shoqërisë civile, gjetjet e raportit mbi “Transparencën dhe mbajtjen e premtimeve”, pas monitorimit të kryer në harkun kohor të një viti mbi punën e kësaj bashkie. Ky monitorim vjen në zbatim të Projektit “40 premtime, 10 bashki”, e mbështetur për të tretin vit rradhazi nga organizata amerikane National Endowment for Democracy (NED).

Pjesë e monitorimit për vitin 2024 ishin 10 bashki; Shkodra, Lezha, Elbasani, Korça, Dibra, Durrësi, Vlora, Fieri, Kavaja dhe Saranda.

Monitorimi është bazuar në dy elementë kryesorë: nivelin e transparencës së pushtetit vendor, si dhe përmbushjen e premtimeve elektorale.

Nisur nga ky monitorim, niveli i transparencës për Bashkinë Shkodër arrin në 100%. Kjo përqindje është llogaritur përmes 16 indikatorëve të matjes së transparencës që rrjedh nga kuadri ligjor vendas.

Nënkryetari i Bashkisë Shkodër, Rudin Beka vlerësoi procesin e monitorimit sa i përket indikatorëve të transparencës.

Nënkryetari i Bashkisë Shkodër, Rudin Beka

“Rezultatet dhe organizimi i këtij aktiviteti tregojnë dhe njëherë më së miri dhe profesionalizmin dhe metodologjinë cilësore.”, u shpreh Beka. 

Sa i takon mbajtjes së premtimeve, Bashkia e Shkodrës ka përmbushur plotësisht dy prej tyre dhe dy të tjera janë të mbajtura pjesërisht.

“Jemi të kenaqur si bashki pasi kemi arritur pothuajse 100 % të indeksit mbi transparencën dhe ku bashkia është në funksionalitet të plotë mbi punët e përditshme në qytet.” përfundoi nënkryetari i bashkisë Shkodër, Rudin Beka.

2024 ishte viti i pestë që Faktoje monitoroi performancën e transparencës së 10 institucioneve të pushtetit vendor në Shqipëri në kuadër të projektit “40 premtime, 10 bashki”, mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED).

Për periudhën 2020-2024, qendra Faktoje ka verifikuar 135 premtime të bëra nga kryebashkiakët në 21 bashki të ndryshme. Analiza tregon se 76 premtime kanë mbetur të pambajtura, 34 janë përmbushur pjesërisht, dhe vetëm 25 janë realizuar plotësisht.

Bashkitë e Shkodrës dhe Lezhës kanë shënuar rezultatet më të mira në përmbushjen e premtimeve, duke rritur gjithashtu nivelin e transparencës dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve.

Ndërkohë, bashkitë e Durrësit, Elbasanit dhe Vlorës mbeten sfiduese në këtë aspekt.

Monitorimi i kryer nga gazetarët dhe aktivistët e shoqërisë civile ka për qëllim matjen e nivelit të transparencës në institucionet e pushtetit vendor në Shqipëri, nxitjen e ndarjes së informacionit me publikun dhe rritjen e llogaridhënies lidhur me proceset e vendimmarrjes dhe menaxhimin e punës së këtyre institucioneve.