Një video e manipuluar e guvernatorit të Bankës së Amerikës po përdoret për të tërhequr blerës të medalioneve të arta të Donald Trump edhe mes përdoruesve shqiptarë të Facebook. Faktoje verifikoi skemën që ka mashtruar edhe shumë ndjekës të ish-presidentit.
Postime të shpërndara në rrjetet sociale në vendin tonë pretendojnë se guvernatori i Bankës së Amerikës ka deklaruar në një intervistë televizive se do të pranojë këmbimin me 100 mijë dollarë të çdo medalioni të artë të presidencës së Donald Trump.
“Njoftim ekskluziv: Drejtori i Përgjithshëm i Bankës së Amerikës miratoi se duke filluar nga Janari do të pranojë distinktivët e artë të Trumpit në këmbim të parave në intervistën e tij të fundit në CNBC…”, shkruan një përdorues në rrjetet sociale.
Postimet e shpërndara në rrjetet sociale
Postimi shoqërohet edhe me një video, ku CEO i Bankës së Amerikës, z. Brian Moynihan, gjatë një interviste në televizioni CNBC, pohon se ka biseduar me ish-presidentin Trump dhe këmbimi i medaljoneve do të nisë që prej 1 janarit 2024.
Në këto pamje vihen re shumë elementë të çuditshëm, të cilët shtojnë dyshimet mbi vërtetësinë e saj. Faktoje vendosi të bëjë një verifikim të këtyre pretendimeve, filimisht duke analizuar disa detaje në video. Nëse do ta shohim me kujdes, pamjet janë manipuluar, pasi fytyra e drejtorit të Bankës në disa raste shfaqet e deformuar dhe herë pas here në video shihen edhe gishta të çuditshëm që nuk lidhen me pamjet.
Ndërkohë, zëri i CEO së bankës dallohet që është i mbivendosur duke teknologjinë deep fake të Inteligjencës Artificiale.
Gjatë kërkimit në internet, gjetëm edhe videon reale nga intevista e CEO së bankës për CNBC. Në intervistën reale, që është xhiruar në dhjetor të vitit 2023, ai pyetet nga gazetarja në lidhje me normat e larta të interesit, por edhe perspektivën ekonomike. Autorët e manipulimit të videos, duket se kanë përdorur pamjen duke mbivendosur zërin, duke u bërë burim dizinformimi.
Edhe në intervistën e zbardhur të CNBC nuk ka asgjë në lidhje me këmbimin e medalioneve të Donald Trump.
Nëse drejtori i Bankës do të kishte bërë një deklaratë të tillë, lajmi do të ishte shpërndarë në mediat e tjera ndërkombëtare, por nga kërkimi i bërë vihet re se nuk ka asnjë raportim në lidhje me këtë çështje.
Në disa artikuj të mediave të huaja është raportuar për mashtrime me shitjen e medalioneve të tilla tek ndjekësit republikanë të Trump, të cilat reklamohen online si mundësi për të financuar fushatën e ish-presidentit. Në shumë raste, persona të moshuar kanë rënë pre e mashtrimit për të këmbyer medalionet me vlerë 99 dollarë me shumë disa herë më të larta dhe janë paraqitur në degët e bankave të ndryshme.
“Nuk ka asnjë provë që Trump apo skuadra e tij janë të lidhur me mashtrimin e supozuar, por videot me audio të krijuar nga AI që imitojnë Trump (ose ndonjëherë miliarderin Elon Musk) promovojnë produktet”, raportojnë mediat e huaja.