Njësia Administrative Ishëm, një ndër zonat e goditura nga dëmet e tërmetit të 26 nënorit 2019, është ende në proces rindërtimi për 2 nga 4 shkollat që janë planifikuar. Gjatë një verifikimi në këtë zonë rezutoi se njëra nga shkolla është në pritje të tenderit, ndërsa për shkollën tjetër nuk është dhënë certifikata e pronësisë. Ndërkohë sa i përket qendrës shëndetësore, edhe pse një premtim i pushtetit vendor, godina është bërë me donacione të huaja.
Nga Albina Hoxhaj
Në 25 shkurt 2022, kandidatja për kryetare e bashkisë së Durrësit Emiriana Sako u premtoi banorëve investime në Njësinë Administrative Ishëm. Konkretisht Sako foli për infrastrukturë, ndërtimin e qendrave të reja shëndetësore, shkolla dhe kopshte të reja për banorët.
9 muaj pas këtij premtimi, kryebashkiakja e Durrësit në një postim të datës 25 tetor 2022 njoftoi ndërtimin e shkollës së mesme të bashkuar dhe kopshtit të ri.
Nisur nga këto premtime, ne kërkuam fillimisht informacion zyrtar se në çfarë faze janë këto projekte, kur kanë kaluar rreth 4 muaj nga premtimi. (Kërkesa për informacion u dërgua në datën 17/10/2022)
Në përgjigjen e saj dërguar në datë 9 nëntor 2022, Bashkia e Durrësit thotë se vijon faza e hartimit të projektit.
“Pasi janë bërë studimet e fizibilitetit është në fazën e hartimit të projektit përfundimtar, i cili do të kalojë të gjitha etapat e tjera deri në fillimin e punimeve.”
Shkolla Rexhep Mezini pas tërmetit të nëntorit 2019
Po sipas kësaj përgjigjeje, 224 nxënësit dhe 35 fëmijët e kopshtit, në mungesë të ndërtesës, udhëtojnë çdo ditë për në Lalëz, ku ndodhet shkolla “Vat Bushi”, e cila është rikonstruktuar përpara se nxënësit të transferohen aty.
Në foto shkolla “Vat Bushi”
Ne shkuam në shkollën “Vat Bushi” në fund të muajit shkurt dhe kërkuam të flisnim me drejtuesin e shkollës dhe nxënësit, në lidhje me procesin mësimor, por drejtori i shkollës Altin Dervishi nuk pranoi të flasë për Faktoje pa autorizim nga Zyra Arsimore. Ai urdhëroi edhe nxënësit të mos flisnin me ne.
Shkolla “Vat Bushi”, ku janë zhvendosur nxënësit e shkollës “Rexhep Mezini”
Pranë shkollës qëndronin të parkuar dy mikrobusë që shërbejnë për transportin e nxënësve nga Ishmi në Lalëz.
Dy mjetet e transportit të nxënësve për në shkollë
Nga biseda me banorët mësuam se nxënësve u duhen të paktën 20 minuta për të ardhur në shkollë me këto mjete.
Dy mjetet shërbejnë për transportin e rreth 200 nxënësve, të shpërndarë në fshatrat Likmetaj, Kërtushaj, Kapidanaj, Gjuricaj, Lalëz, Kuraten, Bizë, Draç dhe Shetaj.
Një zonjë e moshuar thotë: “I shoh kur zbresin, them me vete si kanë hipur të gjithë. I ruajtë Zoti”.
“Shumë e vështirë është, në mjete ka edhe gjimnazistë edhe nxënës të shkollës 9-vjeçare. Rrinë në këmbë, ulen në prehër të njëri tjetrit, por shumë e vështirë është lësh vajzat në këto kushte transporti me vetëm 2 mjete”- thotë Sandri, baba i 4 fëmijëve, të gjithë nxënës në shkollën “Vat Bushi”.
Gjatë këtij vëzhgimi mësuam se një pjesë e nxënësve ose janë larguar ose e kanë braktisur shkollën.
“Nga Likmetaj, një zonë aty pranë, nxënësit nuk shkojën fare në shkollë, ose shkojnë 1 herë në javë, pasi nuk kanë transport dhe nuk kanë se si të shkojnë pasi rruga është e prishur”.
Gëzimi është prindi i dy vajzave, një në kasë të dytë dhe një në klasën e shtatë. “Furgoni vjen t’i marrë në orën 7:20 në mëngjes. Në klasën e vajzës së madhe nxënësit janë larguar dhe aktualisht në klasë janë vetëm 3 nxënës”, thotë ai.
Shkolla “Pren Simoni”, në pritje të çertifikatës së pronësisë
Një tjetër shkollë 9 vjecare në zonën e Ishmit, e cila ishte rionstruktuar gati një vit para tërmetit, do të rindërtohet nga e para, sipas përgjigjes zyrtare të Bashkisë Durrës.
Screenshot nga përgjigjja e Bashkisë Durrës
Nga 4 shkollat e planifikuara, vetëm 2 janë të përfunduara, përkatësisht shkolla “Adem Gjeli” në Gjuricaj dhe “Xhelal Shtufi” në fshatin Shkafanë, në Njësinë administrative Ishëm.
“Shkolla 9 vjeçare “Adem Gjeli”, Gjuricaj
Ndërtim i ri nga Programi i Rindërtimit, përfunduar në dhjetor 2020, zbatuar nga FSHZH me fondet e Qeverisë Shqiptare. Vlera e shkollës është në shumën 57.492.500 lekë, përcaktuar sipas dosjes teknike sjellë nga FSHZH për këtë objekt. Kjo shkollë ka 69 nxënës dhe 39 fëmijë në kopësht.
Shkolla 9 vjeçare “Xhelal Shtufi”, Shkafanaj
Ndërtim i ri nga Programi i Rindërtimit zbatuar nga FSHZH me fondet e Qeverisë Shqiptare, ka përfunduar në dhjetor 2020. Vlera e shkollës është në shumën 73.207.500 lekë, sipas dosjes teknike sjellë nga FSHZH për këtë objekt. Kjo shkollë ka 169 nxënës dhe 54 fëmijë në kopësht)”-konfirmon bashkia e Durrësit.
Qendra të reja shëndetësore në Ishëm?
Duke qenë se në listën e premtimeve të kryebashkiakes përfshiheshin edhe qendra të reja shëndetësore, ne bëmë një verifikim në terren.
Nga ky verifikim rezulton se investimet e fundit për rikontruksionin e qendrës janë realizuar pas tërmetit nga Ambasada e Zvicrës.
Vetë Bashkia e Durrësit e pranon se nuk ka parasikuar investime për qendra shëndetësore në këtë njësi.
“Qendra shëndetësore Ishëm e cila ka hapur dyert në vitin 2022 ka në shëbim 4 mjekë familjeje dhe për ndërrimin e turneve kontribuojnë mjekë të qendrave përreth”, shprehet infermierja që ndodhet në qendrën shëndetësore. Ajo tregon se aktualisht mjeku në turn është në një familje ku po jep shërbimin e nevojshëm. Sipas saj ka raste që mjekët shkojnë në shtëpi tek pacientët.
Në foto qendra shëndetësore që ofron shërbim 24 orë në Ishëm
Personeli organizohet në mënyrë që gjatë 24 orëve në qendër gjithmonë të jetë një mjek për të dhënë ndihmën e nevojshme për pacientët. Në raste kur pacientët janë në gjendje më të rëndë ata dërgohen në Durrës.
Nga verifikimi i kryer rezulton se në Ishëm është realizuar rindërtimi i qendrës shëndetësore, projekt i financuar nga të huajt, ndërsa nga 4 shkollat e premtuara, janë rindërtuar 2 .