Trafiku i rënduar rrugës së Ksamilit, për shkak të fluksit të turistëve, detyroi autoritetet t’i kthenin sytë nga infrastruktura e zonës. Autoriteti Rrugor Shqiptar ka njoftuar zgjerimin e rrugës së Ksamilit, kosto e të cilës arrin 16 milionë euro, apo 4 milionë euro për kilometër. Projekti i zgjerimit nis në hyrje të fshatit Ksamil dhe përfundon në dalje duke krijuar By-Pass.
Esmeralda Topi
Trafiku i rënduar rrugës së Ksamilit në kulmin e sezonit veror vitin e shkuar nxorri në pah domosdoshmërinë e zgjerimit të rrugës.
‘(…) zgjerimi dhe rehabilitimi i akseve turistike si ky i Ksamilit, apo të gjitha rrugët ndërlidhëse në skajin jugor të vendit, pavarësisht se kanë qenë në planet tone, tashmë duhet t’i përshpjetojmë në kohë.’, premtoi asokohe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku.
Pesë muaj më vonë, projekti i zgjerimit të rrugës turistike të Ksamilit zuri vend në listën e projekteve që do të hapeshin këtë vit.
“Gjatë sezonit të kaluar veror ne vumë re që kishim një numër shumë të shtuar turistësh për shkak të bukurive që ofronte Ksamili. Atëherë lindi e nevojshmë që ky aks të kalonte me një zgjerim dhe të bëhët një by pass-im i tij(…), pa penguar gjithë ata turistë që duan të frekuentojnë Ksamilin.” , lajmëroi ish drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar Evis Berberi, gjatë prezantimit të projekteve infrastrukturore të këtij viti.
Verifikim
Projekti i zgjerimit të rrugës 4 kilometër për në Ksamil nis në hyrje të fshatit dhe përfundon në dalje duke krijuar By-Pass. Verifikimet e Faktoje tregojnë se kosto për zgjerimin e kësaj rruge llogaritet 16 milionë euro, thënë ndryshe 4 milionë euro për kilometër. Autoriteti Rrugor ka buxhetuar 4 milionët e para për këtë vit.
“Për këtë objekt në vitin 2024 janë parashikuar fonde në vlerën 400,000,000 lekë.”, i tha Faktoje, ARRSH.
Sipas Autoritetit Rrugor, zgjerimi i rrugës do të zgjasë dy vite, por ende nuk ka një datë për fillimin e punimeve në terren.
‘(…) duhet më pare të mbyllet procedua e përzgjedhjes se mbikëqyrësit te punimeve.’, sqaron ARRSH.
Autoriteti Rrugor vë në pah se aktualisht aksi 4 kilometra paraqet problematika të mëdha.
‘Rruga ekzistuese kalon në mes të fshatit turistik duke sjell një rëndim të trafikut më së shumti në kohën e sezonit turistik. Duke qene se është një rrugë në të cilën nuk është investuar së fundmi rruga ka pësuar dhe dëmtime të shtresave.’, vëren raporti teknik i projektit.
Rruga e Ksamilit është projektuar me parametrat teknike të Kategorise C (Interurbane Dytësore), me shpejtësi lëvizje 80 km/h.
Referuar projektit, 1,5 kilometrat e para të rrugës së Ksamilit do të jenë me tre korsi- një për secilin sens lëvizje dhe një korsi emergjence në anën e majtë. Po ashtu, planifkohet të ketë trotuarë me gjerësi 3 metra në të dyja anët e rrugës, përfshi dhe një korsi biçikletash me gjerësi 2 metra në anën e djathtë të rrugës.
Ndërsa, në pjesën e mbetur të rrugës janë projektuar 2 korsi levizje si dhe trotuar në të dyja anët. Përgjatë këtij segmenti rrugor janë parashikuar 3 rrethrrotullime dhe 1 urë.
Përfundim
Nisur nga verifikimet e kryera, premtimin e ministres Balluku për zgjerimin e rrugës së Ksamilit do ta kategorizojmë si të mbajtur.