“Fillimi i vitit tjetër na gjen në punë për këtë projekt të rëndësishëm për qytetin dhe gjithë rajonin,” kështu u shpreh në rrjete sociale kryetari i bashkisë Shkodër, Benet Beci, vjeshtën e kaluar.
Bëhet fjalë për një investim prej 10 milionë eurosh të qeverisë qendrore, që përfshin dublimin e Urës së Bahçallëkut dhe zgjerimin e rrugës nga kjo urë deri tek Harku i Bërdicës.

Autoritetet theksojnë se projekti është pjesë e rikonceptimit të plotë të hyrjes së Shkodrës, me synimin për të lehtësuar trafikun në hyrje-daljet e qytetit gjatë sezonit veror dhe për të siguruar lidhje më të shpejtë me Tiranën, Velipojën, Shirokën, Muriqanin dhe Ulqinin.
Në tetor 2024 Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) hapi garën për ndërtimin e urës dhe segmentit rrugor, ndërsa një muaj më vonë procedura u përmbyll, duke i hapur rrugë kontratës së punimeve.
Fitues doli bashkimi i operatorëve ekonomikë: “KUPA” sh.p.k., “AL ASFALT” sh.p.k. dhe “SIRETA 2F” sh.p.k.. Punimet nisën në dhjetor 2024 dhe sipas kontratës parashikohet të përmbyllen në mesin e vitit 2026.
Ecuria e punimeve
Që prej nisjes së tyre, kryebashkiaku Beci ka publikuar herë pas here ecurinë e projektit në rrjetet sociale, përfshirë edhe gjatë periudhës së fushatës elektorale për zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit.
“Ky investim i shumëpritur për qytetin, ashtu si edhe ndërhyrjet e tjera në infrastrukturë që po realizohen, do t’i japë Shkodrës një akses më të lehtësuar si për banorët, ashtu edhe për vizitorët e shumtë që presim,” shkruante ai në një prej postimeve të tij.
Megjithatë, për detaje më të plota rreth projektit, bashkia na delegoi tek Autoriteti Rrugor Shqiptar. Ky institucion sqaron se investimi përfshin: ndërtimin e një segmenti rrugor sipas kategorisë D-urbane, që lidh nyjen e qytetit me Tiranën dhe Velipojën, ndërtimin e urës së re të Bahçallëkut mbi lumin Drin, ndërtimin e një nyjeje në nivel për shpërndarjen e trafikut në mënyrë të sigurtë, mbikalime të këmbësorëve nëse gjykohet e nevojshme si dhe ndriçim urban për të rritur sigurinë rrugore.
Sipas ARRSH, aktualisht është realizuar 33% e punimeve, ndërsa afati i përfundimit është qershori 2026.
Më 12 shtator 2025, një ekip i Faktoje udhëtoi drejt Shkodrës për të parë nga afër ecurinë e projektit. Vërejtjet në terren treguan se puna po vijon në tre segmente paralelisht, ndërsa kishte nisur edhe ndërtimi i urës së re mbi lumin Drin.


Deri më tani janë përfunduar 4 nga 5 pilotat e planifikuara, të futura në thellësi 34 metra në shtratin e Drinit, ndërsa rruga nga Harku i Bërdicës parashikohet të përfundojë në fillim të vitit të ardhshëm.
Përfundim
Nisur nga verifikimi në terren dhe informacionet e mbledhura, premtimi i kryebashkiakut Benet Beci për investimin 10 milionë euro nga Harku i Bërdicës deri tek Ura e Bahçallëkut, deri më tani mbetet pjesërisht i mbajtur.
Faktoje.al, e mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED), po monitoron 10 bashki në vend, duke verifikuar mbajtjen ose jo të premtimeve të dhëna nga kryebashkiakët.