.

.

BallinaNë lupën e Fakteve1 qershori i qeses “së fundit” plastike! Premtimi që frymëzon drejtuesit e Ministrisë së Mjedisit

1 qershori i qeses “së fundit” plastike! Premtimi që frymëzon drejtuesit e Ministrisë së Mjedisit

Premtimi për zhdukjen e qeseve plastike ka nisur para 10 vitesh, në fakt që në vitin 2012. Krerët e Ministrisë se Mjedisit duke nisur nga Z. Fatmir Mediu në vitin 2012 e deri më sot tek znj. Mirela Kumbaro, janë zotuar se do të zhdukin qeset plastike nga qarkullimi duke parashikuar për herë të parë gjoba për bizneset dhe qytetarët.  Një premtim 10 vjeçar që ka nuk ka gjetur zbatim, pasi kërkon investime reale në infrastrukturë por edhe në ndërgjegjësim. Ekspertët e mjedisit kanë theksuar se   shteti shqiptar në këto vite ka dështuar në zbatimin e strategjisë së menaxhimit të mbetjeve e sidomos të hallkave të ndarjes në burim dhe riciklimit.

Ish ministri I mjedisit Zoti Klosi deklaroi se më 1 qershor të 2020 do të ndalet përdorimi I qeseve plastike. Edhe sot zonja Kumbaro deklaroi se më 1 Qershor të 2022 do të ndalet përdorimi I qeseve plastike.  Pse ligji I  menaxhimit të mbetjeve nuk gjen zbatim dhe a do të të mundet  zonja   Kumbaro  të mbajë  këtë zotim, që ka dështuar në 10 vite?

—-

Në datën 06/01/2022 Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro deklaroi se nga data 1 qershor i këtij viti, qeset plastike do të hiqen përfundimisht nga përdorimi dhe kjo do të nisë që nga prodhimi dhe tregtimi i tyre.

Shqipëria nga 1 qershori 2022 përmes amendimeve që kemi paraqitur në Kuvend synon të ndalojë përdorimin, prodhimin, tregtimin dhe importimin e qeseve mbajtëse plastike njëpërdorimëshe”.

Ky zotim për heqjen e qeseve plastike, ka nisur  në vitin 2012, ku  u aprovua një  VKM, mbi amballazhet. Konkretisht bëhet fjalë për VKM nr. 177 “Për amballazhet dhe mbetjet e tyre”. Sipas saj, nga 1 janar 2013 do të ndalohej përdorimi, importimi dhe prodhimi i qeseve të pabiodegradueshme dhe duhet të niste ndajra e mbetjeve në burim. Në treg do të përdoreshin vetëm qeset e biodegradueshme, të cilat do të kishin dhe një shenjë dalluese.

Në datën 08/02/2022 gjatë një dalje televizive Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro theksoi se qytetarët apo bizneset do të penalizohen me gjoba në rast se kapen duke përdorur qeset plastike.

Penalizohen të dy dhe shitësi, dhe konsumatori. Parashikohet ndëshkim me gjobë deri në 30 mijë lekë për konsumatorin dhe deri në 150 mije lekë për prodhuesit e importuesit. Në ligjin për menaxhimin e mbetjeve, thuhet se nuk lejohet përdorimi i qeseve plastike. Ka pasur ligj, por nuk ka vullnet. Duhet të rikthehemi te objektet e ripërdorshme” tha Kumbaro.

Në datën 20 shtator 2019, ish-ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Bledi Klosi prezantoi nismën më të re të Ministrisë të quajtur “Qesja e fundit”.

Ka ardhur koha që si disa vende të tjera që janë më të avancuar në këtë aspekt por si të gjitha vendet që po shkojnë me shpejtësi drejt këtij reduktimi edhe Shqipëria të shënojë në 1 qershor të vitit 2020 vendin e parë europian pa qese plastike.”– deklaroi ministri Klosi.

Në datën 3 qershor 2020 një verifikim nga Faktoje konstatoi dështimin e kësaj nisme dhe qytetarët vazhdonin të blinin produkte, të cilat u shërbeheshin me qese plastike.

Pavarësisht afatit të vendosur, ligji u dërgua me vonesë në Kuvend për t’u miratuar dhe data 1 tetor e vitit 2020 u vendos si afati i ri për të zbatimin e nismës, e cila sërish nuk u përmbush.

Në vitin 2012 u aprovua një  VKM, mbi amballazhet. Konkretisht bëhet fjalë për VKM nr. 177 “Për amballazhet dhe mbetjet e tyre”. Sipas saj, nga 1 janar 2013 do të ndalohej përdorimi, importimi dhe prodhimi i qeseve të pabiodegradueshme. Në treg do të përdoreshin vetëm qeset e biodegradueshme, të cilat do të kishin dhe një shenjë dalluese.

*Pjesë nga VKM e vitit 2013

 

Ndikimi i qeseve në mjedis

Në vendin tonë çdo ditë prodhohen 198 ton mbetje plastike.  Edhe sipas të dhënave të Planit Kombëtar për Menaxhimin e Mbetjeve 2010-2025 nga Komisioni Evropian dhe Qeveria shqiptare, në Shqipëri prodhohen 198 tonë në ditë mbetje plastike me densitet të ulët dhe 111 ton në ditë mbetje plastike me densitet të lartë.

Kjo problematikë theksohet edhe në raportin e vititi 2020 ku thuhet se pikërisht mbetjet plastike përbëjnë përqindjen më të madhe të mbetjeve të riciklueshme.

*Pjesë nga raporti

 

Nga një vëzhgim në terren që Faktoje bëri në lumin Seman dhe Osum në janar të këtij viti pamë se qeset plastike janë mëse të dukshme dhe të pashmangshme në dëmin që po shkaktojnë në mjedis.

*Pamje nga lumi Seman, 29 janar 2022 ©Faktoje.al

Brigjet e të dy lumenjve janë të mbuluar në gjatësi të konsiderueshme të tyre me qese plastike, të cilat janë bërë të dukshme edhe nga fryrja e lumenjve gjatë shirave të periudhës.

*Pamje nga lumi Osum, 29 janar 2022 ©Faktoje.al

 

Eksperti i mjedisit Olsi Nika tha për Faktojen se përdorimi i qeseve avantazhon depozitimin e tyre nëpër lumenj e mandej në det duke ndotur në mënyre difuze mjedisin. Nika, ka sqaruar se ky premtim nuk gjen zbatim pasi kërkohet që shteti shqiptar përveç masave shtrëguese duhet të marrë edhe masa përshtatese/adaptuese dhe ose masa incentivuese. Një pikë e rëndësishmë është rritja e ndërgjegjësimit të qytetareve për ndarjen e mbetjeve në burim si dhe një kontroll më të mirë të territorit nga strukturat shtetërore. Z. Nika ka theksuar se shteti shqiptar në këto vite ka dështuar në zbatimin e strategjisë së menaxhimit të mbetjeve e sidomos të hallkave të ndarjes në burim dhe riciklimit.

Ne konsultuam amendamentet e ligjit që lidhen me këtë nismë, nga ku rezulton se përveç detyrimit të ndalimit të prodhimit/tregtimit të këtij produkti, do te aplikohen gjoba për subjektet  qe prodhojnë qese plastike apo dhe individët që I  përdorin ato. Këto ndryshime ligjore kanë sjellë menjëherë edhe reagimin e  bizneseve qe merren me riciklimin e plastikës.

*Pjesë nga projekt-ligji për menaxhimin e mbetjeve

*Specifikimi mbi masën e gjobave brenda ligjit

Faktoje pyeti Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit përmes kërkesës për informacion.

*Kërkesa dërguar Ministrisë së Turizmit

Në përgjigjen zyrtare kjo ministri na informoi se ndërhyrja e qeverisë konsiston në përmbushjen e Hierarkisë së Mbetjeve, e vendosur nga Direktiva Kuadër për mbetjet 2008/98 KE dhe të paketës së Ekonomisë Qarkulluese të BE, si prioritet për parandalimin dhe administrimin e këtyre mbetjeve.

Shtyrjen e zbatimit të mëparshëm, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit e argumenton me fatkeqësitë natyrore, siç ishte tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe me pandeminë e Covid-19.

*Pjesë nga përgjigjja e Ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit

Por edhe pse Ministria e mjedisit deklaron se I ka kryer konsultimit me bizneset dhe grupet e tjera të interesit, përfaqësuesit e Biznesit  të Riciklimit deklarojnë se nuk janë pyetur dhe janë gjetur të papërgatitur për këto ndryshime. Ndërkaq zonja Kumbaro ka deklaruar se  në totalin e lëndës së parë që ata riciklojnë, qeset plastike zënë vetëm 5 % të asaj që ata riciklojnë. Qeset e plehrave nuk dalin nga përdorimi, as nga prodhimi. Qeset e trasha, çantat e trasha plastike, nuk ndalohen.

*Pjesë nga përgjigjja e Ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit

Faktoje bisedoi me Julian Yllin, Administratori i kompanisë Ju – Ar Plast Sh.P.K (Kompani Prodhimi & Shitje Qese Plastike të Biodegradueshme) i cili mohon të jetë njoftuar zyrtarisht për nismën e heqjes së qevese plastike apo të ketë pasur ndonjë thirrje për konsultim mbi këtë plan që ndikon drejtpërdrejtë tek aktiviteti i tij. Ylli sqaron se kjo nismë mund të sjellë falimentimin e rreth 28 fabrikave të qeseve plastike dhe 23 të tjerave që shërbejnë për riciklimin e qeseve plastike.

Makineritë tona prodhojnë vetëm qese plastike dhe nuk ke se çfarë masash të marrësh.  Kjo industri kushton 100 milion euro dhe nuk e di se si do ta përballojë qeveria këtë shifër. Nëse mbetjet menaxhohen siç duhet, nuk do të kemi asnjë fije qese në lumenj. Kjo është e sigurt.”- përfundon Julian Ylli.

Edhe Drejtoria e Tatimeve e pyetur nga Faktoje sesi do të ndikojë kjo nismë në këto biznese deklaroi se një nismë e tillë mund të ndikojë edhe në uljen e numrit të të punësuarve në këtë sektor.

*Pjesë nga përgjigjja e Drejtorisë së Tatimeve për Faktoje.al

 

Kompanite e riciklimit të mbetjeve në Shqipëri nuk përpunojnë të gjitha mbetjet plastike të vendit tonë, pasi nuk kryhet ndarja në burim dhe lënda e parë është gati e papërdorshme për ta. Një pjesë e madhe e lëndës së parë importohet nga jashtë,

Përfaqësues të Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, në datën 7 shkurt 2022 u shprehën kundër ndryshimeve të propozuara nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit pasi  sipas tyre, “ndryshimet parashikojnë ndalimin edhe të eksportit të qeseve, në një kohë kur kompanitë në vendin tonë kanë kontrata për eksport”.

Qeveria shqiptare për zbatimin e ligjit të “Menaxhimit të mbetjeve” vë në dispozicion të Ministrisë së Turizmit dhe të Mjedisit një fond prej 500 milion lekësh që u shpërndahet njësive të vetëqeverisjes vendore .

*Pjesë nga buxhetit i 2022 publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Financave

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img