Nga Fatbardha Nergjoni
Në përditësim
Proces i qetë dhe pa kontestime, vijon në të 10 KZAZ-të e qarkut Elbasan
Procesi i numërimit të votave në qarkun e Elbasanit vijon intensivisht dhe pa ndërprerje që prej mesnatës së kaluar, duke përfshirë të gjitha 10 KZAZ-të e këtij qarku zgjedhor, të shtrira në bashkitë Peqin, Belsh, Cërrik, Elbasan, Gramsh, Librazhd dhe Prrenjas.
Procesi ka nisur menjëherë pas përfundimit të votimit më 11 maj dhe është karakterizuar nga një organizim i mirë dhe mbikëqyrje e rreptë institucionale. Komisionerët kanë qenë të angazhuar gjatë gjithë natës dhe ditës së sotme për të garantuar një proces të vazhdueshëm dhe të besueshëm. Në KZAZ-në e Belshit dhe në KZAZ nr. 49 në qytetin e Elbasanit është raportuar lodhje nga ana e komisionerëve, të cilët kanë kërkuar pushim të përkohshëm, por kërkesa është kundërshtuar dhe janë zëvendësuar grupet e numërimit, për të mos vonuar ecurinë e procesit.
I gjithë operacioni është zhvilluar nën praninë e vëzhguesve të partive politike, kandidatëve të pavarur, drejtuesve lokalë të forcave politike dhe përfaqësuesve të OSBE-së, të cilët kanë vëzhguar nga afër të gjitha veprimet. Sipas burimeve në terren, nuk është shënuar asnjë incident apo kontestim serioz që do të ndikonte në integritetin e procesit.
Masat e sigurisë kanë qenë të shtuara, sidomos në qytetin e Elbasanit, ku në ambientet e Pallatit të Sportit “Tomorr Sinani” ndodhen tre KZAZ. Policia e Shtetit ka ushtruar kontrolle rigoroze ndaj të gjithë personave që kanë pasur akses në këto ambiente, duke verifikuar akreditimet, autorizimet dhe identitetin e tyre. Masa të ngjashme janë raportuar edhe në KZAZ-të e tjera të qarkut.
Deri më tani, procesi është përqendruar në numërimin e votave për subjektet politike. Pranë mbylljes së këtij faze, pritet me interes të madh nisja e numërimit të votave për kandidatët, pasi sistemi aktual zgjedhor i bazuar në listat e hapura ka gjeneruar konkurrencë të fortë brenda secilës forcë politike, duke e bërë çdo votë vendimtare për renditjen përfundimtare të deputetëve.
Krahasuar me zgjedhjet e mëparshme parlamentare, ku Elbasani ka qenë një nga qarqet me problematika gjatë numërimit dhe ka pasur ndërhyrje të përsëritura të Policisë për të qetësuar situatën, këtë herë procesi po vlerësohet si më i rregullt dhe më i qetë, çka përbën një përmirësim domethënës në standardin e administrimit zgjedhor.
Elbasani mbylli procesin e votimit sipas orës zyrtare pa incidente. Në KZAZ 48 në Bashkinë Elbasan që përfshin të gjithë qendrat e votimit në zonat rurale filloi vonë në mbrëmje dorëzimi i kutive që duket se do të jetë një proces i gjatë që do të zgjasë të paktën 4 orë duke qenë se pranimi për secilën kuti kërkon kohë. Janë 101 kuti votimi që do të vijojnë me procesin e dorëzimit për të filluar më pas numërimi.
Ecuria e votimit
Elbasani është përcaktuar një zonë e nxehtë dhe qysh në orët e para të mëngjesit të 11 Majit fotografimi i votës dhe marrja e kartave të identitetit u shfaq në disa qendra votimi.
Situata dukej e tensionuar në KZAZ 49 në bashkinë Elbasan që ka edhe numrin më të madh të votuesve pasi përfshin një pjesë të madhe të lagjes 5 Maj dhe 11 Nëntori në Elbasan.
Qendrat që kanë edhe numrin më të madh të votuesve janë ato të shkollës Qemal Haxhihasani, kopshti nr 10 dhe shkolla “Mahir Domi”. Pikërisht në këtë zonë u përqendrua edhe vëmendja për pjesëmarrjen në votime dhe ecurinë e standardeve zgjedhore. Një prej kutive të votimit ka pasur probleme me vulat, gjë që është riparuar në kohë nga KZAZ duke zëvendësuar vulat. Ndërkohë u vunë re lëvizje të personave të paautorizuar dhe përpjekje për fotografim vote. Komisioneri i PD, Ilmi Pojani, denoncoi se në një qendër votimi e vendosur në shkollën “Hamit Mullisi” ku voton kryesisht komuniteti rom një grua ka fotografuar votën.
Sipas tij, qytetarja e pranoi se kishte bërë fotografinë “pa dashje”, ndërkohë që Pojani e ka informuar policinë dhe ka kërkuar ndërhyrjen e saj. Efektivët e policisë janë duke verifikuar rastin në Elbasan dhe pritet të vendoset për masat që do të merren.
Ndërkohë probleme teknike me pajisjet ka pasur në qendrën e votimit të vendosur në kopshtin në lagjen “Vullnetari” ku pajisja PEI për dy orë nuk ka funksionuar në qendrën e votimit 23 78 dhe njerëzit janë detyruar të presin në radhë. Një tjetër problematikë që u vu re edhe në qendra të tjera votimi, ishte se qytetarët nuk gjenin emrin në qendrën e votimit ku kanë votuar tradicionalisht duke u detyruar të enden për të kërkuar qendrën.
Probleme teknike ka pasur edhe në Labinot Fushë.
Ndalimi
Ndërkohë, me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, u arrestua shtetasja M.C. nën akuzë për veprën penale ‘Shkelja e fshehtësisë së votimit’, parashikuar nga neni 327/1 i Kodit Penal. Sipas njoftimit të prokurorisë 11.05.2025, është marrë njoftim se në një qendër votimi në qytetin e Elbasanit, nga ana e Komisionit të Qëndrës së Votimit ishte konstatuar një shtetase e cila kishte fotografuar fletën e votimit.
Hotolishti

Në Hotolisht ku banorët shpërndanë edhe një peticion që do të bojkotonin votimin, kanë votuar deri në orën 11.00 229 votues në Qendër dhe 144 votues në fshatin Çerçan.

Rasti i futjes së një kandidati në një qendër votimi u regjistrua në Kërcyk të Treganit ku kandidati i PS Musa Coha shkeli perimetrin e sigurisë dhe u fut me një kartë vëzhguesi në qendër. Komisionerët reaguan dhe pas gati një ore situata u zgjidh dhe votimi u rikthye.
Spathar
Një shtetas gjithashtu është arrestuar në flagrancë në Librazhd, pasi dyshohet se ka shkelur fshehtësinë e votimit duke fotografuar fletën e votimit brenda qendrës së votimit.

Strukturat e Posaçme për Hetimin e Krimeve Zgjedhore, nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, kanë vënë në pranga M. F., 43 vjeç, në qendrën e votimit nr. 2742, në fshatin Spathar. Sipas hetimeve paraprake, ai ka përdorur telefonin e tij për të fotografuar votën e hedhur, veprim që përbën vepër penale sipas Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.