Nga Sebi Alla Pjesëmarrja e zgjedhësve në votimet e 11 majit shënoi ulje në krahasim me vitin 2021. Sipas burimeve zyrtare të Komisionit Qendror Zgjedhor, mes orës 18.00-19.00 kur u mbyll procesi i votimit, pjesëmarrja e zgjedhësve në votime në rang kombëtar ishte 41.38 %. Ndërsa në zgjedhjet e 25 prillit 2021, pjesëmëmarrja në votime ishte në shifrën 46.33 për qind. Në të dhënat e publikuara nga KQZ mbi pjesëmarrësit në votime, nuk është përfshirë vota e diasporës.

Në daljen para medias pas mbylljes së procesit të votimit, kreu i KQZ-së Ilirian Celibashi u kërkoi drejtuesve politikë që të ruajnë qetësinë dhe shmangin deklaratat, para se të qartësohet rezultati zgjedhor. “Ajo çfarë të gjithë do të duhet të kemi në vëmendje është qetësia që duhet tu krijojnë partitë dhe udhëheqësit politike numëruesve dhe anëtarëve të komisionit. Është e këshillueshme që deklarimet për rezultatet që vijnë pas vlerësimit të fletëve të votimit paraprakisht nga përfaqësuesit politike janë pa asnjë vlerë dhe janë pa kontribute pozitive”, tha Celibashi.

Procesi
Gjatë procesit të votimit në vend, përgjithësisht situata kaloi qetë, pa u shënuar ngjarje të rënda, ndonëse akuza për shitblerje votash, përfshirje të drejtuesve lokalë të PS-së, apo intimidim të votuesve, pati përgjatë gjithë ditës. Këto pretendime erdhën thuajse në të gjitha qarqet nga përfaqësues të opozitës. Incidentet lidheshin kryesisht me konfrontime verbale mbi personat e pautorizuar që qëndronin pranë qendrave të votimit, pjestarë të dyshuar nëpunës të administratës me lista zgjedhësish në duar dhe fotografim i votës. Procesi i monitorua edhe nga përfaqësues të OSBE/ODIHR që vëzhguan disa nga qendrat e votimit, veçanërisht në zona të konsideruara si të nxehta në qarqet, Shkodër, Fier dhe Durrës. Në Durrës dhe Fier pa situatën nga afër dhe mori takim me prokurorë të SPAK dhe të rretheve, mbi problematikat në këto dy qarqe, Ambasadori i BE-së në vendin tonë, Silvio Gonzato.
PD
Kryetari i PD-së Sali Berisha doli në një konferencë të shkurtër shtypi që pasi akuzoi Ramën për përfshirjen e disa bandave në procesin zgjedhor, veçanërisht në Durrës, bëri thirrje për maturi. “Porosia ime e prerë për të gjithë komisionerët tanë në KZAZ, në komisionet e numërimit, të zbatohet ligji, ligji dhe vetëm ligji. Asnjë votë nuk mund dhe nuk duhet të numërohet në presion”-tha Berisha, ndërsa shtoi: “garantoj të gjitha bandat se qeveria e Aleancës për Shqipërinë Madhështore do t’i shpallë ato banda terroriste dhe do marrin ndëshkimet më maksimale”.
PS
Ndërsa nga PS pati një deklaratë të shkurtër nga zëdhësja e PS-së për procesin zgjedhor, Helena Kaçe, e cila duke iu referuar vendimit të KQZ-së për mosnxjerrjen e menjëhershme të rezultatit të votimit elektronik për Bashkinë Vorë dhe njësinë 10, i kërkoi përfaqësuesve të PS-së durim, pasi sipas saj verdikti ishte i qartë për fitoren e mazhorancës. “Të gjithë socialistët e përfshirë në proces në të gjithë Shqipërinë duhet të ruajnë qetësinë, t’u shmangen provokimeve dhe të nxjerrin me durim fitoren nga kutitë ku populli sovran ka kyçur vendimin e tij historik” tha ajo.