Vrasja e një 14-vjeçari pranë shkollës “Fan Noli” në Tiranë ka ngritur shqetësime serioze mbi sigurinë në institucionet arsimore. Qeveria prezantoi Paketën e Sigurisë në Shkolla një vit më parë, por zbatueshmëria e masave sot vihen në pikëpyetje. Ekspertët ngrenë si shqetësim modelet që u ofrohen të rinjve, teksa ndajnë shqetësimin mbi rolin e oficerëve të sigurisë në shkolla.
Në shtator të vitit 2023, Taulant Balla, asokohe ministër i Brendshëm prezantoi Paketën e Sigurisë në Shkolla. I shoqëruar nga ministrja e Arsimit në atë kohë, Evis Kushi, Balla foli ashpërsimin e masave rreth perimetrit të sigurisë në shkolla.
“Brenda këtij muaji, do të propozojmë një paketë ndryshimesh ligjore për ashpërsimin e dënimit për veprat penale që kryhen brenda Perimetrit të Sigurisë së shkollave, duke filluar në radhë të parë nga shitja dhe shpërndarja e lëndëve narkotike, e më tej mbajtja pa leje e armëve të zjarrit dhe armëve të ftohta, si dhe çdo vepër dhune, shfrytëzimi, prostitucioni apo pornografie”, deklaroi më 1 shtator 2023 Taulant Balla.
Më tej ai bëri të ditur se: “Strukturat vendore të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Bashkitë, do të identifikojnë dhe përcaktojnë Perimetrin e sigurisë së çdo shkolle, sipas vlerësimit të situatës në terren, por në çdo rast jo më pak se 50 metër rreth gardhit kufizues të secilës shkollë”.
Çfarë përfshin Paketa e Sigurisë në Shkolla?
Një vit më parë, Ministria e Brendshme na vuri në dispozicion disa pika kryesore se çfarë përfshinte Paketa e Sigurisë në Shkolla. Siguria publike është një prej pikave të kësaj pakete. Konkretisht thuhej: “Objektivi kryesor është parandalimi i kriminalitetit dhe i përdorimit të substancave narkotike në radhët e të rinjve, si dhe goditja pa kompromis e rrjetit të shpërndarjes së drogës në Perimetrin e Sigurisë në shkolla e në rang vendi”.
Gjithashtu në këtë Paketë përcaktohej qartë është roli i oficerëve të sigurisë në shkolla, të cilët do të shërbenin si ndërlidhës mes institucionit arsimor dhe Policisë së Shtetit.
“Oficerët e Sigurisë në shkolla me një rol shumë të rëndësishëm në zbatimin e paketës së sigurisë në shkolla, në rolin e ndërlidhësit ndërmjet shkollës dhe Policisë së Shtetit. Ata raportojnë e menaxhojnë në kohë dhe me përgjegjësi të gjitha situatat që mund të rrezikojnë apo cënojnë sigurinë publike”, përcaktohet në Paketën e Sigurisë.
Disa pika të tjera të kësaj paketa janë: “Siguria rrugore, siguria ushqimore, siguria urbane, task forca, higjena dhe duhani në shkolla”.
Sa u zbatua Paketa e Sigurisë në shkolla
Më 18 nëntor, pranë shkollës “Fan Noli” në kryeqytet u vra me thikë një 14-vjeçar nga një bashkëmoshatar.
Adoleshenti, tashmë i arrestuar nga policia, është konfliktuar me dy bashkëmoshatatët e tij dhe gjatë konfliktit i ka goditur ata me mjet prerës. Gjatë konfliktit janë dëmtuar të 3 të miturit.
“Si pasojë e plagëve të marra njëri nga 14-vjeçarët ka ndërruar jetë në spital, ndërsa tjetri, së bashku me autorin e dyshuar ndodhen jashtë rrezikut për jetën”, njoftoi Policia e Shtetit.
Pas ngjarjes tragjike, reagoi edhe Ministria e Arsimit dhe Sportit. Nëpërmjet një njoftimi zyrtar, MAS kërkoi reagimin e të gjitha palëve për të parandaluar ngjarje të tilla në të ardhmenn.
“Ministria e Arsimit dhe Sportit ka marrë në vazhdimësi dhe është duke zbatuar masa konkrete për të garantuar që procesi i mësimdhënies në të gjitha shkollat e Shqipërisë, të kryhet në mënyrë sa më të sigurt, të rregullt e me standarte”, thuhet në njoftimin e MAS.
Eksperti i arsimit, Ndriçim Mehmeti thekson se personat përgjegjës për sigurinë nuk e kanë adresuar rastin.
“Çfarë po ndodh dhe si ka mundësi që askush nuk e di. Një sherr që ka një javë, si nuk e dinë as mësuesit, as prindërit, as shërbimi psikologjik. Ne i kemi këto në ambientet e shkollës. Drejtorë, shërbim psikologjik, mësues kujdestarë, koordinatorë të cilësisë, koordinatorë të karrierës. Në vend që këta fëmijë të shprehnin aftësitë e tyre ata shkojnë të armatosur në shkollë dhe askush nuk e di”, ngre shqetësimin Mehmeti.
Më tej ai thekson se për fat të keq shkollat sot nuk garantojnë siguri.
“Paketa e sigurisë, e trumbetuar, reklamuar dhe nxjerrë në media si një sukses dhe mënyrë parandalimi i konflikteve të adoleshentëve, ka dështuar me suksesin më të plotë. MAS dhe Ministria e Brendshme prezantuan në Komisionin e Edukimit dhe më gjerë kërkesën për të rritur numrin e oficerëve të sigurisë dhe sot ja ku jemi. Shkollat nuk japin siguri brenda dhe jashtë saj, sa kohë nxënësit shkojnë të armatosur dhe gati të zgjidhin konflikte përmes armëve dhe jo përmes arsyes”, argumenton Mehmeti.
Më 30 tetor të këtij viti, një 18-vjeçar u godit me thikë nga një 17 vjeçar brenda oborrit të gjimnazit “Shote Galica” në Fushë-Krujë.
Në mesin e muajit maj 2023, një sherr i nisur në rrjetet sociale mes adoleshentëve në Gramsh përfundoi tragjikisht me vdekjen e një 16 vjeçari, nxënës i shkollës “Asllan Shahini”.
Gabimet që po bëjmë me adoleshentët
Psikologia Arjana Muçaj thotë për Faktoje.al se adoleshentëve në ditët e sotme po u jepen si shembuj suksesi modelet e gabuara.
“Sot modelet sjellore si në familje dhe jashtë saj nuk janë të duhurat. Ndikimi i shoqërisë ku vlerat janë zëvendësuar me antivlera tek adoleshentët marrin përparësi dhe ndiqen verbërisht nga adoleshentët, duke filluar nga rrjetet sociale, media vizive.
Sot është e vështirë të komunikosh me një adoleshent, pasi nuk dinë normat minimale të komunikimit. Pasiguritë dhe frikërat e tyre zëvendësohen me frustrimin dhe agresivitetin për të zënë nje status brenda grupit ku bëjnë pjesë”, ngre shqetësimin psikologia.
Muçaj shton se për fat të keq, dhuna shihet si e vetmja formë ndëshkimi, duke bërë përgjegjës për këtë situatë prindërit.
“Gabimi më i madh është të kuptuarit të lirisë së shfrenuar pa kufij te adoleshentët. Që prindërit u kanë dhënë si formë të kuptuari që tashmë janë të rritur. Por nuk e kanë kuptuar që ata janë ende fëmijë. Janë në moshën më kritike të zhvillimit si fizik, por edhe hormonal, e cila ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin emocional të tyre.
Ne nuk kemi rregulla. Nuk kemi disiplinimin pozitiv që fëmijët e marrin që në hapat e parë. Ne nuk kemi ndëshkime alternative, pasi çdo gjë e lidhim me goditjen ndaj tyre si formë ndëshkimi”, argumenton psikologia Arjana Muçaj.
Paketa e Sigurisë në shkolla dhe përplasjet në Kuvend
Vrasja e 14-vjeçarit pranë shkollës “Fan Noli”, ka ngjallur debate gjatë seancës plenare të 19 nëntorit.
Deputetja demokrate Ina Zhupa deklaroi se nuk është zbatuar Paketa e Sigurisë në shkolla, duke theksuar se qeveria flet për skandalet vetëm pasi ndodhin ato.
“Ne jemi vrarë si shoqëri. Ne s’jemi më shoqëri nëse presim një vdekje që të flasim për çështjet. Ne jemi thjesht një grumbull njerëzish që jetojmë me njëri-tjetrin. Shikojeni shkollën ‘Fan Noli’, ishte e para e rankuar. Imagjinoni çfarë gjendje tragjike kemi në shkollat e vendit. A do flasim për këtë apo nuk do flasim për këtë?”
Në lidhje me këtë çështje, ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla kërkoi dyfishimin e ndëshkimeve penale ndaj atyre që kryejnë krime pranë shkollave.
“Kjo ngjarje duhet të na bëjë me përgjegjësi të gjithëve. Si anëtarë të kuvendit, e ftoj opozitës të marrë fjalën dhe të thotë ne jemi gati të mbështesim të gjitha masat drastike ligjore që duhen ndërmarrë. Ne do ta kemi një shumicë të cilësuar pas këtyre zgjedhjeve. Nëse doni të kontribuoni në fuqizimin e goditjes së çdo lloj forme krimi përgjatë perimetrit të shkollave ne kemi një sërë komisionesh, të Komisioni i Ligjeve me zonjën Bushka dhe të marrim shkas nga kjo ngjarje për të ashpërsuar të gjitha krimet penale që lidhen me një qasje të re, të një garantimi të sigurisë në shkolla”, deklaroi Balla.