Vrasja e Martin Canit, nga erdhi “dezinformimi”?!  (Përplasja e deklaratave Prokurori – Polici e Shtetit)

Vrasja e Martin Canit nga një plagë thike që i preku zemrën nxiti reagimin masiv të qytetarëve

211
Ne foto: Prinderit e Martin Canit ne nje nga protestat e organizuara ne Tirane. Foto LSA

Nga Sebi Alla “O ma”- ishte fjala e parë dhe e fundit e Martin Canit, vetëm 14 vjeç, teksa mbylli sytë përgjithnjë në spital, i goditur me thikë në zemër nga bashkëmoshatari i tij. Tragjedia ndodhi në mesditën e 18 nëntorit pak metra larg shkollës “Fan Noli” në Tiranë ku pas një konfrontimi fizik Martin Cani dhe M.L shok dhe fqinj i tij, u qëllua me thikë nga M.Përlleshaj.

Një muaj më pas, drama nuk ka fund për dy prindërit e Martinit, që kërkojnë drejtësi dhe zbardhjen e plotë të asaj ngjarjeje e cila ende mbetet nën hijen e dyshimeve, sidomos pas deklaratave kontradiktore mes Policisë së Shtetit, përfaqësuesve të qeverisë dhe provave të siguruara nga Prokuroria e Tiranës.

“E kam rritur me vuajtje, kam qëndruar pa punë vetë vetëm që ta rris dhe ta edukoj Martinin. Por ma morën, ja morën ëndrrat. Ma morën shpresën, më morën jetën, gjthçka kisha”, tha në protestën para Ministrisë së Arsimit mes lotësh dhe piskamës së dhimbjes Florina, nëna e 14 -vjeçarit.

Ajo kërkoi që të japin dorëheqjen e mbajnë përgjegjësi nga shkolla deri tek kryeministri Rama. “Kërkojmë me thellësinë e shpirtit të japin të gjithë dorëheqjen, nga dera e shkollës tek Edi Rama, kushdo që nuk e mbrojti Martinin”, tha Florina.

Reagimi i prindërve erdhi pas polemikave dhe qëndrimeve të mëpasshme të policisë dhe më pas deklaratave të kryeministrit Rama dhe ministrit të brendshëm Ervin Hoxha, të cilët fillimisht e cilësuan ngjarjen si të ndodhur “jashtë shkolle” që “nuk implikohen persona të tjerë” dhe se “kamerat kanë fiksuar gjithë dinamikën e krimit”.

Një letër e nisur nga Engjëll dhe Florina Cani ku kërkojnë drejtësi dhe zbardhje të së vërtetës së krimit ndodhet sot në zyrën e të dërguarës me punë të ambasadës së SHBA-ve në Tiranë, Nancy VanHorn.

“…Ka mbi dy javë që po përjetojmë si një vrasje të dytë të Martinit, papërgjegjshmërinë e sjelljes së disa institucioneve shqiptare, për faktin që askush prej tyre nuk po merr përgjegjësi e të japë dorëheqje për shkak të paaftësisë së tyre që më shkaktuar humbjen e djalit. Dhe më e pabesueshme dhe e pafalshmja është që po na vrasin dhe neve si prindër si dhe Henrin, vëllain e Martinit me tentativën për të tjetërsuar e manipuluar, duke mos e zbardhur ngjarjen qëllimisht, vetëm e vetëm për të shpëtuar fajtorët, të cilët ndryshe nga Martini jetojnë mbi Dhe”, thuhet në letrën e dërguar.

Letra e prindërve të Martinit flet për tentativë për manipulim me qëllim për të shpëtuar të tjerë autorë të përfshirë edhe pse në përmbajtje nuk adresohen emra konkret.

Por, a ka vend për dyshime për manipulim dhe pse prindërit e Martinit i kanë intensifikuar qëndrimet e tyre duke kërkuar ndihmë gjetkë, tek selitë ndërkombëtare të akredituara në Tiranë?

Për të shkuar tek përgjigja, Faktoje.al sjell një panoramë të  gjithë zhvillimeve, deklaratave të Policisë së Shtetit, Ministrit të Brendshëm dhe vetë kryeministrit, por edhe hetimet e deritanishme të Prokurorisë (dosjen e së cilës Faktoje.al e disponon) nga të cilat na rezulton se (deri më tani) të dhënat nuk përputhen me njëra tjetrën.

Procedurialisht, policia kryen hetimet paraprake siç është: fiksimi i vendit të ngjarjes; sigurimi i provave; dëshmitë e personave që mund të kenë dijeni për krimin; dhe ndalimin e mundshëm në flagrancë të autorit të krimit, më pas materialet i kalojnë prokurorisë për hetime më të thelluara, jo më vonë se 48 orë nga ngjarja.

Por, tre deklaratat zyrtare të Policisë së Shtetit erdhën në momentin kur çështja ishte në duart e Prokurorisë së Tiranës, të cilët japin tjetër version për dinamikën e krimit, nisur nga provat materiale të siguruara në vendin e ngjarjes, ekspertizën e viktimës dhe të dëmtuarve dhe mbi të gjitha nëse momenti final i goditjes me thikë të Martin Canit dhe shokut të tij L.M nga M.Përlleshaj është filmuar ose jo.

Deklaratat zyrtare të policisë dhe reagimi i qeverisë

Faktoje.al ka analizuar deklaratat, qëndrimet e policisë, reagimet e ministrit të brendshëm dhe  kryeministrit, të cilat duken të ndryshme me thelbin e provave të siguruara nga hetimet e deritanishme të prokurorisë së Tiranës.

Dy orë pas krimit, policia publikoi një njoftim të shkurtër mbi ngjarjen. “Më datë 18.11.2024, rreth orës 13:10, në rrugën “Qema Stafa”, rreth 200-300 metra larg shkollës “Fan Noli” janë konfliktuar 3 shtetas të moshës 14 vjeç. Si pasojë e dëmtimeve të marra gjatë konfliktit, ka ndërruar jetë njëri prej tyre ndërsa tjetri ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve”, thotë policia, ndërsa shtoi po në të njëjtin njoftim se: “është shoqëruar njëri nga autorët e dyshuar, ndërsa grupi hetimor po vijon punën për sqarimin e rrethanave të konfliktit”.

Që në njoftimin e parë policia thekson distancën, “rreth 200-300 metra larg shkollës”. Më vonë saktësohet se ngjarja ka ndodhur rreth 130 metra nga pjesa anësore e oborrit të shkollës. Çështja shkoi në një “betejë deklaratash” duke përfshirë Policinë e Shtetit dhe faktorët politikë ministrin e mbrendshëm dhe kryeministrin, sidomos pas qëndrimit zyrtar të Policisë së Shtetit dhe dyshimeve për “fshehje të provave”.

Vrasja e Martin Canit nga një plagë thike që i preku zemrën nxiti reagimin masiv të qytetarëve të cilët përveçse drejtësi për rastin, ngritën shqetësimin mbi pasigurinë në shkolla, mostrajtimin e duhur të rastëve të dhunës, por edhe reagimin e mëpasëm të strukturave të rendit.

Tre ditë pas krimit, babai i të plagosurit L.M, shok dhe fqinj i viktimës, hodhi dyshimet se në ngjarje ka marrë pjesë edhe një person tjetër, përveç 14-vjeçarit M.Përlleshaj. Këtë reagim e dha në media, duke iu referuar pikërisht deklaratave të djalit të tij që vijonte të merrte trajtim mjekësor për shkak të plagëve të rënda.

Më datë 24.11.2024, Policia e Shtetit nis një reagim zyrtar, i cili më shumë se sqarues për ngjarjen ishte reargues ndaj medias për “fushatë dezinformimi”, duke theksuar se nuk ka një autor të dytë. “Policia e Shtetit vëren se burime të caktuara janë angazhuar në një fushatë mediatike dizinformimi, lidhur me vrasjen e 14-vjeçarit nga një bashkëmoshatar i tij, në një distancë rreth 200 metra nga shkolla “Fan Noli” në Tiranë. Policia e Shtetit disponon dëshmi të personave të përfshirë në konflikt dhe pamje filmike në afërsi të vendit të ngjarjes ku ka ndodhur tragjedia dhe në kushtet e ndalimit ligjor për publikimin e tyre, informon opinionin publik se nga hetimet e deritanishme nuk implikohet autor i dytë i përfshirë në këtë ngjarje”, thotë policia. Gjithashtu më tej thekson se: “Për të ezauruar çdo pretendim dhe sqaruar çdo detaj në funksion të së vërtetës e të shërbimit deri në fund të drejtësisë, është marrë në pyetje nga grupi hetimor, nën drejtimin e prokurorit të çeshtjes dhe prindi i të miturit të dëmtuar L. M. në lidhje me pretendimet e tij të cilat do të vlerësohen në raport me të gjitha provat e faktet e tjera të administruara gjatë këtij hetimi”.

Më datë 28.11.2024, në një reagim në dukje “shtërues”, Policia e Shtetit nisi njoftim zyrtar duke hedhur dyshime për “dizinformata të qëllimshme” të nxitura nga media dhe politika. Por në këtë reagim Policia e Shtetit del me një version se e gjithë dinamika e ngjarjet ishte fiksuar nga kamerat e sigurisë së disa bizneseve dhe se nuk kishte një autor të dytë.

“Policia e Shtetit shpreh indinjatë për keqtrajtimin publik që kulmoi me lajmin e rremë të pranisë së një autori të dytë me thikë, në vrasjen tragjike të ngjarjen e datës 18.11.2024, ku humbi jetën nxënësi 14-vjeçar M. C. Pavarësisht komunikatave të Policisë së Shtetit, të cilat nuk janë lajme portalesh po informacion për publikun me përgjegjësi të plotë ligjore, një sërë burimesh të hapura u angazhuan fort dhe vazhdojnë të dizinformojnë opinionin publik lidhur me autorësinë e ngjarjes. Kjo qasje shpërfillëse ndaj të vërtetës dhe lojë e pajustifikueshme me ndjenjat e publikut, e cila me qëllim apo me mungesë ndërgjegjeje të theksuar politike ose profesionale nga aktorët e medias, nxit pasiguri e mosbesim ndaj Policisë së Shtetit, duhet të ndalet”, thuhet në njoftim.

Po sipas policisë, “…rezulton se kemi të bëjmë vetëm me një autor, përshkruar edhe në komunikatat e Policisë së Shtetit dhe e regjistruar në materialin filmik të ngjarjes, të cilin ligji na ndalon ta publikojmë për shkak të sekretit hetimor. Autori i vrasjes është goditur dhe shtrirë përtokë nga viktima dhe shoku i këtij të fundit. Ai ka reaguar duke qëlluar me thikë, ndërkohë nga dëshmitë e personave te pranishëm në konflikt, po edhe nga tërësia e provave të administruara nuk rezulton që shoku i autorit të ketë gjuajtur me thikë shokun e viktimës, ndërkohë që ky së bashku me viktimën ishin mbi trupin e shtrirë përtokë të autorit”, thekson njoftimi.

Vetëm 20 minuta pas kësaj deklarate, reagoi edhe Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha. “Fatkeqësisht disa ekrane dhe portale, si edhe të zakonshmit e këtyre rasteve në tribunën e politikës apo të maskuar si qëndrestarë të pavarur rrugëve qorre të luftës për pushtet, po përsërisin atë që bënë me ngjarjen e Pogradecit. Por fatmirësisht në këtë rast, ngjarja është e regjistruar nga kamerat e sigurisë, të cilat tregojnë qartë bllofin e madh të politizimit apo tregëtimit mediatik të vdekjes”, shkruajti në rrjetet sociale ministri.

Kryeministri Rama shkon më tej, teksa shpreh bindjen se ngjarja është filmuar nga kamerat, duke rrëzuar çdo dyshim për një autor të dytë që ka qëlluar me thikë. “Dy vrasje që kanë ndodhur, ajo e Pogradecit dhe kjo e 14-vjeçarit që ishte një tragjedi shumë e madhe, janë përdorur në mënyrën më abuzive, më skandaloze dhe më të pabesë ndaj opinionit publik, sidomos kjo e fundit, ndaj prindërve, duke sajuar historira, duke vënë në pikëpyetje korrektesën e Policisë së Shtetit në raportim, duke shpikur një autor tjetër. Fatmirësisht, kjo vrasje është e regjistruar në video. Jo vetëm që është hetuar me detaje nga prokuroria, por është regjistruar në video”.

screenshot e lajmit te publikuara mbi deklaraten e Rames

Këtë qëndrim Rama e mbajti më datë 5 dhjetor, kohë kur prokuroria kishte dalë në një tjetër variant, si mbi përfshirjen në sherrin e dhunshëm të një personi tjetër përveç autorit, ashtu edhe që “ngjarja është filmuar e gjitha”. Ndërkohë në daljen e funditvitit për mediat ai specifikoi: “Spektakli tjetër, edhe më i shëmtuar në këtë aspekt që flas unë ka qenë ai që u bë me 14 vjeçarin dhe me tragjedinë e asaj familjeje sepse aty u krijuan edhe vrasës të tjerë, u sajuan dhe thika të tjera, u treguan versione kriminale në aspektin e detyrimeve ndaj publikut, kuptohet sepse unë e quaj kriminale që në kushtet e atyre emocioneve shumë të natyrshme, për humbjen e një jete aq të re ti të furnizosh publikun me helm a thua se nuk mjafton helmimi i shpirtit nga ndodhia. Dhe ti thuash publikut që policia ka fshehur një vrasës tjetër; ti thuash publikut që vrasësi tjetër është djali i një hetuesi të Byrosë kombëtare të hetimit dhe për këtë arsye e kanë fshehur; t’i thuash publikut këto është krim, sipas meje. Kuptohet, moral. Dhe kështu ka ndodhur. Është mbajtur publiku për një kohë të gjatë, qoftë pas vrasjes së Pogradecit, qoftë pas vrasjes së 14 vjeçarit, në ajër me një mashtrim kolektiv të të gjithë atyre që u përfshinë, kuptohet. S’po them gjithë kolektivi mediatik, por ata që u përfshinë…”

Prokuroria, të dhëna të tjera krahasuar me policinë dhe deklaratat politike

Faktoje.al ka siguruar ekstraktin e dosjes hetimore të kërkesës për masën e sigurisë ndaj të dyshuarit të krimit M.Përlleshi. “Nga këqyrja e pamjeve filmike që fokusojnë rrugicën në afërsi të vendit të ngjarjes, rezulton se në datën 18.11.2024, në orën 14.10, (shënim, ora e saktë 13.10, pasi prokuroria i referohet orës së kameras së sigurisë e cila tregon 60 minuta përpara), shtetasit e identifikuar nga policia Martin Cani, M.Përlleshi, K.B, L.M, M.S, A.M, K.T dhe një person tjetër i pa identifikuar, kanë shkuar në vendin ku dyshohet se ka ndodhur goditja mes viktimave Martin Cani dhe L.M, e cila nuk fokusohet nga kamera”, thotë Prokuroria e Tiranës.

faksimile nga dosja e Prokurorise

Sikurse saktësohet nga institucioni i akuzës në kryeqytet, disponohen pamje filmike nga shkolla dhe rruga që kanë përshkuar personat e përfshirë në konlikt, por nuk ka pamje filmike te fokusuar që tregon momentin e përleshjes dhe më pas përdorimit të armës nga i pandehuri Përlleshi.

faksimile e dosjes se Prokurorise

Ndërsa një tjetër variant zyrtar i policisë, i publikuar në komunikatën e datës 28.11.2024 thotë se: “…autori i vrasjes është goditur dhe shtrirë përtokë nga viktima dhe shoku i këtij të fundit.  Ai ka reaguar duke qëlluar me thikë, ndërkohë nga dëshmitë e personave të pranishëm në konflikt, po edhe nga tërësia e provave të administruara nuk rezulton që shoku i autorit të ketë gjuajtur me thikë shokun e viktimës, ndërkohë që ky së bashku me viktimën ishin mbi trupin e shtrirë përtokë të autorit”.

Për personin të cilët familjarët e të plagosurit dyshojnë se është përfshirë në sherrin e dhunshëm ka një raport të prokurorisë. “Në mollzën e djathtë të fytyrës vihet re një dëmtim në ngjyrë mavi me përmasa 0.7X1 cm e shoqëruar me një njollë në ngjyrë më të errët dhe fryrje dhe enjtje në madhësinë e një kokrre are. Në anën e brendshme të bluzës së sipërme, në pjesën e djathtë të anës së djathtë vihet re një njollë me ngjyrë të kuqe e shoqëruar me çarje të indeve në përmasët 1X1 cm”, thotë prokuroria, por në raport nuk saktëson nëse kjo çarje ka ardhur nga një pjet (mjet) prerës ose jo të personit K.B.

Fakt është që përveç viktimës, të plagosurit M.L, autorit të krimit M.Përlleshi i është bërë ekspertizë mjeko-ligjore edhe 14-vjeçarit tjetër K.B, shok me autorin, duke marrë në konsideratë edhe dëmtimet.

Gjithashtu Faktoje.al duke iu referuar dosjes hetimore konstaton se viktima përveç plagës me thikë ka edhe dëmtime të tjera trupore. “Në vazhdim të veprimeve është kryer këqyrja e kufomës së shtetasit Martin Cani, ku vihet re se në syrin e majtë ka një epidemë hemoragjike, e lehtë me ngjyrë rozë. Në pjesën e gjoksit në në anën e majtë vihet re një plagë tjetër me gjatësi 5 cm me 10 qepje. Në kupën e gjurit të djathtë vihen re dy drenishtje dhe në të dy kërcet e të dyja këmbëve vihet re dërmishtje 1X1 cm me ngjyrë si mavi të errët”-thuhet në raportin e prokurorisë. Ndërsa në sekuestrimin e sendeve personale fiksojnë “…iu gjet një abone autobusi dhe 1 (një) monedhë 20 lekë”.

faksimile e Prokurorise

Përsa i përket të plagosirit L.M, prokuroria i është referuar kartelave klinike ku rezulton se “…konstatohen 3 plagë penetrante, 2 në hemi-toraksin e majtë (gjysmën e majtë të kraharorit) dhe një në sternum (dërrasa e kraharorit). Gjithashtu pacienti ka edhe një plagë në krahun e majtë”.

Në ekspertizën që i është bërë autorit të ngjarjes M.Përlleshi, institucioni i akuzës ka marrë në shqyrtim si kartelën mjekësore, ashtu edhe deklarimin e parë të familjarëve dhe vetë të dyshuarit. “Në brendësi të kartelës ndodhet një raport mjekësor që mban datën 18.11.2024, i lëshuar nga spitali…. (shënim, një spital privat), nga përmbajtja e së cilit rezulton se M.Përlleshi është shtruar në këtë spital me diagnozën traumë prerëse në dorën e majtë dhe tek pjesa ‘Histori e sëmundjes’, përshkruhet se: “Pacienti vjen në urgjencën e SA1, shoqëruar nga familjarët e tij, pasi ka ndodhur një sherr në shkollën Fan Noli. Referon se 4 veta e kanë goditur me grusht në kokë, është rrëzuar dhe më pas ka nxjerrë thikën dhe ka prerë vetën pa dashje”. 

Edha pas një muaji nga vrasja e një të mituri dhe plagosja e rëndë e shokut të tij nxënës të shkollës “Fan Noli” në Tiranë, ngrihen shumë pikëpyetje mbi dimamikën e krimit, efektivitetin e oficerëve të sigurisë në shkolla por edhe reagimin e mëtejshëm për ngjarjen, sidomos nga ana e policisë, që në dy momente kryesore nuk përputhen deri tani me hetimet e thelluara të Prokurorisë së Tiranës. Ndaj dhe deri në zbardhjen e plotë  të ngjarjes pikëpyetja që shtrohet është se kush po dezinformoni?! Te presim mbylljen e hetimeve…