Votimi i emigrantëve shqiptarë në zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri duket I pamundur të realizohet. Përkundër entuziazmit të qershorit 2020, kur qeveria u komunikoi përfaqësuesve të diasporës mundësinë e votimit, paralajmërimi i ekspertëve se ky plan ishte i paarritshëm për zgjedhjet që po afrojnë, është kthyer në realitet.
Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në datë 7 shkurt Ilirjan Celibashi është shprehur se për votën e emigrantëve duhet konsensus i të gjithë partive politike.
“Ne kemi një qasje për të kërkuar konsensus të gjithë partive politike. Por duam që të shkojmë në një proces zgjedhor me një konsensus të plotë me rregullat që KQZ-ja po përpiqet të përshtasë, pa cënuar aspak interesin e votuesit shqiptar. Nuk është se Kodi Zgjedhor ka zgjidhur ndonjë gjë në lidhje me këtë çështje, u ka garantuar të drejtën që ka qenë e garantuar tashmë në Kushtetutë”- u shreh ai.
Ndërkaq ministri i Shtetit për Diasporën Pandeli Majko tha se votimi i emigrantëve mund të realizohet pa pengesë në këto zgjedhje dhe se pritja për konsensusin e opozitës nuk është argument.
“Votimi i shtetasve jashtë vendit nuk ka asnjë problem ligjor për t’u zhvilluar në zgjedhjet e 25 prillit të këtij viti. Nga strukturat përgjegjëse të ekzekutivit është plotësuar çdo angazhim ligjor. Arsyetimi që vjen nga KQZ se për të realizuar të drejtën e votës të shtetasve jashtë vendit duhet të pritet “konsensusi” i partive politike është antiligjor. Imagjinoni që ky standard të përdorej për ligjet që miratohen në Kuvend pa “konsensusin” e opozitës. Me këtë logjikë, duke qenë se partitë opozitare jashtë tij janë shprehur kundër sistemit të ndryshuar zgjedhor, i bie që zgjedhjet të mos realizohen.” – u shpreh Majko.
Mark Gjonaj, kryetari i Këshillit Koordinues të Diasporës tha së fundmi për Euronews Albania se ky premtim është bërë nga të gjithë politikanët, por nuk ka pasur vullnet për ta vënë në jetë.
“Ky është mashtrimi më i madh që kur është hapur Shqipëria”-tha ai.
Sipas Gjonajt i gjithë problemi qëndron tek mungesa e vullnetit.
“Kjo është qesharake, në kohë të nevojës dhe ditë të vështira i kanë gjet shqiptarët se ku janë, jo më larg se tërmeti. Sot kur mund t’i gjesh me anë të teknologjisë vetëm vullneti mungon. Liderët që kemi nuk duan që diaspora të marri pjesë në zgjedhje”, tha ndër të tjera Gjonaj.
Endri Shabani nga Nisma Thurje i tha Faktojes se problemi qëndron tek mungesa e vullnetit politik.
“Po të kishte patur vullnet nga ata që kanë që prej 2013-tën që e premtojnë këtë, kjo çështje do të ishte zgjidhur me kohë. Mos harrojmë se kemi vite që paguajmë taksa për një ministri diaspore, e cila funksion kryesor të sajin kishte përfshirjen politike të shqiptarëve që jetojnë jashtë në jetën politike të vendit. Dhe nëse ka vetëm 850 shqiptarë të regjistruar, atëherë rezultati i punës së kësaj ministrie është mëse i qartë”, tha Shabani.
Ai shtoi se interesi i shqiptarëve jashtë vendit për të marrë pjesë në votime është i madh dhe se përgjegjësia për mos-mundësimin e këtij procesi bie mbi qeverinë.
“Unë kam jetuar shumë vite jashtë dhe mund të them me përgjegjësi të plotë se pjesa më e madhe e shqiptarëve të diasporës janë shumë të interesuar për t’i mbajtur lidhjet me vendin e tyre. Remitancat tregojnë pikërisht këtë. Kështu që pjesa më e madhe e përgjegjësisë bie mbi qeverinë shqiptare, e cila përveç ambasadave që ka ngritur në të gjithë botën, ka ngritur edhe një ministri që merret vetëm me këtë punë”.
Kujtojmë se në zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë erdhën rreth 100 mijë vota me postë nga diaspora e Kosovës nëpwr botë.
Sa shqiptarë jashtë vendit janë regjistruar për të votuar?
Edhe pse në fillim pritej një angazhim më i madh për të “bindur” shqiptarët të votojnë në zgjedhjet e Shqipërisë, rezulton se janë më pak se 1 mijë shqiptarë të regjistruar.
“KQZ duhet të hartojë votimin për këto emigrantë. Për ligjin, qytetarë shqiptarw që kanë vendbanim jashtë territorit të Shqipërisë në mënyrë të përhershme, janë vetëm 854 vetë. Këtë duhet ta bënin të gjitha qeveritë, por edhe vetë qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë. Deri më sot ne kemi vetëm 854 qytetarë shqiptarë dhe ne po krijojmë mekanizmin se si të votojmë. As për këta nuk është garantuar seti se si do të votohet. Janë regjistruar nga viti 2016-të e në vazhdim”, tha kreu i KQZ Celibashi.
Pesë muaj larg nga zgjedhjet, nëpërmjet një vendimi, qeveria shqiptare përcaktoi formën sesi do të regjistronte emigrantët.
Në lojë hyri portali e-Albania ku shtetasit shqiptarë me vendbanim të përhershëm jashtë vendit, do ta kishin të detyrueshme të jepnin adresën fikse. Në të kundërt nuk do të përfitonin më asnjë lloj shërbimi nga shteti shqiptar.
Sipas INSTAT, të paktën 1.6 milionë shqiptarë jetojnë jashtë Shqipërisë. Ata përbëjnë rreth 36% të totalit të shtetasve të Shqipërisë.
Faktoje ka raportuar edhe më herët, në qershor të vitit të shkuar për cështjen e votës së emigrantëve dhe në atë kohë ekspertët shpreheshin skeptikë për realizimin e këtij angazhimi, pavarësisht lajmeve se kuadri ligjor ishte votuar.
Në 16 janar të këtij viti, KQZ shpalli kandidatin fitues për një vend pune si specialist në sektorin e votimit të emigrantëve, pavarësisht se çështjes së votimit nga ky komunitet, nuk po i jepet ende zgjidhje.
Faktoje pyeti edhe Ministrinë e Brendshme për adresat e shqiptarëve jashtë vendit, por deri në këtë moment nuk ka një përgjigje.
*Pas publikimit të artikullit, kreu i KQZ Celibashi tha se janë regjistruar 3400 persona për të votuar nga diaspora. Debati për realizimin e votimit të emigrantëve vazhdon…