Sa vota i duhen një kandidati partie në listë të hapur për të fituar mandatin e deputetit në një qark të caktuar? Në një kohë kur zgjedhjet mbahen këtë të dielë, Faktoje.al në bashkëpunim me ekspertin e ekonomisë, Ilir Brasha, sjell një projeksion mbi këtë temë.
Metodologjia
Qasja e kombinuar e sondazheve të fundit të publikuara (Barometri dhe Notosondaggi me News 24), të dhënave të zgjedhjeve të 2021 dhe numrit të regjistruar të diasporës për secilin qark, sipas ekspertit Ilir Brasha, ofron një model sa më të afërt me realitetin për të kuptuar prirjet elektorale si dhe, për të llogaritur shpërndarjen e mandateve në bazë të herësit.
Përllogaritjet
Përllogaritjet tregojnë se mandati i deputetit mund të fitohet me më pak vota në qarkun e Shkodrës konkretisht 9’550 vota, kurse në qarkun e Tiranës do të duheshin më shumë, përkatësisht 13’500 vota.
Për qarqet e Vlorës, Lezhës dhe Gjirokastrës do të duheshin më pak se 10’000 vota për të fituar mandatin e deputetit.
Në renditje pas Tiranës me herës më të lartë është Korça me 12’200 vota, ndjekur nga Fieri me 12’150 vota.

Rezultatet projeksion
Eksperti për ekonominë, Ilir Brasha, sqaron se rezultatet e herësit mund të ndryshojnë në varësi të votave që marrin partitë. Sa më shumë të shpërndahen votat tek partitë, aq më i vogël do të jetë herësi i mandatit, ku në çdo rast partia më e madhe është ajo që fiton më shumë mandate me herës më të ulët.