Vota e diasporës u kthye në vëmendje të politikës shqiptare fill pas nisjes së turit të kryeministrit Rama në Athinë. Socialistët pretendojnë se kanë vullnet në zbatimin e këtij premtimi 12 vjeçar por politika vijon diskutimet për çështjet teknike. Edhe pse Gjykata Kushtetuese i dha 1 vit kohe Kuvendit të plotësoje kriteret, asgje nuk ka ndodhur. Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi tha se politika është në limite të kohës për plotësimet ligjore që do lejonin votën e diapsorës në zgjedhjet e ardhshme.
Jona Plumbi
Dy orë takim, një orë fjalim, shumë valle dhe shfaqje por asnjë fjalë për votën e diasporës. Ky ishte takimi i kryeministrit Edi Rama në Athinë, që çeli turin e takimit me diasporën të Partisë Socialiste.
Vetëm një ditë më parë, sekretari i përgjithshëm i socialistëve Blendi Klosi deklaronte ‘vullnetin e mazhorancës për mundësimin e votës së diasporës’.
“Vullneti i Partisë Socialiste për votën e emigrantëve është i shprehur. Falë ktij vullneti, falë votës së deputetëve të PS në Kodin Elektoral ndryshimet që janë bërë tashmë janë aktive, është sanksionuar vota e emigrantëve.” – tha Blendi Klosi.
Klosi vijoi duke thënë se ‘do të ishte shumë mirë që komisioni bipartizan të kishte funksionuar, ta diskutonte gjerësisht këtë temë dhe të zbatonte kushtet teknike mbi të cilat kjo votë do duhej të realizohej’.
‘Vështirësi të komplikuara teknike’ citoi edhe kryeministri Rama si problematike, në një intervistë pak përpara nisjes së turit.
“Në fakt, kryeministri ska pse të merret fare me votën e diasporës – thotë Florian Haçkaj nga Diaspora për Shqipërinë e Lirë, duke kujtuar se ekspertë të vetë Partisë Socialiste kanë dhënë një propozim për këto çështje teknike. “Fatkeqësisht, ky propozim i mazhorancës erdhi vetëm 2 ditë përpara mbylljes së komisionit të reformës zgjedhore.” – kujton Haçkaj.
Propozimet teknike për këtë proces nuk kanë munguar. Diaspora për Shqipërinë e Lirë, Partia Demokratike zyrtare, lëvizja “Shqipëria bëhet” dhe vetë socialistët kanë bërë propozimet e tyre. Ajo që mungon është serioziteti dhe vullneti për ta bërë votën e diasporës realitet.
“Politika shqiptare në përgjithësi nuk është angazhuar sa duhet për votën e diasporës.” – shprehet Haçkaj. Diaspora për Shqipërinë e Lirë solli një propozim të sajin në shtator, që ishte premtuar se do të firmosej nga të gjithë deputetët, shpegon ai – “Por socialistët u tërhoqën në momentin e fundit”.
“Angazhimi” politik dhe vota e diasporës
Ndryshimet në Kodin Elektoral që sanksionojnë votën e diasporës, që Klosi i quan shprehje të vullnetit të PS, janë konsideruar “ të paqarta dhe jo në përputhje me Kushtetutën” nga Gjykata Kushtetuese prej vitit 2022.
Sipas vendimit të kësaj gjykate, këto parashikime kanë lënë boshllëk ligjor dhe janë të pazbatueshme. Ndaj gjykata i dha 1 vit kohë Kuvendit për të plotësuar ligjin.
Pas këtij vendimi, mazhoranca kishte tre përgjegjësi sipas studiuesit Afrim Krasniqi.
“Së pari, nxjerrjen e akteve nënligjore duke u konsultuar me opozitën. Së dyti, hartimin e regjistrit të zgjedhësve me të drejtë vote kudo që ata ndodhen. Së treti, krijimin e lehtësirave në lidhje me përfaqësimin në Kod Zgjedhor, më zona apo kuota dhe mënyrën e votimit.”
Qeveria ka dështuar të hartojë listat e regjistrit të zgjedhësve.
Në vitin 2016 u miratua një ligj për regjistrimin e shqiptarëve jashtë Shqipërisë. Ligji nuk u zbatua.
Në vitin 2017 Kryeministri hapi Ministrinë për Diasporën, që kishte për detyrë “koordinimin e procesit për të garantuar regjistrimin dhe të drejtën e pjesëmarrjes së diasporës në votime”. Edhe ky proces dështoi.
Në fund, Këshilli Politik bëri ndryshimet në Kodin Zgjedhor në 2020-ën, të cilat duhet të ishin plotësuar që në 2023-shin sipas Gjykatës Kushtetuese.
“Duket që ka mungesë të vullnetit politik të palëve politike kryesore për ta çuar përpara këtë proces.” – tha Afrim Krasniqi për Faktoje, duke theksuar se nëse vota e diasporës do ishte prioritare për partitë atëherë edhe presioni ndaj palëve dhe parlamentit për ta miratuar do ishte më i madh.
“Nuk kemi asnjë rast ku qeveria të ketë negociuar me shtete brenda NATO-s apo BE-së për sesi shtetasit shqiptarë mund të regjistrohen dhe të votojnë nga atje. Kjo tregon se nuk ka asnjë strategji.” – vlerëson Krasniqi.
Përgjejgësia sipas Florian Haçkajt, bie mbi ata të cilët kanë pushtetin prej 11 vitesh.
“Partia në pushtet ka fajin kryesor në gjykimin tonë sepse ka 3 mandate që drejton Shqipërinë, e ka premtuar në çdo fushatë elektorale që kjo do të bëhet dhe nuk ka bërë asnjë punë.” – tha ai.
Përfundim
Pavarësisht mungesës së vullnetit politik për përmbushjen e këtij detyrimi kushtetues, Florjan Haçkaj nga Diaspora për Shqipërinë e Lirë është optimist për mundësimin e votimit të emigrantëve nga aty ku janë në zgjedhjet e vitit 2025.
“Në fund të ditës janë ulur me këmbë në tokë dhe tani nuk kanë ç’të bëjnë përveçse ta plotësojnë këtë detyrim. Shohim që po lëvizin sado ngadalë dhe ne po bëjmë presionin tonë me aq sa mundemi.” – shpjegon ai për Faktoje.
Afrim Krasniqi është më pak optimist. Ai nuk pret një reformë të madhe zgjedhore që do të rregullojë përfundimisht votën e diasporës. Ajo që mund të ndodhë në zgjedhjet e rradhës – shpjegon ai – është testimi në zona të caktuara, siç u veprua me votimin elektronik.
“Ekzistojnë mekanizma që mund të shkojnë në testim, si dhe mund t’i ofrojnë KQZ-së një mekanizmëm lehtësues me akte nënligjore që të provojë nëse vota e diasporës është realisht funksionale duke marrë qarqe apo zona të caktuara. Nëse kjo do të bëhëj në zgjedhjet e ardhshme do ishte një zhvillim pozitiv. Jo i mjatueshëm por zhvillim drejt një votë të plotë të diasporës në zgjedhje.” – përmbyll ai.
Një gjë është e sigurt, deklarata se Partia Socialiste ka vullnet për përmbushjen e këtij premtimi tashmë 10 vjeçar është e pavërtetë dhe kjo vërtetohet nga mungesa e angazhimit politik dhe dështimeve të njëpasnjëshme në vite për këtë proces.