Veliaj 8 muaj paraburgim dhe 7 orë kundërshtim ndaj qeverisë dhe presidencës

Veliaj nuk e përmendi asnjëherë kreun e qeverisë, duke iu referuar shpesh vetëm VKM-së për shkarkimin e tij.

106

Sebi Alla Tetë muaj pas qëndrimit në paraburgim, Erion Veliaj, kryebashkiak i Tiranës, i shkarkuar me vendim të Këshillit të Ministrave, fitoi përkohësisht lirinë e kufizuar, teksa qëndroi në Gjykatën Kushtetuese për shtatë orë e shtatë minuta, nën masa sigurie.

Ai u paraqit si palë për të kundërshtuar shkarkimin e tij nga qeveria dhe dekretin presidencial që shpalli zgjedhjet në Tiranë. Pas dëgjimit të tre palëve në proces, Gjykata Kushtetuese u tërhoq për të marrë vendim, duke saktësuar se data dhe shpallja e vendimit përfundimtar do u njoftohet palëve në vijim, sipas parashikimeve ligjore.

Veliaj u arrestua me kërkesë së Prokurorisë Speciale më 10 shkurt për katër akuza; korrupsion i zyrtarëve të lartë publik, ose të zgjedhurve vendorë, shpërdorim detyre, fshehje të të ardhurave dhe pastrim parash, në 13 episode.

Pasi humbi çdo betejë ligjore për ndryshimin e masës së sigurisë, Veliaj u shkarkua nga detyra më 25 shtator, pas propozimit të Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe miratimit nga Këshilli i Ministrave, me motivacionin se nuk është paraqitur në detyrë për më shumë se tre muaj. 

I zhgënjyer…!

Në fjalimin e mbajtur, Veliaj përmendi shpesh fjalët; falje, Zot, fyerje, ligj, Kushtetutë dhe zhgënjim… “Nuk kishin se si të më fyenin më rëndë sesa kaq. Ka qenë fyerja më e rëndë e jetës time publike dhe këtë e thotë dikush që ka dëgjuar fyerje dhe legjenda urbane pa fund. Por kjo është fyerja më e rëndë sepse erdhi nga bashkëpunëtorët e mi, nga njerëz që më njohin më mirë se çdokush tjetër. Dhe që nuk denjuan as të më ftonin, as të më njoftonin dhe as të më dëgjonin. Zoti i faltë. Lutem çdo natë për ta dhe them Zot fali se nuk dinë ç’kanë bërë me atë vendim”, tha Veliaj, i cili këtë herë i referohej “të tijve” (anëtarëve të Këshillit Bashkiak socialistë). Në mënyrë indirekte, Veliaj preku edhe VKM-në e shkarkimit, duke u shprehur se brenda tetë orësh u firmosën tetë akte, nga thirrja e mbledhjes së këshillit bashkiak, propozimi për shkarkim, dërgimi në çështjes në kryeministri, vendimin e Këshillit të Ministrave dhe më pas në Presidencë, e cila u shpreh me dekret.

Megjithatë, në asnjë fjalë përgjatë shtatë orëve e shtatë minutave, Veliaj nuk e përmendi asnjëherë kreun e qeverisë, duke iu referuar shpesh vetëm VKM-së për shkarkimin e tij.

Seanca e gjatë

I shoqëruar nga një numër i madh i punonjësve të policisë, Veliaj zbriti me pranga në duar nga “furgoni burgut” për të kaluar shpejt në shkallët para Gjykatës Kushtetuese dhe më pas në sallën ku po shqyrtohet çështja e tij.

Në praninë e dy avokatëve, Veliaj preferoi se thuajse pas çdo pyetje edhe me karakter mirëfilltas ligjor, të përgjigjej vetë.

Përballë Veliaj kishte dy palë kundërshtare në proces: përfaqësuesin e kryeministrisë dhe atë të presidencës, përkatësisht Irma Qosja dhe Ilir Rusmali.

Kryebashkiaku Veliaj ankimoi si vendimin e Këshillit të Ministrave për shkarkimin e tij, që mban firmën e kryeministrit Rama, ashtu edhe dekretin e Presidentit Bajram Begaj, i cili shpalli zgjedhjet e parakohshme në Tiranë pa u shqyrtuar më parë çështja nga Gjykata Kushtetuese.

Kushtetuesja me një vendim të ndërmjetëm, para shqyrtimit në themel, vendosi të pezullojë dekretin e presidentit.

Pretendimet e qeverisë

Përfaqësuesja e Këshillit të Ministrave, Irma Qosja parashtroi relatimin e saj ligjor mbi argumentin pse Këshilli i Ministrave ka firmosur shkarkimin e Erion Veliajt si kryebashkiak të Tiranës. “Ankimuesi pretendon se shkarkimi i tij nga detyra ka ndodhur për shkak të shkeljes së rëndë të Kushtetutës ose të ligjeve, siç parashikon neni 115 i Kushtetutës, e cila është e vetmja mënyrë që ai të legjitimohet përpara kësaj gjykate. Ndërkohë që shkarkimi i tij nuk është kryer për shkak të kësaj dispozite. Ai nuk është shkarkuar për rrethanë kushtetuese, por ligjore, për shkak se nuk është paraqitur në detyrën e parashikuar nga neni 62 për vetëqeverisjen vendore”, tha përfaqësuesja e qeverisë. Për këtë pretendim Veliaj solli si shembull rastin e kolegut të Tropojës, duke pretenduar se ndaj tij janë ndjekur standarde të tjera.

Pretendimet e presidencës

“Por ju që i lejuat vetes të drejtën për të shqyrtuar një akt administrativ keni gjetur edhe mekanizmat mbrojtës nga kjo rrëshqitje. Fakt është që ju në fund të ditës do të jenë të detyruar të merrni një vendim në raport me dekretin.

Do të përballemi me faktin që ju po merrni në shqyrtim dhe po vendosni fatin e nja akti administrativ, kur Kushtetuta nuk ua lejon këtë”, tha këshilltari juridik i Presidentit, Ilir Rusmali. Nga ana e tij, Veliaj u shpreh se nuk po ndiqet i njëjti standard dhe ndihet jo i barabartë me të tjerët, duke sjellë si analogji kryetarin e bashkisë së Tropojës. “Doja t’ju përmendja një rast në Shqipëri, kryetari i bashkisë së Tropojës ka qenë 11 muaj në arrest shtëpie. Në një masë të përkohshëm. Tani lind pyetja, a janë të gjithë të barabartë? Pse është ndryshe një qytetar i Tiranës me një qytetar të Tropojës. Pse toleranca në Tropojë është 11 muaj, kurse në Tiranë është 2 javë, tre muaj dhe 7 muaj. Këtu kemi një disbalancë totale”, tha Veliaj.

Betejë “për Ogertën por edhe Florin…”

Në qëndrimin e gjatë para anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese ndër të tjera Veliaj tha se beteja që ai po bën është për të gjithë pasardhësit e tij teksa shtoi: “Po sikur nesër t’ja bëjnë Ogertës, Florit, apo Arlindit, një masë sigurie (shënim: i referohet kandidatëve që kanë shpallur kandidaturat për kryetarë të Bashkisë Tiranë). Pra, kaosi që kemi tani nuk është asgjë me kaosin nëse kjo do kthehet një standard me kryetarët e bashkive. Kështu që kjo është një betejë edhe për ata që do vijnë pas meje kurdo qoftë ajo ditë”, tha Veliaj.

Në nisje të javës së ardhshme pritet që Gjykata Kushtetuese të shprehet me vendim. Nëse ajo e konsideron të drejtë shkarkimin, atëherë kreu i shtetit ka afat 48 orë kohë që të shprehet me një dekret për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme në Tiranë.

Nëse pranohet kërkesa e Veliajt i cili kërkon shpalljen antikushtetuese të shkarkimit të tij, ai do të qëndrojë de jure në detyrë, edhe pse ndodhet në masën e sigurisë “arrest me burg pa afat”.