Pretendimi: Vaksinologu pranon se vaksinat nuk janë të sigurta për përdorim
Verdikti: E pavërtetë
Barbara Halla
Një artikull i qarkulluar ditët e fundit në mediat shqiptare pretendon se Stanley Plotkin, një vaksinolog amerikan, ka thënë se vaksinat mRNA (siç është vaksinat e Pfizer për COVID-19) nuk janë të sigurta. Ky pretendim është i pavërtetë, pasi ai bazohet në keqinterpretimin nga disa llogari në internet të një artikulli të shkruar nga Plotkin.
Artikulli në fjalë mbështetet vetëm në pretendimet e Aaron Sirit, një avokat dhe personalitet në mediat sociale, i cili ka përhapur shpesh dizinformata përsa i përket vaksinave përmes llogarive në media sociale. Në platformën Twitter/X, Siri ka shkruar se artikulli i Plotkin tregon se vaksinat e promovuara nga Plotkin dhe shkencëtarë te tjerë nuk janë studiuar siç duhet dhe për këtë arësye ato përbëjnë rrezik për publikun.
Kjo nuk është aspak e vërtetë. Në fillim të korrikut, Plotink ka publikuar në The New England Journal of Medicine, një revistë e besuar shkencore, një artikull mbi dizinformimin rreth vaksinave. Ky artikull ka si autorë dhe tre mjekë të tjerë.
Faktoje.al vendosi të verifikojë më tej këtë artikull për të zbuluar se bëhet fjalë për një keqinterpretim të qëllimshëm.
Në këtë artikull, Plotkin nuk thotë se vaksinat janë të pasigurta. Përkundrazi, artikulli flet për faktin se duhet më shumë punë që të rritet besimi i publikut tek vaksinat, duke përfshirë edhe studime të mëtejshme mbi vaksinat që të ulen jo vetëm efektet anësore, por frika për efektet anësore nga ana e publikut, i cili mund të mos jetë i mirëinformuar mbi metodat shkencore.
Një nga problemet kryesore është fakti se rezultatet shkencore duan kohë të prodhohen, duke i dhënë shkas dizinformatave të shpërndahen ndërkohë që rezultatet e punimeve kërkimore verifikohen nga komuniteti shkencor. Siç shkruhet aty: “Megjithëse përfundimisht pati më shumë se një dyzinë studime epidemiologjike të kryera mirë që e çuan Institutin e Mjekësisë në përfundimin se vaksinat e fruthit-shytave-rubeolës…nuk po shkaktonin autizëm, rezultatet nuk ishin të disponueshme për shumë vite pasi spekulimet mbi autizmin u bënë publike. Ritmi i ngadaltë i shkencës kontribuoi në shqetësimin e gjerë të publikut dhe si pasojë uljen e mbulimit të imunizimit, si dhe shpërthimet e fruthit.”
Sipas artikullit, më shumë fonde dhe mbështetje per këto studime mund të rrisë aftësinë e shkencëtarëve për të shpërndarë të vërtetën mbi vaksinat më shpejtë dhe me më efikasitet. Pra, nuk thuhet në artikull se studimet mungojnë, por vetëm se ka nevojë për fonde të mëtejshme për shkencën e vaksinave që të rritet efikasiteti, të ulen efektet anësore, dhe të shtohet besimi tek publiku duke dituar se ka testime të vazhdueshme për vaksinat.