Urdhri i presidentit Trump për pezullimin e të gjithë ndihmës ndërkombëtare të SHBA-ve prek dhjetra institucione në Shqipëri, por e gjithë vëmendja e politikës dhe mediave, u ndal tek SPAK. Edhe pse Prokuroria e Posaçme financohet nga buxheti i shtetit, ekspertët thonë se për SPAK-un diskutimi shkon përtej parave.
Esmeralda Topi
Më 20 janar presidenti amerikan Donald Trump firmosi urdhrin ekzekutiv që pezulloi të gjitha ndihmat financiare ndërkombëtare për 90 ditë në pritje të rishikimeve nga administrata e re.
Tre ditë pas urdhrit të Trump, anëtarja e kryesisë në Partinë Demokratike, Edit Harxhi, tha se ndërprerja e financimeve në Shqipëri prekte Prokurorinë e Posaçme dhe Byronë Kombëtare të Hetimit.
“Janë pezulluar të gjitha projektet, fondet ku përfshihet dhe ndihma për SPAK, BKH”, tha Harxhi gjatë një interviste televizive.
Më 29 janar, Ambasada Amerikane në Shqipëri, përmes një njoftimi diplomatik dërguar Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, informoi qeverinë për qëllimin e Urdhrit Ekzekutiv të SHBA-ve.
Dokumenti i siguruar nga Faktoje.al tregon se pezullimi i ndihmës financiare amerikane prek 61 institucionet e pushtetit vendor në Shqipëri, 16 ministri dhe dhjetëra institucione të tjera në vend. Por e gjithë vëmendja politike dhe ajo mediatike mbi pasojat e pezullimit të fondeve u përqendrua tek Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Financimi i SPAK
Prokuroria e Posaçme është institucion i pavarur që financohet nga buxheti i shtetit. Referuar të dhënave zyrtare të ministrisë së Financave, buxheti i SPAK për vitin që lamë pas ishte 1,3 miliardë lekë (referuar aktit të fundit normativ). Për këtë vit, buxheti i vënë në dispozicion të strukturës së posaçme kundër korrupsionit dhe krimit është rritur me 1 miliardë lekë.
![](https://faktoje.al/wp-content/uploads/2025/02/image.jpg)
Ndërsa në buxhetin afatmesëm për vitet 2026-2027 financat planifikojnë që SPAK të marrë 1,7 miliardë lekë për secilin vit.
“Prokuroria e Posaçme dhe Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH), prej krijimit kanë pasur mbështetjen e partnerëve ndërkombëtare, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët kanë dhënë kontributin e tyre përmes misioneve: OPDAT, ICITAP, DEA, FBI”, argumenton SPAK për Faktoje.al, duke e vënë theksin tek rëndësia që ka mbështetja amerikane.
“Mbështetja e tyre është tejet e rëndësishme për fuqizimin e punës së SPAK dhe konsiston kryesisht në trajnime, vizita studimore, pajisje të ndryshme teknike dhe sistemin e menaxhimit të çështjeve”, sqaron SPAK.
Fuqia politike e SPAK
Edhe ekspertët thonë se vëmendja e lartë ndaj SPAK-ut pas urdhrit të Trump lidhet me mbështetjen politike të SHBA-ve se sa atë financiare.
“Në javët dhe muajt në vazhdim, kur SPAK dhe reforma të sulmohen përsëri nga klasa politike, a do dalë dikush nga Ambasada Amerikane ta mbrojë SPAK-un dhe reformën? Nëse kjo mbështetje politike nga SHBA nuk ndodh më, politika shqiptare do kuptojë se SPAK nuk e ka më mbështetjen e Amerikës dhe mund të bëjë hapa para për ta kufizuar SPAK-un”, arsyeton studiuesi Ledion Kristafi.
“Por BE dhe Britania e Madhe kanë marrë tashmë masa për ta shmangur një tërheqje amerikane nga drejtësia në Shqipëri, kështu që problemi do të shmanget në këtë mënyrë”, përfundon ai.
Krahas SHBA-ve, që kur sistemi i drejtësisë iu nënshtrua reformës thelbësore në vitin 2016, në krah të SPAK-ut ka qenë edhe Bashkimi Evropian. Në një reagim të posaçëm pas urdhrit të Trump, Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë theksoi vazhdimin e ndihmës për Shqipërinë, veçanërisht për reformën në drejtësi.
“Roli i SPAK-ut dhe pavarësia e tij në hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e çështjeve komplekse të korrupsionit është i një rëndësie kyçe“, thekson Delegacioni.
Bashkimi Evropian e ka mbështetur me 8 milionë euro SPAK-un që prej themelimit, përmes asistencës teknike.
“SPAK-u ka prodhuar rezultate të prekshme, duke kontribuar në përpjekjet e përgjithshme të Shqipërisë për të krijuar një historik të besueshëm në luftën kundër krimeve të rënda, krimit të organizuar dhe korrupsionit, përfshirë në nivel të lartë“, përfundon reagimi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri.
Prapavijë
Më 20 janar, presidenti amerikan Doland Trump firmosi urdhrin ekzekutiv për rivlerësimin dhe riorganizimin e ndihmës ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara.
“Pauzë 90-ditore në ndihmën për zhvillimin e jashtëm të Shteteve të Bashkuara për vlerësimin e efikasitetit programor dhe konsistencës me politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara.”, shkruhet në urdhër.
Pas kësaj, Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, pezulloi të gjithë ndihmën ndërkombëtare të SHBA të financuar nga ose përmes Departamentit të Shtetit dhe Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) për shqyrtim.
“Ai po fillon një rishikim të të gjitha programeve të ndihmës ndërkombëtare për të siguruar që ato të jenë efikase dhe në përputhje me politikën e jashtme të SHBA nën agjendën ‘Amerika e Para”, sqaroi Tammy Bruce zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, më 26 janar.
Përfundim
Nisur nga verifikimi i kryer, deklaratën e Edit Harxhit se ‘janë pezulluar të gjitha projektet, fondet ku përfshihet dhe ndihma për SPAK, BKH”, e kategorizojmë të vërtetë.