Autore: Nilka Hoxha, Regjina Mikli

Ura e Muhurrit në Dibër është në gjendje tërësisht të amortizuar, duke përbërë një rrezik serioz për banorët që kalojnë aty çdo ditë. Kjo situatë ka shkaktuar shqetësim të madh mes banorëve të zonës, pasi ura është jetike për aksesin e tyre në shërbime dhe për nevojat e transportit të përditshëm.

Në vitin 2012, ura e Muhurrit në Dibër iu nënshtrua një rikonstruksioni urgjent, për shkak të dëmtimit të madh. Zyrtarët asokohe deklaruan se dëmtimi i urës ishte në masën 95%, duke premtuar rikonstruksionin e plotë të saj.

“Përveç se do bëhet dyshemeja totale e urës, do bëhet edhe lyerja e bazamenteve metalikë të urës. Në këtë urë kalojnë 7 komuna”, deklaroi Luan Haka, në atë kohë drejtor i rrugëve në Peshkopi.

Por, si është gjendja e urës së Muhurrit sot?

Një verifikim i bërë në terren tregon se ura është në gjendje të mjeruar, duke rrezikuar jetën e banorëve që janë të detyruar që të kalojnë aty çdo ditë. Ura që lidh 6 fshatra në komunën Muhurr të Dibrës është prej druri dhe rreth 20 metër e gjatë, por qytetarët thonë se prej vitesh askush nuk ka vënë dorë për rikonstruksionin e saj.

“Lutemi çdo ditë ‘ishalla nuk biem poshtë’. Është shkatërruar komplet, nuk e di çfarë presin që ta rregullojnë, apo duhet të ndodhë ndonjë tragjedi që të merren masa”, thotë Bujari, banor i zonës.

Ura e Muhurrit në Dibër është një strukturë e ndërtuar në vitin 1936, e cila lidh disa fshatra me rrugën kryesore. Gjatë viteve, ura është amortizuar rëndë dhe ka krijuar rrezik për banorët që kalojnë mbi të. Banorët theksojnë se u është premtuar disa herë rikonstruksioni i saj, por për fat të keq edhe sot gjendja mbetet problematike.

“Ferr na është bërë kjo urë të them të drejtën, por jemi të detyruar të kalojmë, nuk kemi zgjidhje tjetër. Do e rregullojmë kanë thënë, ka vite që e dëgjojmë këtë përrallë. Dërrasat janë kalbur komplet, plus që është e hapur vende-vende”, tregon një tjetër banor, i zhgënjyer nga premtimet e shumta për ndërtimin e saj.

Të dhënat nga “Open Procurement” tregojnë se në vitin 2023 është bërë një tender për “Sistemim asfaltim Ura e Muhrrit-Vajmedhej” (Loti 1) Bashkia Dibër. Mirëpo, ajo që vihet re është se prokurimi më pas është anuluar, duke argumentuar se: “Bazuar në Ligjin Nr. 162/2020, datë 23.12.2020 ‘Për Prokurimin Publik’ neni 98, pika 1 germa: c) konstaton se dokumentet e tenderit përmbajnë gabime ose mangësi të rëndësishme”.

*Artikulli është realizuar nga nxënës të gjimnazit “Dine Hoxha” në Dibër, në kuadër të projektit “Echoes of Youth, Reporting for Change”. Projekti po zbatohet nga Qendra Agritra-Vizion në partneritet me Faktoje.al. Ky projekt mbështetet nga Programi “Rrugë Alternative”, financuar nga Qeveria Britanike dhe menaxhuar nga zyra e Këshillit Britanik në Shqipëri. 

Mentore: Ilda Hoxha