Zgjidhja e propozuar për 24 orë ujë në Himarë, një premtim i pambajtur prej 9 vitesh tashmë, ka ngritur në protesta ambientalistët që shprehen se devijimi i ujit të lumit Shushicë kërcënon statusin e Parkut Kombëtar të Vjosës, i cili u shpall në mars të vitit 2023 si zona e parë e ruajtjes së lumenjve të egër në Evropë

Vjolanda Peca

Prej vitit 2015 kryebashkiaku i Himarës, në atë kohë Jorgo Goro, u premtoi banorëve se do t’i jepte fund legjendës së ujit të pijshëm. Edhe pse kanë kaluar mbi 9 vite, e më shumë se dy mandate Himara ende nuk ka ujë 24 orë.  Ky premtim u risoll edhe në vitin 2023, gjatë garës për zgjedhjet vendore.   

“Ky furnizim do të jetë jo me ngritje mekanike, por me rrjedhje të lirë nga buronjat e Kuccit në drejtim të Himarës” shprehej kandidati socialist për bashkinë e Himarës Jorgo Goro, i cili sot është në “Arrest me burg” i akuzuar për “Shpërdorim detyre”.

Ky projekt, i cili synon të zgjidhë problemin e furnizimit me ujë të pijshëm, parashikon të përfitojnë mbi 80,000 banorë dhe turistë, ka ngritur shqetësime serioze në lidhje me ndikimin e tij në mjedis.

Por, aktivistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile kanë protestuar kundër këtij projekti, që sjell devijimin e ujit nga lumi Shushicë dhe që kërcënon statusin e Parkut Kombëtar të Vjosës, i cili u shpall në mars të vitit 2023 si zona e parë e ruajtjes së lumenjve të egër në Evropë. Ky status, jo vetëm që mbron ekosistemin lumor, por edhe ofron mundësi zhvillimi për turizmin e zonës. 

Olsi Nika ekspert nga EcoAlbania shprehet për Faktoje.al që ujësjellësi i Bashkisë Himarë duhet të gjejë burime alternative ujore, që nuk implikojnë integritetin natyror të Parkut të Parë Kombëtar të lumit të egër në Evropë.

Devijimi prej 104 l/s, ku prurja mesatare vjetore e ujit llogaritet të jetë 139 l/s, pritet të lërë shtratin e lumit të thatë gjatë verës” shton më tej Nika.

Qytetarë, ekspertë dhe aktivistë mjedisi të mbedhur më 12 korrik në urën e Brataj

Projekti i ujësjellësit të ri është pjesë e një iniciative të qeverisë shqiptare “Uji 24/7” që synon të sigurojë ujë të pijshëm 24 orë në ditë për të gjitha bashkitë e vendit deri në vitin 2025. 

UoFWesternBalkans

Rreth 50 banorë të Luginës së Shushicës, së bashku me organizatën ‘EcoAlbania’, kanë ngritur një padi në Gjykatën Administrative të Tiranës kundër Agjencisë Kombëtare të Mjedisit dhe Bashkisë Himarë. Ata kërkojnë shfuqizimin e Vendimit nr. 4, datë 09.12.2021, të Këshillit të Basenit Vjosë, “Për miratimin e kërkesës për leje për përdorimin e burimit ujor nëntokësor për ujë të pijshëm të Bashkisë Himarë me vendndodhje: Bashkia Himarë, Qarku Vlorë.” e të tjera. Banorët gjithashtu kanë bërë një peticion të cilin e kanë firmosur mbi 2000 persona.

Tuba në të cilën kanë firmosur peticionin qytetarët

Sipas, Besjana Guri nga EcoAlbania procesi aktualisht është transferuar nga gjykata e Tiranës në atë të Lushnjës. “Ne e dimë që proceset gjyqësore marrin kohë, prandaj dhe banorët vazhdojnë me protestat e tyre. Fati i mirë është që kemi një pezullim të përkohshëm të projektit” shprehet ajo për Faktoje.

Ekspertët argumentojnë se raporti i Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis për këtë projekt është i pabazuar në prova shkencore.

“Nëse e finalizojnë këtë projekt, Shushica do të thahet krejtësisht, si rrjedhojë nuk do mund të cilësohet më si Park Kombëtar” u shpreh Ulrich Eichelman ekspert ekologjik i Riverwatch  

Ndikimi tek Zonat e Mbrojtura  

Devijimi i ujit nga lumi Shushica kërcënon statusin e Parkut Kombëtar të Vjosës, i cili u shpall në mars të vitit 2023 si zona e parë e ruajtjes së lumenjve të egër në Evropë. 

“Qeveria me këtë projekt ka gabuar. Për mendimin tim janë 5-6 oligarkë që përfitojnë. Shushica është stolia, bukuria e luginës” shprehet Istref Rrogaj banor në Tërbaç.

Postim I kryeministrit të Shqipërisë në Shkurt të këtij viti për Zonat e Mbrojtura

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një postim në shkurt të këtij viti, theksoi se Shqipëria është e para në rajon për sasinë e zonave të mbrojtura, duke bashkëngjitur një foto ku tregohen 14 zona të tilla. 

Sipas ekspertëve te EcoAlbania devijimi i ujit të lumit Shushicë dhe ndikimi negativ në ekosistemin e Parkut Kombëtar të Vjosës mund të dëmtojë këtë bilanc. Prishja e ekosistemit të Vjosës jo vetëm që rrezikon integritetin ekologjik të këtij lumi të egër, por gjithashtu mund të ulë numrin dhe cilësinë e zonave të mbrojtura të Shqipërisë. 

Bashkia duhet të rrisë kapacitetet furnizuese me ujë të pijshëm. Megjithatë vendimmarrja për të përdorur burimin kryesor të lumit Shushica për këtë qëllim duket më shumë si një zgjidhje e ngutshme për t’iu përgjigjur ritmit të zhvillimit urban sesa një qasje strategjike dhe e mirëmenduar. Studimi i alternativave të tjera që mund të jenë jo vetëm më pak të dëmshme me mjedisin por edhe më të leverdishme nga pikëpamja ekonomike dhe që do të ofronin zgjidhje më afatgjata, në këtë rast ka munguar totalisht.”- shprehet Nika. 

Ndërtimi i ujësjellësit dhe hidrocentraleve mund të ketë ndikime negative të mëdha në peizazhin dhe regjimin e ujit të Shushicës, andaj banorë të luginës së Shushicës dhe aktivistë të mjedisit u mblodhën për të disatën herë në një protestë simbolike për të kundërshtuar lejen e ndërtimit të ujësjellësit të ri të Himarës, i cili devijon ujin e lumit të Shushicës, një degë e rëndësishme e Vjosës.