Daniela Zisi
Në bashkinë e Pogradecit, raportohet se më pak se gjysma e sipërfaqes së punueshme ose rreth 8100 hektarë kultivohet. Nga kjo sipërfaqje e mbjellë arrihet të vatidet vetëm 1/3 ose rreth 2500 hektarë. Kryetari aktual i bashkisë Pogradec, kishte premtuar zgjidhjen e problemit të vaditjes brenda 7 muajve të parë të mandatit, por nga verifikimi rezulton se fermerët po shpenzojnë jashtë mundësive për pompa dhe kaburant, pasi sistemi vaditës është jashtë funksionit.
————————————
Një ditë para zgjedhjeve lokale të 30 qershorit të vitit 2019, kandidati socialist për bashkinë e Pogradecit Ilir Xhakolli premtoi se brenda 7 muajve të parë të mandatit do të zgjidhte problemin e vaditjes së tokave bujqësore duke pastruar kanalet vaditëse.
“ Qeveria para tre vitesh i ka dhënë bashkisë së Pogradecit një mjet me vlerë 100 mijë euro si dhe një fond të caktuar për të siguruar naftën dhe mendoj se këto kanë qenë të mjaftueshme për të zgjidhur problemin e vaditjes së tokave bujqësore dhe pastrimit të kanaleve në territorin e bashkisë. Mendoj se kjo problematikë mund të zgjidhet brenda shtatë muajve. Sikur nga një muaj ta lemë mjetin në çdo njësi administrative për shtatë muaj kjo punë mbyllet dhe jam i sigurt për këtë” – deklaroi kandidati socialist Ilir Xhakolli
Kur kanë kaluar dy vite e gjysmë nga ky premtim, ne bëmë një verifikim, në fshatrat Blacë dhe Zagorçan të bashkisë së Pogradecit, banorët e të cilëve jetojnë me bujqësi. Nga komunikimi me ta dhe vëzhgimi në terren konstatuam se kanalet vaditëse pastrohen rregullisht nga bashkia, por pjesa më e madhe e tokave bujqësore mbeten pa ujë për shkak të daljes jashtë funksionit të infrastrukturës së vaditjes.
Sali Çela, banor në fshatin Zagorçan ka 8 dynym tokë dhe është në mëdyshje nëse duhet ta punojë apo ta lerë djerrë, pasi e ka të pamundur të përballojë veç të tjerash edhe kostot e vaditjes me pompë.
“Sistemi vaditës ka 30 vite që nuk funksionon, kanalet u prishën dhe tubat u vodhën. Edhe elektropompa u prish dhe nuk u kujtua njeri ta zëvendësonte”-pohon 68 vjeçari.
Kanalet vaditëse ne Zagorçan
“Nuk di çfarë të bëj me tokën pasi vaditja e një dynymi me pompë më kushton 800 lekë. Po të vadisësh gjithë sipërfaqen që ke, nga harxhimet të dhemb koka, pasi ti nuk vadit një ditë apo dy, por vaditja fillon në maj dhe mbaron në shtator. Për pompën harxhova gati një mijë euro, por nuk ia vlen. Nafta është e shtrenjtë dhe nuk kam leverdi të mbjell, se edhe po mbolla prodhimin nuk kam për ta shitur dot. Më e keqja është se kanalet po shterojnë dhe jemi të varur nga reshjet. Ja, në janar nuk ka rënë fare borë dhe po vazhdoi kështu kanalet kanë për të shteruar dhe gjithçka kemi mbjellë nuk do japë prodhim”-ankohet i moshuari, i revoltuar se bujqësia po shkon drejt falimentimit të sigurtë.
Në foto Sali Çela, banor i fshatit Zagorçan, Porgradec
Të njëjtin shqetësim ka edhe Nevruz Çinari. 75 vjeçari thotë se nuk ka mundësi ekonomike që të vadisë tokat me pompë, pasi kjo kushton shumë dhe rrit koston e prodhimeve.
“Kemi pasur sistem vaditës shumë të mirë, por e shkatërruan. Para viteve ‘90 vaditej edhe pjesa e malit, deri në Qarrishtë, por tani nuk na mban xhepi as për të vaditur një ngastër toke. Unë pompë nuk kam dhe jam në dorë të Zotit. Po ra shi dhe borë do bëj një dorë prodhim, po të jetë thatësirë, mundi do më shkojë kot!”- thotë Çinari i cili kujton se nga viti 2000 filloi një investim për sistemin e vaditjes, por veç disa tubave që më parë u vodhën se u shtruan, nuk pati ndërhyrje tjetër.
Në foto Nevruz Çinari, banor i fshatit Zagorçan
Një tjetër banor i Zagorçanit i cili nuk pranoi të identifikohej tha se 12 dynymët i vadit me pompë dhe ujin e merr nga kanalet vaditëse, të cilat mbushen vetëm kur ka reshje.
“E kemi shumë të vështirë të përballojmë edhe shpenzimet e vaditjes. Një dynym do të vaditet me pompë për 6 orë dhe me këtë çmim që ka karburanti, nuk ia vlen që ta mbjellësh tokën. Kanale vaditëse kemi, por janë zhdukur pompat që në kohën kur u ndryshua sistemi dhe situata sa vjen dhe bëhet më e vështirë për ne që jetojmë me bujqësi.”-pohoi fermeri i fshatit Zagorçan.
Në përgjigjen e kërkesës për informacion bashkia e Pogradecit pohon se nga 8 137 ha tokë bujqësore që kultivohet, ujitja është siguruar vetëm për për 2500 ha, ndërkohë që shumë fshatra vuajnë prej vitesh pasojat e dëmtimit dhe daljes jashtë funksionit të infrastrukturës vaditëse.
“Shqetësim për mungesën e ujit për vaditje kanë njësitë administrative Udenisht, Trebinjë, Propotisht dhe njësi të tjera administrative.”-thuhet në përgjigjen e bashkisë së Pogradecit.
Screenshot i përgjigjies së bashkisë Pogradec
74 vjeçarja Bare Çela tokat i ka lënë djerrë.
“Më ikën të gjithë jashtë se këtu nuk nxirrnin dot as bukën. Tokën e kemi të mirë, por nuk kemi ujë dhe për të vaditur të kushton një mal me lekë. Që të vaditësh duhet të blesh pompë dhe të shtrosh tubat vetë në arë, se nuk lanë gjë pa shkatërruar dhe pa vjedhur.”-thotë e moshuara.
Mungesa e sistemit të vaditjes është shqetësim edhe për banorët e fshatit Blacë, ku pjesa më e madhe e sipërfaqes së tokës mbetet pa u vaditur.
Në foto, tokë bujqësore në fshatin Blacë, Pogradec
Seladin Mekolli ka një sipërfaqe prej 4 dynymësh dhe për të vaditur tokën ka hapur vetë një pus, ujin e të cilit e merr me kova.
“Kështu si unë janë edhe shumica e banorëve të Blacës, pasi sistemi vaditës u prish. Kanalet vaditëse pastrohen nga bashkia, por kjo nuk e zgjidh problemin, pasi jo i gjithë rrjeti funksionon. Vaditen vetëm tokat që janë poshtë se për pemtoret nuk bëhet fjalë. Pa vaditje janë tokat në vendin e quajtur Soblacë dhe Pracalec por ka edhe ara që nuk vaditen.”- thotë 52 vjeçari.
Sipas bashkisë së Pogradecit edhe rrjeti i kanaleve ujitëse vijon të mbetet shqetësim për fermerët, pasi pjesa më e madhe e tij është jo funksionale.
“Skema ujitëse (rrjeti i kanaleve ujitës) është 150 km, nga të cilët janë funksionalë 55 km. Kanale ujitës jashtë funksionit në të ardhmen do të jenë edhe 50 km të ish stacioneve të elektropompave”- thuhet në përgjigjen e bashkisë së Pogradecit.
Fermerët e Blacës janë të varur nga rreshjet, mungesa e të cilave zbraz rezervuarin e Bratimores, prej nga sigurohet vaditja e një pjese të arave.
Mitat Mekolli thotë se kur bën thatësirë fermerët nuk kanë mundësi tjetër për të vaditur tokat.
“Unë kam 12 dynymë tokë, të cilën e mbjell me jonxhë, tërshërë, grurë dhe pak me perime. Sistemi vaditës ka shumë vite që nuk funksionon dhe zgjidhjen e kam gjetur me ujin e pusit. Por të vaditësh tokat me kova êshtë e pamundur dhe shumë e lodhshme, prandaj vadisim vetëm ngastrat që i mbjellim për vete.”-përfundon 65 vjeçari”.
Mungesa e sistemit të vaditjes po i detyron fermerët e zonës të braktisin bujqësinë, ndërsa bashkia e Pogradecit veç mirëmbajtjes së rrjetit dhe hartimit të projekteve nuk ka bërë asnjë investim për rehabilitimin e sistemit të degraduar.
Bashkia pranon se dy vitet e fundit nuk ka pasur asnjë investim në sistemin vaditës, ndërsa investimi i fundit është bërë në vitin 2017 me një fond 55 milionë lekë.” “Bashkia po punon për mirëmbajtjen e kanaleve ujitës me grantet e MZHBR, me vlerë 3 milionë lekë.”-thuhet në përgjigjen e bashkisë ku sqarohet se bashkia ka hartuar projekte për rehabilitimin e 6 kanaleve ujitës me vlerë 75 milionë lek dhe mbeten në pritje të financimit nga Ministria e Bujqësisë.
Drejtori i Drejtorisë së Korçës Vullnet Gjolla, i cili ka vite në drejtimin e këtij institucioni, e sheh si pozitive reformën teritoriale e cila kaloi në varësi të bashkive sektorin e bujqësisë. Sipas Gjollës gjatë viteve të fundit ka pasur ndërhyrje dhe investime për përmirësimin e sistemit të vaditjes nga ana e bashkive të Juglindjes, por rritja e sipërfaqeve nën ujë mbetet ende një sfidë.
“ Në kushtet kur burimet ujore po reduktohen dhe thatësira për rajonin e Korçës po bëhet vit pas viti shqetësuese, është e nevojshme që për të garantuar vaditjen e tokave bujqësore së pari duhet të pastrohen dhe thellohen rezervuarët natyrorë, të investohet për ndërtimin e ujëmbledhësve artificialë si dhe të futen në sistemin e vaditjes burime të reja uji, që deri tani kanë qenë jashtë sistemi. Futja e teknologjive të reja në vaditje, siç është vaditja me pika, do të rriste shumë eficencën e këtij procesi jetik për bujqësinë, por nga ana tjetër do të kursente dhe burimet hidrike”- përfundoi argumentin Vullnet Gjolla.