.

.

BallinaPremtimeU premtua furnizimi me 24 orë ujë në Hotolisht, por ujësjellësi është ende jo funksional

U premtua furnizimi me 24 orë ujë në Hotolisht, por ujësjellësi është ende jo funksional

Deputeti i PS, Taulant Balla deklaroi në fillim të këtij viti se ujësjellësi i ri në fshatin Hotolisht, do furnizonte me ujë 24 orë 180 banorë të zonës. Ujë i pijshëm, që sipas bashkisë Librazhd ka marrë zgjidhje në zonën urbane, për shumë banorë të njësivë administrative është problem madhor. Faktoje bëri një verfikim të premtimit të deputetit, duke iu referuar burimeve zyrtare dhe verifikimit në terren, konstatoi se zgjidhja për këtë problem duket ende larg.


Më 3 janar, Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla në një status në rrjetin social Facebook shkruante:

E filluam vitin e ri 2021 me një punë tjetër të përfunduar. Ky investim i Bashkisë Librazhd ka bërë të mundur furnizimin me ujë të pijshëm të banorëve të kësaj zonë në kohë të plotë, 24 orë ujë dhe me cilësi, pasi uji merret nga burimet malore mbi 1 mijë metra”.

                          Statusi i Taulant Ballës, 3 janar 2021

Për të verifikuar këtë premtim, fillimisht “Faktoje” iu drejtua me një kërkesë për informacion Bashkisë Librazhd ku pyeti ndër të tjera se sa është koha mesatare e furnizimit ditor me ujë në fshatrat e bashkisë Librazhd.

                      Kërkesë për informacion drejtuar Bashkisë Librazhd, 5 janar 2021

Bashkia Librazh dha këtë përgjigje:

“Koha mesatare e furnizimit me ujë të pijshëm në fshatra në bashkinë Librazhd është rreth 19-24 orë kryesisht gjatë muajve të verës. Vlera e investimeve të kryera në 3-4 vitet e fundit për furnizimin me ujë të pijshëm në bashkinë e Librazhdit është përafërsisht 313.420.000 lekë me tvsh.”

                                                 Përgjigje e Bashkisë Librazhd, 15 shkurt 2021

Faktoje bëri një verifikim në terren më 28 shkurt, në njësinë administrative Hotolisht, mbi furnizmin me ujë dhe nëse ishte vënë në funksion depoja e ujit e premtuar se nga deputetit Balla. Depoja ishte përfunduar, por banorët ende nuk po furnizoheshin me ujë prej saj për shkak të mungesës së tubacioneve.

     Depoja e përfunduar që parashikohet të furnizojë me ujë të pijshem banorët e Hotolishtit, 28 shkurt 2021

Ndërsa presin përfundimin e rrjetit të kanalizimeve për furnizimin me ujë nga depoja e Hotoloshtit, banorët na treguan se gjatë këtyre viteve kishin improvizuar vetë disa tubacione që u sillte ujin nëpër shtëpi nga mali.

              Tubat e imporvizuar nga banorët e Hotolishtit për të marrë ujin e pijshëm, 28 shkurt 2021

V.M tha për Faktoje:

“Ne kemi ujë këtu, po nuk e marrim nga depoja e re akoma, na kanë thënë se do të furnizohemi me atë dhe do fillojmë të paguajmë”.

                 Banesa e V.M që e ka siguruar ujin përmes tubacioneve të improvizuara, 28 shkurt 2021

Kemi vuajtur mungesën e ujit të gjithë, para 7 viteve unë kam hapur pusin në shtëpinë time, e ashtu siç kanë bërë të gjithë banorët e kësaj zone, kam punuar katër muaj për të marrë këtë burim nga mali. Depoja është bërë, ne kemi filluar të hapim kanalin për të marrë ujin me tub. Po presim kur të bëhet e realizueshmë”- u shpreh një banor i cili nuk pranoi të identifikohej.

        Foto e puseve individuale për furnizmim me ujë të një familjeje në Hotolisht, Librazhd, 28 shkurt 2021

Faktoje shkoi edhe në fshatin Neshtë të bashkisë Librazhd, me 180 banorë, . Sipas raportimit të banorëve, ata furnizohen me ujë vetëm në periudhën e dimrit, ndërsa pjesën tjetër të vitit përballen me sfida për ujin e pijshëm.

Dylaveri, banor i zonës tha për Faktoje:

“Në dimër kemi ujë mjaftueshëm, deri në muajin maj, pastaj përfundon gjithçka, për të pirë shkojmë tek burimet e të afërmve tanë, është një problem që nuk ka zgjidhje, në çdo fushatë premtojnë, por asgjë deri tani, si fshat kemi shumë probleme”.

“Fshati Funarë nuk ka ujë farë, thatësirë komplet edhe për të pirë shkojnë të furnizohen tek një fshati tjetër që ka burime, Funaresi”- u shpreh për Faktoje një tjetër banor i kësaj zone i cili nuk pranoi të identifikohej.

Nga dëshmitë e banorëve në Hotolisht, furnizimi me ujë nuk po ndodh përmes ujësjellësit të premtuar, fshatra të ndryshëm të kësaj njësie kanë improvizuar zgjidhje duke hapur puse apo vendosur tuba nëpër përrenj.

Në 3 mars, ekzaktësisht 3 muaj pas premtimin, përmes një komunikimi në whatsapp me zotin Taulant Balla duke e pyetur se kur do të bëhej funksional ujësjellësi i premtuar prej tij.

“Ujësjellësi i Hotolishtit është vënë në funksion që në fund të janarit. Banorët po lidhin kontrata me ndërmarrjen e Ujësjellësit dhe po furnizohen 24 orë me ujë”. Tha Balla për Faktoje.

Faktoje iu drejtua me një kërkesë tjetër për informacion edhe bashkisë Librazhd lidhur me këtë çështje dhe jemi ende duke pritur përgjigje.

                            Kërkesë për informacion drejtuar Bashkisë Librazhd, 3 Mars 2021

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img