Sebi Alla Kryetari i Komisionit për Punët e Jashtme në Parlamentin Europian (AFET), David McAllister, përmendi disa herë fjalën “jam vonë për në aeroport”, por pavarësisht “nevojës për tu larguar” ai dha disa mesazhe të qarta si: “lufta kundër korrupsionit nuk është në nivele të kënaqshme”; “çështja Balluku është kritike” dhe “shqetësim për polarizimin politik”.
Korrupsioni
Diplomati i lartë i PE-së u ndal gjatë në çështjen e korrupsionit në Shqipëri, për të cilën shprehu rezerva për nivelin jo të kënaqshëm në luftën kudër tij, duke u bazuar edhe në raporte. “Ekziston nevoja për të ruajtur forcën lëvizëse në luftën kundër korrupsionit. Shumë është arritur në këtë fushë, por ende nuk është në nivelin e kënaqshëm. Shqipëria ka humbur 11 vende sipas Transparency International. Duhet të mos ketë ndërhyrje politike dhe politikanët duhet të japin shembullin duke mos ndërhyrë”, tha McAllister.
Balluku çështje kritike
I pyetur disa herë për çështjen “Balluku” dhe nismën e qeverisë për ndryshimet ligjore që i heqin gjykatave të drejtën për pezullimin e anëtarëve të kabinetit qeveritar dhe vetë kryeministrit, McAllister tha se ishte njohur me çështjen e zëvendëskryeministres. “Nuk jam në pozicion të komentoj raste individuale në detaje, por do të them se çështja që përfshin zv/kryeministren Balluku është test kritik për Shqipërinë në luftën e saj kundër korrupsionit”, u shpreh ai.
Protesta e opozitës
Në lidhje me protestat e opozitës, McAllister kërkoi nga palët dialog. Ai tha se BE i ka ndjekur me shqetësim zhvillimet në Shqipëri, përfshi edhe protestat që po organizohen nga opozita. “Jemi të shqetësuar për polarizimin politik. Duhet të ketë më shumë stabilitet dhe dialog politik në vend. Shumica duhet të krijojë hapësirë për opozitën dhe opozita të jetë më bashkëpunuese. Protestat e dhunshme nuk kanë vend në demokracinë funksionale”, tha ai. Vizita e diplomatit të lartë të PE-së dhe delegacionit që e shoqëronte konsiderohet e rëndësishme për vijimin e mëtejshëm të procesit të integrimit të vendit tonë.
Vizita
Kreu i Komisionit për Punët e Jashtme në PE, bashkë me një grup deputetësh vizituan Shqipërinë, në një tur që përfshin edhe Malin e Zi, si dy nga vendet e Ballkanit Perëndimor që kanë hapur disa grupkapituj për negociatat me BE-në. Ai zhvilloi takime me kreun e qeverisë Edi Rama, ministren për Europën dhe Punët e Jashtme Elisa Spiropali dhe deputetët Igli Hasanj, Gazmend Bardhi, Taulant Balla dhe Jorida Tabaku. Një takim me kreun demokrat Berisha nuk u zhvillua prej tij, por edhe këtë e justifikoi se “jam vonë, duhet të iki për në aeroport”.






