Kryeministri Edi Rama prej javësh ka refuzuar të japë shpjegime në Kuvendin e Shqipërisë lidhur me përmendjen e tij 14 herë në aktakuzën e FBI për Mcgonigal. Në të njëjtën ditë që refuzoi të paraqitej në Parlament për të dhënë përgjigje për çështjen, Kryeministri bëri “xhiro” në studio televizive ku i pyetur nga gazetarët dha disa përgjigje, një pjesë e të cilave të ndërtuara në teza të mirëfillta. Faktoje vërtetoi se si interpretimi që Kryeministri i bën leximit të aktakuzës, në fakt nuk përputhet me atë çfarë shkruhet e zeza mbi të bardhë nga FBI-ja amerikane.

Jona Plumbi

Pak orë pasi refuzoi detyrimin kushtetues për të dhënë llogari përpara zgjedhësve në parlament, Kryeministri Rama zgjodhi të përgjigjej për çështjen në studiot televizive të mbremjeve. I pyetur nga gazetarët lidhur me përmendjen e tij në aktakuzën e FBI ndaj Mcgonigal, kryeministri ndërtoi disa teza në ‘mbrojtje’ të tij, një pjesë e të cilave nuk përputhen me faktet e publikuara nga drejtësia amerikane.

Faktoje përzgjodhi tri teza:

Teza 1 –McGonigalin dhe Agron Nezën i prita në zyrë si zyrtarin e FBI-së dhe mikun e tij, jo si biznesmenë

Në përgjigjet e tij mbi takimin e parë që zhvilloi me McGonigal në zyrën e tij, Kryeministri Rama ka përsëritur disa herë se McGonigal ka ardhur si zyrtar i FBI-së, ndërsa Neza si miku i tij të cilin Rama nuk e kishte takuar më parë. Në takim kryeministri pretendon se ka pasur një bashkëbisedim miqësor në terma të përgjithshme dhe asgjë konkrete për një kompani apo tjetër.

Fakt: Drejtësia amerikane ka faktuar se gjatë këtij takimi, që McGonigal më pas e fshehu nga FBI, McGonigal i kërkoi Kryeministrit Rama të merrte një vendim me pasoja të mëdha financiare. Bisedë aspak në terma të përgjithshme, ndryshe nga çfarë pretendon kryeministri. FBI thekson gjithashtu se McGonigal u nxit nga Agron Neza për t’i bërë kryeministrit Rama këtë kërkesë. Aktakuza ka faktuar gjithashtu se Agron Neza dhe Dorian Duçka ishin bashkëpunëtorë në biznes dhe se Duçka ishte njëkohësisht edhe këshilltar i kryeministrit Edi Rama.

Të gjithë këto fakte nuk përputhen me pretendimin se Neza u paraqit thjesht si mik i McGonigalit dhe se nuk u fol për gjëra kontrete për një kompani apo tjetrën.

Teza 2 – Çështja e Shqipërisë nuk ka lidhje me akuzat, McGonigal mori “borxh” nga Neza, nuk akuzohet për korrupsion

Një tjetër tezë e përsëritur disa herë nga kryeministri Rama në daljet e tij televizive është se hetimi kryesor ndaj McGonigal është ai që lidhet me oligarkun rus Oleg Deripaska dhe se çështja e Shqipërisë “ka dalë rrugës dhe s’ka lidhje as me rusë, as me kinezë, as me anglezë”. McGonigal nuk akuzohet për korrupsion, por për shkelje të rregullave pasi mori një borxh nga Agron Neza.

Fakt: Hetimi ku përfshihet Shqipëria është i ndryshëm nga hetimi për oligarkun Deripaska. Faktoje ka shpjeguar se akuzat ndaj McGonigal janë ngritur në dy aktakuza të veçanta, ku secila ngre akuza të ndryshme. Ndaj, asnjëra prej të dyjave nuk ka dalë rrugës, siç pretendon kryeministri.

Gjithashtu, një tjetër fakt i publikuar nga FBI tregon se edhe çështja ku përmendet Kryeministri Rama lidhet me shtetet e lindjes. Sipas FBI-së, Dorian Duçka, këshilltar i kryeministrit Rama, ishte i punësuar nga një konglomerat kompanish kineze që operonin në fushën e energjisë. Kjo vërtetohet edhe nga mediat kineze ku Dorian Duçka paraqitet si ekspert shqiptar në fushën e investimeve, që promovon vizionin e ekonomisë kineze si rrugën që duhet ndjekur në mënyrë kolektive nga ekonomitë e botës.

Një tjetër mospërputhje mes interpretimit që kryeministri i bën aktakuzës dhe asaj çfarë shkruhet në të vërtetë, është se McGonigal nuk akuzohet vetëm për mosdeklarimin e parave të marra nga Neza dhe shkeljen e rregullave etike apo të deklarimit. Një prej akuzave më të rënda ndaj McGonigal është se ka punuar për një oligark rus, ka tentuar ta heqë atë nga lista e të sanksionuarve, i ka ofruar shërbime, si dhe ka pastruar para ruse përmes një kompanie amerikane.

Teza 3 – Informacioni për lobistin amerikan nuk doli nga zyra e kryeministrit.

Kryeministri Edi Rama ka theksuar disa herë se zyra e tij ishte informuar në lidhje me lobimin e PD-së në SHBA përmes një artikulli të publikuar nga BIRN në vitin 2017 dhe se kryeministria nuk kishte asnjë informacion më shumë për këtë çështje. Rama theksoi disa herë se nuk ishte zyra e tij ajo që i ka dhënë informacion Nezës për lobistin amerikan. “Nëse do kishim do t’ia jepnim.” – tha Rama.

Fakt: Aktakuza e shkruan e zeza mbi të bardhë se informacioni për lobistin amerikan që Neza ia dha McGonigalit, kishte dalë një ditë më parë nga zyra e kryeministrit të Shqipërisë.

Pjese nga aktakuza McGonigal ku permendet Kryeministri Rama

Akuza e FBI-së lidhur me këtë fakt, është se McGonigal nxiti FBI-në të niste një hetim, ku përfshiu si dëshmitar Agron Nezën, pa njoftuar FBI-në se informacionet për hetimin ia kishte dhënë vetë Neza, apo që këtë person McGonigal e ka mik apo që i kishte marrë $225,000. FBI faktoi edhe se për udhëtimin dhe shpenzimet e dëshmitarëve në çështjen Nik Muzin, kishte paguar Dorian Duçka, këshilltari i kryeministrit Rama.

Përfundimi

Këto dhe teza të tjera, ndërtuar për të treguar versionin e tij të ngjarjeve, kryeministri Rama i tha përpara gazetarëve në studiondryshme televizive. Faktoje është ende në pritje të zbatimit të ligjit kushtetues dhe zhvillimit të interpelancës parlamentare, si instrumeti ligjor i shtetit përmes të cilit ministrat dhe kryeministri janë të detyruar të japin llogari.