Nga Mimoza Picari – Në Shqipëri prej 17 vitesh zhvillohet vetëm transplanti i veshkave në dy struktura shëndetësore private, i cili rimbursohet nga buxheti i shtetit. Për transplantet e tjera qytetarët që kanë mundësi financiare drejtohen jashtë vendit, ndërsa autoritetet nuk dhanë shpjegime nëse ka ose jo Ministria e Shëndetësisë protokolle bashkëpunimi me institucione shëndetësore në vende të tjera për qytetarë, që kanë nevoja të tilla. Mjekë dhe ekspertë thonë se duhen shtuar përpjekjet për zhvillimin e mëtejshëm të fushës së transplanteve, e cila paraqet sfida të shumta, që nga edukimi i shoqërisë për dhurimin e organeve dhe deri tek kostot e larta të ofrimit të këtij shërbimi.
Sistemi shëndetësor në Shqipëri paraqet sfida të shumta kur bëhet fjalë për transplantet e organeve. Megjithëse ligji i vitit 2011 “Për transplantimin e indeve, të qelizave dhe të organeve në republikën e Shqipërisë” vendosi një bazë për të gjitha organet, transplantet kryhen vetëm për veshkat, e rregulluar ligjërisht në vitin 1997.
Ky shërbim ofrohet në dy spitale private, dhe rimbursohet nga buxheti i shtetit. Që prej vitit 2008 janë kryer 335 transplante të veshkave nga donatorë të gjallë me lidhje familjare, sipas të dhënave të publikuara në kongresin ndërkombëtar të organizuar për herë të parë në Shqipëri nga Shoqata Evropiane e Transplantimit të Organeve. Por gjithçka ka mbetur këtu, ndërsa mjekë dhe ekspertë të fushës së shëndetësisë po ngrenë një debat mbi përparimin e fushës së transplanteve që do të bënte të mundur transplantin e melçisë, palcës së kockës apo pankreasit, kundrejt afro 15 -18 tipologjive të transplanteve që zhvillohen sot në botë, disa prej tyre në faza eksperimentale.
Shefi i klinikës 1 kirurgjikale në QSUT Arvin Dibra, tha për Faktoje.al se duhen shtuar përpjekjet për t’i hapur rrugë kryerjes së tranplanteve të tjera në vend përveç atij të veshkave, që është më i shpeshti në botë.

“Duke pasur parasysh epidemiologjinë dhe nevojat për transplante pak a shumë mendoj se duhet të jenë të ngjashme dhe këtu tek ne. Mendoj se është një fushë për të cilën duhet të fillojmë të punojmë dhe të përpiqemi për ta ofruar edhe këtë shërbim, i cili është shumë kompleks dhe për pasojë ka dhe nevojë për një kujdes të veçantë shumëplanësh. Në sytë e njerëzve mund të jetë dhe iluzioni që mjafton që të dish ta marrësh dhe ta heqësh dhe ta vendosësh një organ por ndërkohë ka një plan shumëdimensional për të cilin duhet të fillojmë të punojmë, pa të cilin çdo akt unik transplanti, siç mund të jenë dhe ato që u bënë dikur në QSUT, do të mbeteshin në vlerën e një individi dhe jo të një shërbimi”, thotë Arvin Dibra, shef i klinikës 1 kirurgjikale në QSUT.
Nga ana tjetër mjekja e shërbimit të nefrologjisë në Shqipëri Arjana Strakosha tha në një përgjigje me shkrim për Faktoje. al se nevojiten disa përmirësime edhe në fushën e transplantit të veshkave, që synojnë transplante nga donatorë kadaverik, si dhe rregullime ligjore që mundësojnë realizimin e transplantit të veshkave me shkëmbim donatoresh të gjallë në rastet kur nuk ka pajtueshmëri.
Por pyetja që shtrohet sot me këtë panoramë që ofron mjekësia në Shqipëri është: Çfarë ndodh me qytetarët që kanë nevoja jetike për transplante të organeve të tjera? Ministria e Shëndetësisë nuk iu përgjigj interesit të Faktoje.al për një intervistë në lidhje me problematikat e transplanteve në Shqipëri, dhe nuk mundi të qartësojë ( deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi) nëse ka apo jo kjo Ministri protokolle bashkëpunimi me institucione shëndetësore jashtë vendit për kryerjen e llojeve të tjera të transplanteve kundrejt rimbursimit nga buxheti i shtetit shqiptar.
Por nga të dhëna të siguruara në rrugë jo zyrtare mësohet se shumica dërrmuese e qytetarëve që kanë nevoja të tilla, duhet t’i gjejnë vetë mundësitë jashtë vendit me shpenzimet e tyre.

Faktoje.al arriti të sigurojë dëshminë e qytetarit Ermal Muhametaj, që ka kryer transplantin e palcës së kockës në Turqi, (Spitali Acibadem) si dhe dëshminë e të afërmes së një pacienteje që ka kryer transplantin e mëlçisë, të cilët pasi janë diagnostikuar në Shqipëri, iu është bërë e ditur nga mjekët se nuk mund të kurohen në vend.
“Më tha mjeku këtu mund të shesësh shtëpinë dhe gjithçka, por zgjidhje në Shqipëri nuk ke. E vetmja mënyrë ishte të ikja jashtë. Turqia ishte e hapur për të udhëtuar në atë kohë se bëhet fjalë për vitin 2020, në kohën e Covid-it, dhe aty u drejtuam”, thotë Z. Muhametaj.
E afërmja e pacientes që ka kryer transplantin e mëlçisë në Turqi, kërkoi të mbetej anonim. Ajo konfirmoi të njëjtën situatë si Zoti Muhametaj.

“Mjekët shqiptarë na thanë nuk ka zgjidhje këtu në Shqipëri nuk mund të realizohet asnjë lloj mjekimi tjetër. Nëse ju nuk do përpiqeni dhe nuk do gjeni një rrugë për të shkuar në një spital jashtë vendit për të kryer transplantin nuk do gjeni zgjidhje as në strukturat shtetërore dhe as në ato private shëndetësore në Shqipëri, dhe pacientja mund të jetojë dy deri në tre muaj”, thotë e afërmja e pacientes e cila kërkoi të mbetej anonim.
Sot të dy pacientët gëzojnë shëndet të mirë në vitin e pestë dhe të tretë përkatësisht pas kryerjes së transplanteve, por buxheti i tyre familjar është dëmtuar rëndë. Z. Muhametaj thotë se familja e tij ka shpenzuar deri tani mbi 200 mijë euro ndërsa e afërmja e pacientes tjetër rreth 80 mijë euro, si pasojë dhe të disa ndërhyrjeve të tjera të paparashikuara.
Faktoje.al kontaktoi dhe me përfaqësuesen e Spitalit turk “Acibadem” në Shqipëri, për të mësuar më shumë mbi numrin e pacientëve shqiptarë që kryen transplante në vitin 2024 vetëm në këtë spital si dhe mbi kostot e disave prej tyre.
“Aplikime janë shumë po për arsye të kostove dhe të frikërave të ndryshme të tipit që ‘ku do ta marr organin, kujt do t’ia jap organin’ – janë bërë 17 transplante për veshkat, për mëlçinë 8 dhe për palcën e kockës janë bërë 16. Transplanti i veshkës, si paketë vetëm për Shqipërinë dhe Kosovën është 20 mijë euro, transplanti i mëlçisë është 60 mijë euro ndërsa ai i palcës së kockës 35 mijë euro”, konfirmon Flora Manuka, përfaqësuese e grupit spitalor turk “Acibadem” në Shqipëri.
Pra, ata pacientë me fat që mund të përballojnë shuma të konsiderueshme financiare dhe kur gjithçka shkon mirë, ia dalin të kurohen në spitale të ndryshme jashtë vendit. Ndërkaq nuk ka të dhëna se sa qytetarë kanë kryer transplante jashtë kufijve apo sa kanë pasur nevojë për transplante të tilla, apo dhe të tjera, dhe kanë humbur jetën për shkak të pamundësive financiare. Faktoje.al nuk mundi të marrë një koment nga Ministria e Shëndetësisë për këtë çështje, por edhe për aspekte të tjera që lidhen me situatën aktuale dhe të ardhmen në fushën e transplanteve, deri në publikimin e këtij shkrimi.
E megjithatë mjaft ekspertë tashmë e dinë se çfarë kërkohet, si për transplantin e veshkave ashtu dhe për zhvillimin në të ardhmen të transplanteve të tjera në Shqipëri.

“Një aspekt që afekton procesin e transplantit është aspekti i cilësisë. Pra një shërbim mjekësor për të ofruar transplantin duhet patjetër të ketë garanci që ky proces bëhet i një cilësie të lartë profesionale. Një tjetër aspekt i rëndësishëm është ai i sigurisë, sepse mund të kemi abuzime nga operatorë të ndryshëm që mund ta ofrojnë, apo nga profesionistë që mund të jenë problematikë në këtë drejtim. Transplantimi është një proces që afekton dhe buxhetin. Transplantimi konsumon një buxhet shumë të lartë të sistemit shëndetësor. Ky sistem duhet të jetë dhe garantor i jetës së individëve duke rritur normat e buxhetit në drejtim të ofrimit të mundësisë më të lartë të transplantimit”, argumenton për Faktoje.al Qamil Dika, pedagog në Fakultetin e mjekësisë Tiranë.
Shefi i klinikës 1 kirurgjikale në QSUT, Zoti Dibra i konfirmoi Faktoje.al se kanë filluar disa përgatitje në rrafshin teknik dhe social përsa i takon zhvillimit të mëtejshëm të fushës së transplanteve, duke veçuar këtu një projekt serioz, siç e cilëson ai, për të cilin po punon një grup pune nga Ministria e Shëndetësisë, QSUT-së dhe Universitetit Tor Vergata në Romë. Mjaft rëndësi sipas Z. Dibra ka përgatitja dhe specializimi i ekipeve mjekësore si dhe i shoqërisë për konceptin e dhurimin të organeve.
“Dhurimi është problem edhe në vendet e zhvilluara. Ne jemi të vetëdijshëm që ka 30-40 vjet që flitet punohet, miratohen ligje për këtë gjë dhe sërish donacioni është një problem. Edhe tek ne duhet të fillojmë dhe të mendojmë për të orientuar mendimin shoqëror drejt nevojës për një trajtim të tillë, siç është bërë goxha punë në drejtim të dhurimit të gjakut. Po të krahasojmë me kohën e para 20 apo 25 viteve jemi shumë më mirë. Kemi akoma shumë nevoja të paplotësuara por jemi ndjeshëm më mirë se sa ishim. Duhet të fillojmë të punojmë dhe në këtë drejtim”, argumenton Z. Dibra.
Fusha e transplanteve edhe në botën e zhvilluar paraqet sfida të shumta ndërsa në vendet e rajonit ato janë më të mëdha. Nga ana tjetër mjekësisë shqiptare, e cila ka kaluar në vitet e tranzicionit në një rrugë të mundimshme me përparime të ngadalta, herë të qëndrueshme dhe herë jo, do t’i duhet ende kohë për t’u ballafaquar me një fushë sfiduese si ajo e transplantimit të organeve. Por sot profesionistët e fushës së shëndetësisë shqiptare po nxisin debatin për to, i cili së paku për momentin shtron rrugën e së ardhmes në këtë drejtim.
Ky artikull u realizua me mbështetjen e Fondacionit “Friedrich Ebert” në Tiranë
