Tragjasi vijon të vuajë problematika të mëdha sa i përket infrastrukturës rrugore, edhe pse është një nga fshatrat më turistik të qarkut Vlorë dhe pjesë e Programit 100 Fshatra. Faktoje bisedoi nga afër me banorë të Tragjasit të cilët ngrenë si shqetësim rrugët me baltë dhe të pakalueshme nga makinat. E vetmja rrugë me asfalt është ajo që lidh qendrën e fshatit me aksin kryesor Radhimë-Orikum.
Afize Nelaj, studente
Përmirësimi i infrastrukturës rrugore në zonat rurale të vendit tonë nuk është ende një përparësi edhe pas investimeve me mbështetje nga të huajt. Kjo sfidë me të cilën përballen fshatrat sjell mundësi të pakta për zhvillimin e aktiviteteve ekonomike dhe për pasojë banorët zhvendosen drejt zonave urbane. Në vitin 2017 u krijua Programi i Integruar për Zhvillimin Rural -Programi 100 Fshatra nën auditimin e 4 ministrive;
Ministria e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural;
Ministria e Kulturës;
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë;
Ministria e Turizmit dhe e Mjedisit.
Gjatë një prezantimi në muajin korrik të vitit 2018 Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural së asaj kohe, Niko Peleshi deklaroi:
“Kemi zgjedhur “100 fshatrat”, që do të jenë modelet e para të një zhvillimi të ri. Nuk ka asnjë nga 61 bashkitë e vendit, që nuk ka një fshat të përfshirë në këtë projekt. Themelimi dhe bashkëpunimi me gjashtë universitete që lidhen me zhvillimin rural, është një instrument shumë i fortë krijimi, që vjen nga studentët dhe të rinjtë që janë faktorë të zhvillimit.”
Ky plan synonte investime në agroturizëm, ku përfshihej infrastruktura rrugore dhe trashëgimia kulturore. Në listën e 100 fshatrave ishte edhe fshati Tragjas, pjesë e qarkut Vlorë. Megjithatë përfshirja në Programin e 100 Fshatrave, nuk ja zgjidhi problemet me infrastrukturën rrugore këtij fshati të njohur turistik në jugperëndim të vendit.
Rrugë në fshatin Tragjas
Në muajin dhjetor Faktoje vendosi të shkojë në Tragjas për të parë nga afër gjendjen dhe për të pyetur banorët e zonës. Rruga që lidh qendrën e fshatit me aksin kryesor Radhimë-Orikum është e vetmja e asfaltuar, kurse amortizimet e rrugës fillojnë që në hyrje të fshatit deri në rrugët dytësore brenda lagjeve.
Z.Gj është banor i fshatit Tragjas dhe shprehet se edhe pas ndërhyrjeve nga autoritetet rruga mbetet përsëri në gjendje të keqe.
“Këtu është punuar shumë pak dhe në lagjen time janë vendosur vetëm disa shtylla për ndricim, jo deri në fund të rrugës.Sic mund ta shikoni rruga ka shumë gropa, të cilat gjatë kohës me shi mbushen me ujë dhe e vështirësojnë kalimin e rrugës me makinë.”– tregon ai për Faktoje.
Në një lagje tjetër një i moshuar ndau me ne një tjetër shqetësim.
“Djali im donte të ndërtonte një shtëpi këtu por unë vetë nuk doja. Më mirë të ketë një apartament në pallat sesa këtu, me këto rrugë që gjithë baltën e cojmë brenda. E për cfarë të rrijë rinia këtu? Edhe ne që po plakemi duam të largohemi.”– pohon ai gjithë trishtim.
Pavarësisht vlerës turistike dhe historike që ky fshat ka gjendja e tij lë për të dëshiruar. Rruga kryesore për në rrënojat e Tragjasit të Vjetër është në kushte shumë të këqija, duke qenë se askush nuk ka investuar për rregullim dhe mirëmbajtje. Mungesa e investimeve e bën shumë të vështirë rrugëtimin për në Tragjas të Vjetër, veçanërisht gjatë dimrit.
Banorët na tregojnë se e vetmja mënyrë për të shkuar në Tragjas të vjetër mbetet ecja në këmbë. Këtë e dëshmon edhe një turist që Faktoje takoi rastësisht këtë dhjetor në Tragjas.
Rruga që të çon në Tragjasin e Vjetër
“Kam vizituar disa pika turistike këtu në Vlorë dhe më kishin sugjeruar edhe Tragjasin e Vjetër. Pyeta dhe më thanë se duhet ta përshkruaj rrugën në këmbë sepse me makinë është e pamundur. Më vjen keq që vende kaq të bekuara nga natyra të mos kenë kushtet e duhura për të tërhequr akoma më shumë turistë. Unë nuk e kam problem që t’a përshkruaj në këmbë por gjëja ideale do të ishtë udhëtimi me makinë.” – na rrëfen ai.
Nisur nga këto problematike që zbuluam duke parë nga afër Tragjasin, Faktoje i është drejtuar fillimisht Ministrisë së Kulturës, për të pyetur nëse ishin në dijeni për gjendjen e rrugës. Por Ministria e Kulturës ia delegon përgjegjësinë dy institucioneve të tjera, Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural si dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Hapi i radhës ishte një kërkesë për informacion drejtuar Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, por nuk kemi marrë ende përgjigje. Ndërkaq, edhe një raport auditimi për vitin 2022 nga Kontrolli i Lartë i Shtetit ngre pikëpyetje mbi efektet e Programit 100 Fshatrat. Projekti i 100 fshatrave i nisur nga qeveria Rama si një formë për të përqendruar vëmendjen tek zhvillimi rural pas “Rilindjes Urbane” po zbatohet prej disa vitesh por efektet e tij mbeten të panjohura. Auditimi i KLSH-së nënvizon se pamundësia për të matur efektet dhe për të dhënë një ide të qartë, vjen për shkak të mungesës së koordinimit institucional për të hartuar plane vjetore dhe për të ndjekur në detaj objektivat.
^Shkrimi publikohet në kuadër të projektit “Forcimi i kapaciteteve mbi verifikimin e Fakteve mbi çështjen integrimit në BE” i mbështetur nga Ambasada Suedeze në Shqipëri.