Nga Anila Balla
Në një analizë të situatës së teatrove të qyteteve në Shqipëri, tri faktorë kryesorë dalin në pah si pengesa të mëdha: mungesa e një ekosistemi kulturor të larmishëm dhe gjithëpërfshirës, financimi i pamjaftueshëm dhe mungesa e një strategjie të qartë për menaxhimin e institucioneve teatrore në nivel vendor.
Aktualisht në Shqipëri, përveç teatrove kombëtare në Tiranë, veprojnë gjashtë teatro të rëndësishme: Teatri “Migjeni” në Shkodër, Teatri “Aleksandër Moisiu” në Durrës, Teatri “Skampa” në Elbasan, Teatri “Andon Zako Çajupi” në Korçë, Teatri “Bylis” në Fier dhe Teatri “Zihni Sako” në Gjirokastër. Këto teatro kanë organikën e plotë dhe infrastrukturën e nevojshme për zhvillimin e aktiviteteve artistike.
Në përputhje me detyrimet ligjore, bashkitë janë të obliguara të mbështesin zhvillimin e kulturës dhe aktivitetet artistike në nivel lokal, duke ofruar mundësi për promovimin e trashëgimisë kulturore dhe përkrahjen e iniciativave artistike. Mirëpo, praktikisht, ekosistemi kulturor lokal mbetet i fragmentuar dhe shpesh i pamjaftueshëm për të krijuar një impakt të qëndrueshëm.
Bashkitë më të mëdha mbështeten te teatrot e tyre, ndërsa shumica e qyteteve të tjera shfrytëzojnë qendra kulturore multifunksionale ose pallatet e kulturës. Megjithatë, aktivitetet në këto struktura shpesh kufizohen në aktivitete shkollore, duke mos arritur të krijojnë një publik të qëndrueshëm. Gjithashtu, këto hapësira shpesh qëndrojnë të pashfrytëzuara për pjesën më të madhe të vitit. Veçanërisht gjatë sezonit turistik, kur mundësitë për tërheqjen e publikut janë më të mëdha, shumë teatro mbajnë dyert e mbyllura, duke humbur kështu mundësi të vyera për zhvillimin e aktiviteteve kulturore.
Situata financiare
Të dhënat nga Plani Buxhetor Afatmesëm (PBA) i bashkive për vitin 2024 japin një pasqyrë të shpërndarjes së fondeve për institucionet teatrore në qytetet kryesore të Shqipërisë. Analiza e këtyre të dhënave tregon se, ndonëse disa bashki kanë alokuar buxhete të konsiderueshme për projekte artistike, sfidat për zhvillimin e teatrit mbeten të thella, duke përfshirë mungesën e diversifikimit të programeve dhe barrierat për tërheqjen e audiencës.
Në Fier, Teatri, së bashku me shërbime të tjera kulturore ka buxhetin më të lartë për vitin 2024, me një fond prej 78,657,000 lekësh, ku 10,000,000 lekë janë dedikuar për projekte artistike. Ky buxhet mundëson realizimin e gjashtë premierave, përfshirë pesë komedi dhe një dramë. Megjithatë, këto shfaqje shpesh janë të orientuara drejt komedisë, duke injoruar mundësitë për prodhime për fëmijë dhe adoleshentë.
Teatri i Elbasanit ka një buxhet total prej 57,654,000 lekësh, me 22,330,000 lekë të destinuara për projekte artistike. Programi kulturor përfshin tri premiera teatrore, dy shfaqje të kukullave dhe 30 aktivitete artistike të tjera. Megjithatë, Elbasani, pavarësisht se ndodhet vetëm 30 minuta larg Tiranës, ka një problem të theksuar me tërheqjen e audiencës nga kryeqyteti, me një numër të ulët spektatorësh që vizitojnë këtë teater.
Në Shkodër, teatri menaxhon një buxhet prej 52,073,000 lekësh, nga të cilat 11,300,000 lekë janë alokuar për projekte artistike. Pavarësisht buxhetit të kufizuar, teatri ka planifikuar një program ambicioz me nëntë premiera, përfshirë shfaqje për fëmijë dhe festivale për të rinjtë.
Në Vlorë, teatri ka një buxhet total prej 43,305,000 lekësh, nga të cilat vetëm 500,000 lekë janë dedikuar për projekte artistike. Ky buxhet i kufizuar dhe periudhat pa aktivitet gjatë sezonit turistik dëmtojnë mundësitë e zhvillimit dhe tërheqjes së spektatorëve, të cilët mund të kontribuonin në pasurimin e jetës kulturore të qytetit.
Ndërkohë, Teatri i Durrësit ka një buxhet total prej 21.472.000 lekë dhe 6,340,000 lekë shkojnë për projekte artistike, por numri i premierave është në rënie: nga gjashtë në vitin 2022, në katër në vitin 2023, dhe tre për vitin 2024. Kjo rënie e numrit të premierave, bashkë me një mungesë investimesh për zhvillimin e strukturave të tjera, tregon një nevojë të madhe për rishikimin e politikave kulturore dhe financiare të qytetit.
Të dhënat fianciare tregojnë se në të gjitha teatrot, përqindja më e madhe e buxhetit shkon për paga dhe shpenzime administrative.
Analiza e të dhënave për vitet 2022-2024 tregon një prirje drejt uljes së numrit të premierave në shumicën e teatrove. Përjashtim bën Shkodra, e cila ka rritur ndjeshëm prodhimet për vitin 2024, duke ofruar një model që mund të ndiqet edhe nga teatrot e tjera. Nga ana tjetër, institucionet në qytetet bregdetare si Vlora dhe Durrësi shfaqin nivelet më të ulëta të financimit për projekte artistike, pavarësisht potencialit të tyre turistik. Këto gjetje ngrejnë disa çështje të rëndësishme për diskutim: Dominimi i shpenzimeve administrative mbi ato artistike: Një shpërndarje e tillë dëmton krijimtarinë dhe qëndrueshmërinë artistike; Tendenca në rënie e premierave: Kjo ulje kufizon ofertën kulturore dhe mund të ndikojë negativisht në angazhimin e publikut; Mungesa e një bashkëpunimi mes teatrove: Ndërveprimi i kufizuar midis teatrove në rrethe dhe një rrjet i dobët shkëmbimi artistik pengojnë rritjen e cilësisë dhe diversitetit të prodhimeve.
Një model decentralizimi dhe rijetëzimi
Kiço Londo, ish-drejtues teatri dhe aktualisht në krye të Teatrit Shëtitës “Çajupi,” sugjeron një model inovativ për rigjallërimin e teatrit në Shqipëri përmes konceptit të “teatrit të qarkut.” Sipas këtij modeli, një shfaqje duhet të prodhohet në një teatër qendror dhe më pas të udhëtojë në sallat teatrore të qyteteve përreth, duke krijuar një rrjet të integruar të shfaqjeve skenike.
Ai e kritikon ashpër përqendrimin e aktivitetit kulturor në Tiranë, duke theksuar se kjo qasje e njëanshme jo vetëm që po centralizon kulturën, por po margjinalizon qytetet e tjera. “Jemi mbledhur të gjithë në Tiranë dhe po bëjmë një gropë të madhe që po na zë të gjithëve brenda. Nuk po i shërbejmë as misionit tonë, as teatrit, as jetës, as publikut,” shprehet Londo, duke ngritur alarmin mbi pasojat afatgjata të kësaj prirjeje.
Një nga pikat e forta të argumentit të Londos është infrastruktura teatrore e trashëguar nga qytetet jashtë Tiranës. Ai vëren se, ndonëse këto qytete kanë salla dhe ambiente të përshtatshme për zhvillimin e aktiviteteve artistike, ato shpesh mbeten të pashfrytëzuara. Kjo neglizhencë, sipas tij, vjen si pasojë e mungesës së një strategjie funksionale nga institucionet përgjegjëse dhe të qartësisë së vizionit nga vetë komuniteti artistik.
Londo vëren gjithashtu se Tirana, përkundrazi, ka një mungesë të theksuar të sallave teatrore krahasuar me popullsinë e saj në rritje. “Ndërsa qytetet e tjera kanë potencial për të pritur prodhime artistike, ne jemi fokusuar vetëm në kryeqytet,” thotë ai, duke theksuar se përhapja e aktiviteteve teatrale në mbarë vendin do të ndihmonte jo vetëm në diversifikimin e ofertës kulturore, por edhe në rritjen e angazhimit të publikut jashtë Tiranës.
Propozimi i tij për “teatrin e qarkut” ofron një mundësi për të rigjallëruar jetën artistike në të gjithë vendin, duke krijuar një model të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës për teatrin shqiptar. Ky model jo vetëm që do të përdorte më mirë infrastrukturën ekzistuese, por do të ndihmonte edhe në rritjen e kapacitetit të teatrove lokale për të tërhequr audienca të reja dhe për të ndërtuar një kulturë teatrore të decentralizuar dhe të qëndrueshme.
Një strategji kulturore me qëllime të qarta, por zbatim të munguar
Ministria e Kulturës, në Strategjinë Kombëtare për Kulturën 2019-2025, ka pranuar hapur sfidën e komunikimit të pamjaftueshëm mes institucioneve qendrore dhe atyre vendore, duke theksuar nevojën urgjente për një bashkëpunim më të ngushtë mes dy niveleve të qeverisjes. Kjo mungesë komunikimi është konsideruar si një nga pengesat kryesore për krijimin e një infrastrukture të qëndrueshme kulturore që i shërben drejtpërdrejt qytetarëve. Strategjia përpiqet të ofrojë një kornizë për koordinimin e aktiviteteve kulturore në mbarë vendin, por deri më tani zbatimi i saj duket i mangët. Me vetëm një vit të mbetur nga përfundimi i afatit të saj, Ministria ende nuk ka publikuar raportin e ndërmjetëm për vitin 2023, duke lënë të hapura pyetje mbi progresin dhe ndikimin e masave të ndërmarra deri tani.
Për më tepër, mungesa e koordinimit dhe komunikimit kulturor mes qyteteve brenda të njëjtit qark krijon një boshllëk të ndjeshëm. Shumica e teatrove dhe institucioneve të tjera kulturore janë të fokusuara në aktivitetet që zhvillohen kryesisht në Tiranë, duke injoruar potencialin e qyteteve të tjera. Kjo tendencë për përqendrim ka rezultuar në një vakum kulturor në pjesën tjetër të vendit, ku artistët nuk arrijnë të angazhojnë audienca të qëndrueshme dhe nuk përfitojnë nga një atmosferë bashkëpunimi dhe shkëmbimi. Edhe pse shumë qytete kanë trashëguar infrastrukturë të përshtatshme për aktivitete kulturore, mungesa e një strategjie të mirëpërcaktuar dhe e një rrjeti kombëtar të shkëmbimit artistik ka bërë që kjo pasuri të mbetet e pashfrytëzuar.
Për një kulturë të decentratilizuar
Për të adresuar sfidat ekzistuese dhe për të ndërtuar një skenë kulturore më të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, nevojiten disa ndërhyrje të menjëhershme dhe të koordinuara. Së pari, Ministria e Kulturës duhet të rihartojë dhe zbatojë një strategji konkrete për decentralizimin kulturor, duke përcaktuar role të qarta për institucionet qendrore dhe lokale. Një përpjekje e tillë duhet të përfshijë bashkitë, të cilat mund të rrisin buxhetet për projekte artistike dhe të krijojnë programe të posaçme për zhvillimin e jetës kulturore në rajone.
Teatrot dhe institucionet kulturore, nga ana tjetër, duhet të krijojnë partneritete dhe të organizojnë turne të rregullta mes qyteteve përmes një koncepti të përbashkët si teatri i qarkut, i cili mund të bëhet një motor i gjallë për zhvillimin kulturor kombëtar. Artistët gjithashtu duhet të ndërmarrin hapa për krijimin e një rrjeti kombëtar për shkëmbimin e përvojave dhe ideve, duke përforcuar kështu bashkëpunimin profesional dhe krijimtarinë kolektive.
Koncepti i teatrit të qarkut ofron potencial të madh për transformimin e skenës kulturore në Shqipëri. Përveç zgjerimit të aksesit të publikut në art dhe kulturë, ai mund të shërbejë si platformë për ndërtimin e një identiteti kulturor lokal dhe për promovimin e talenteve vendase. Modele të ngjashme në vende të tjera evropiane kanë treguar se ky qasje ndihmon jo vetëm në diversifikimin e programit kulturor, por edhe në zhvillimin ekonomik dhe social të rajoneve, duke përfshirë organizimin e festivaleve, punëtorive dhe programeve edukative.
Pavarësisht sfidave aktuale, si mungesa e burimeve financiare dhe organizative, Shqipëria ka potencial për të krijuar një ekosistem kulturor të decentralizuar që forcon identitetin e saj kombëtar. Implementimi i një strategjie të integruar do të shërbente si katalizator për zhvillimin e një skene më dinamike, duke zhdukur boshllëkun kulturor në rajone dhe duke krijuar mundësi të reja për artistët vendas. Në këtë mënyrë, publiku në të gjithë vendin do të kishte qasje më të mirë në aktivitete kulturore cilësore, ndërsa komunitetet lokale do të përfshiheshin më aktivisht në zhvillimin artistik dhe kulturor të vendit.