Sot shënohen 4 vite nga shembja e Teatrit Kombëtar dhe ende mungon ndërtesa e re, pavarësisht shumë premtimeve dhe afateve, ku i pari ka skaduar që në 2023-in. Nga verifikimi i Faktoje, në rastin më të mirë Teatri i ri Kombëtar përfundon në vitin 2026. Aktorë të skenës së teatrit bëjnë përgjegjëse institucionet shtetërore, por edhe mungesën e reagimit të shoqërisë që ende sot në vend të teatrit kombëtar kemi grumbuj dheu dhe mjete të rënda.
Ilda Hoxha
“Përpara fundit të mandatit tim do të ketë përfunduar teatri i ri, para 2023”- u zotua kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, në maj 2020, pak pas rrafshimit me fadromë të ndërtesës që për disa dekada kishte shërbyer si tempulli i artit skenik.
Faktoje u rikthye në terren edhe këtë vit për të parë se në çfarë faze është projekti. Aktualisht aty po punohej me makineri të rënda, teksa dalloheshin vetëm grumbuj me dhera.
Tabela e punimeve në hyrje të kantierit kishte afate të përditësuara, ku shkruhej se leja e ndërtimit mban datën 19.06.2023 dhe afati i ndërtimit të objektit është 27 muaj kalendarikë.
Edhe në 17 maj të 2023 kur skadonte afati i dhënë nga Veliaj situata nuk kishte shumë ndryshim, madje Faktoje vuri re se në tabelën e vendosur në kantier mungonte data e dhënies së lejes së ndërtimit dhe afatet.
Sa premtime të shkelura për Teatrin!
Në dhjetor të vitit 2022, Erion Veliaj njoftoi nisjen e punimeve për hapjen e themeleve për teatrin e ri.
“Teatri Kombëtar, e mbajtëm fjalën, filloi puna këtë vit…Afati është 27 muaj, por besoj edhe për 2 vjet do të kemi të paktën ngrehinën e Teatrit. Besoj për 24 muaj do jemi gati”, deklaroi Veliaj më 31 dhjetor 2022.
Mirëpo, në 1 dhjetor të vitit 2023, ai dha një tjetër afat për përfundimin e punimeve, vitin 2026.
“Besimi ynë është që nëse na mban koha dhe themelet e Teatrit i hedhim këtë dimër, plani është që ne deri në 2026 ta kemi përfunduar Teatrin dhe të kemi ndoshta hapësirën më të bukur për të bërë art, e për të bërë kulturë”-deklaroi Veliaj.
Ndërkohë, në 22 janar 2024, Veliaj tha se Teatri do të ishte gati në vitin 2025.
“Vitin tjetër ta kemi mbyllur të gjithë gjithë pjesën e infrastrukturës së rëndë të Teatrit, për t’u siguruar që në 2025 të kemi edhe finalizimin e kësaj kryevepre”-tha kryebashkiaku.
Shembja e teatrit, Aktorët: Shoqëria shqiptare nuk mbrojti identitetin e vet
Kur kanë kaluar 4 vite nga shembja e godinës së Teatrit Kombëtar, aktori Neritan Liçaj si pjesë e komunittit të artistëve që e kundërshtuan atë thotë:
“Duhet ta dinë të gjithë shqiptarët që është rasti i parë në historinë e njerëzimit kur mazhoranca e majtë, shteti shqiptar, policia shqiptare, Bashkia Tiranë, gangsterët, kriminelët, oligarkët, biznesmenët, duke shkelur kushtetutën, duke ushtruar dhunë, prishin dy teatro kombëtare.
Kjo nuk ka ndodhur në historinë e njerëzimit dhe në regjimet më të egra dhe diktatoriale dhe në regjimet më gjakatare, nuk ka ndodhur kjo që ndodhi në Shqipëri”, shprehet aktori.
“Një shoqëri e tërë, aq e padenjë, struktura të tëra shtetërore, aq kriminale shkatërruan dy teatrot kombëtarë dhe shoqëria shqiptare për fat të keq fjeti gjumë dhe nuk doli të mbronte as identitetin e vet. Teatrot janë tempuj të njeriut që nga koha e Eskilit”-thekson Neritan Liçaj.
Në lidhje me ecurinë e punimeve, ne iu drejtuam me një kërkesë për informacion Bashkisë së Tiranës, por deri në momentin e publikimit të artikullit, nuk kemi një përgjigje nga institucioni në fjalë.
Sa kushton teatri i ri?
Në tabelën e punimeve në hyrje të kantierit të Teatrit Kombëtar shënohet se vlera e punimeve me TVSH është 2.208.940.967 lekë.
Gjatë një interviste televizive në prill të vitit 2021, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se teatri ka një kosto totale rreth 30 milionë eurosh.
“Do të kushtojë rreth 30 milionë euro, të cilat ne i kemi marrë si kredi me fondin e Abu Dhabit”, bëri të ditur ai.
Sipas formularit të nënshkrimit të kontratës, kompania AGI-Kons që është edhe fituese e garës do të përfitojë rreth 19 milionë euro. Shuma përfshin totalin e kontratës ku fondi limit prej mbi 1.8 miliardë lekë ka të shtuar edhe tatimin mbi vlerën e shtuar duke arritur në 2.2 miliardë lekë.
Projekti konsiston në ndërtimin e teatrit të ri në Tiranë me rreth 8.000 m2 mbi tokë dhe 5.000 m2 nëntokë në 3 nivele. Në një artikull të publikuar një vit më parë, Faktoje raportonte se 3 vite pas shembjes së godinës së vjetër të Teatrit Kombëtar, nuk kishte asnjë gjurmë nga nisja e punimeve për godinën e re, pavarësisht shumë premtimeve nga zyrtarët publikë.