INVA HASANALIAJ
Ministra e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale prej disa vitesh ka kërkuar Deinstitucionalizimin e personave me probleme të shëndetit mendor. Zgjidhja për ta është fuqizimi i shërbimeve komunitare të shëndetit mendor dhe reduktimi i numrit të shtretërve në spitalet rezidenciale psikiatrike.
Çfarë është bërë me këtë nismë deri më sot dhe sa funksionale ka rezultuar?
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, Shërbimet e Shëndetit Mendor të Specializuara me Shtretër kanë në total një kapacitet prej 635 shtretërish
Shërbimi | Kapaciteti |
Spitali Psikiatrik Elbasan | 310 |
Spitali Psikiatrik Vlorë | 200 |
Shërbimi Psikiatrik, QSUT, Tiranë | 90 ( jo rezidencial) |
Sherbimi i Shendetit Mendor i Specializuar me Shtretër Shkodër | 35 |
Total | 635 |
“Faktoje” komunikoi me dy spitalet psikiatrike, respektivisht të Vlorës dhe Shkodrës të cilat na vendosën në dispozicion shifra të personave që janë shtruar gjatë vitit 2018.
Spitali Psikiatrik “Ali Mihali” Vlorë është institucion publik dytësor që ofron shërbim në këtë zonë mbulimi: Qarku Vlorë,Qarku Gjirokastër, Qarku Fier (pa bashkinë Lushnje) ,Qarku Berat. Gjatë vitit 2018 në këte spital janë bërë 498 shtrime nga zona e mbulimit ( urbane dhe rurale).
Nga tabela e të dhënave që Ministria e Shëndetësisë dërgoi për kapacitetin e shtretërve rezulton se ky spital ka vetëm 200 shtretër ndërsa për vitin 2018 janë bërë 498 shtrime. Rrjedhimisht ky spital ka tejkaluar kapacitetin e vetë të shtrimeve.
Spitali i Shkodrës nga ana tjetër na informoi se për vitin 2018 janë shtruar gjithsej 371 pacient. 218 burra dhe 153 gra. Krahas shtrimeve të mësipërme sipas tyre janë rreth 650 pacient çdo vit që janë shtruar në repartin ditor. Kapaciteti që ky spital ka është 35 shtretër.
Nga përgjigjet kuptuam se këto spitale jo vetëm që i mbulojnë kapacitetet por i tejkalojnë ato me dyfishin apo trefishin e tyre.
Sipas Ligjit Nr.44 për Shëndetin Mendor, ofrimi i kujdesit shëndetësor për personat me çrregullime të shëndetit mendor duhet bërë në një mjedis sa më pak shtrëngues, kryesisht në nivel komunitar, për të shmangur në maksimum zhvendosjet nga mjedisi familjar e për të lehtësuar integrimin dhe rehabilitimin social. Megjithatë ka shumë persona të cilët në mungesë të shërbimit jashtë spitaleve lihen nga familjarët në këto spitale për një kohë të gjatë shpesh deri sa ndërrojnë jetë. Kjo bën që kapacitetet të mbushen dhe spitalet nuk kanë mundësi të shtrojnë idividë të tjerë.
Reduktimi i shtretërve një nismë e Ministrisë nuk ka rezultuar aq efikase kur shohim nga vëzhgime të thjeshta se këta persona me probleme të shëndetit mendor enden rrugëve të pa shoqëruar dhe shpesh në gjendje të rënduar.
Përgjigjet e spitaleve tregojnë se kërkesat nuk kanë ardhur në rënie por përkundrazi në rritje. Ndërkaq shteti shqiptar nuk ka parashikuar se ku duhet të qëndrojnë personat me probleme të shëndetit mendor, kur ata arrijnë moshën e pensionit. Një pjesë e madhe e tyre futen në këto institucione në moshë të hershmë dhe qëndrojnë aty deri në fund të jetës.